Ndërsa Edi Rama ja kishte dalë të poshteronte Ilir Metën në Tiranë, Koço Kokëdhima kishte mbledhur socialistët e Fierit në një sfidë të hapur kundër kryerilindësit.
Duke folur nga qyteti i Fierit ish-deputeti socialist Kokëdhima “i ka treguar forcën” kryeministri Edi Rama kur tha se udhëheqja e PS-së është autokratike, forumet e saj nuk informohen, nuk diskutojnë e vendosin për asgjë kolegjialisht. “Grupi parlamentar, Asambleja Kombëtare dhe Kongresi kanë rënë plotësisht. Niveli i tyre, nga pikëpamja e funksionimit, debatit dhe respektimit të rregullave të partisë, është më i ulët edhe se niveli që kishte organizata e rinisë së Lapulecit në kohën e Enverit!”, siç u shpreh ai.
Sipas Kokëdhimës “në këtë rrugë që ecën, PS rrezikon që të prekë, në zgjedhjet e qershorit, pozitën e vet më të keqe historike. Ajo rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve”.
Kokëdhima tha se PS-ja është ndarë në dy pjesë: Në atë të bazës dhe në atë të udhëheqjes. Kjo e fundit, sipas tij, nuk merr parasysh socialistët e vërtetë, por manipulon qytetarët dhe e mbyt Shqipërinë me borxhe.
Ja fjala e plotë e Kokëdhimës me socialistët fierakë:
Të nderuar miq,
Të dashur vëllezër dhe motra!
Në këtë sallë kam bërë shumë fjalime në të shkuarën. Për herë të parë fola në fund të vitit 1984. Më thirrën nga fusha ku punoja me Resmi Islamin dhe shumë shokë të tjerë. Studionim nëntokën dhe bënim profilet sizmike të ultësirës nga Fushëkuqe e Laçit, në Cërrik e deri në Seman. Nuk e dija se këtu po bëhej konferenca e rinisë e asaj kohe. Atë ditë e mbaj mend jo vetëm se u zgjodha në krye të atyre të rinjve e të rejave të jashtëzakonshëm që i kam dhe do i mbaj në zemrën time përjetë. Këpucët e mia ishin shumë të vjetra dhe tepër të lodhura. Nuk mund të futesha në sallë se më vinte turp. Prita jashtë derisa Mustafa Luto më solli një palë këpucë të reja ku mezi i futa këmbët se më rrinin shumë të vogla. Aq shumë më vranë ato këpucë sa edhe tani e kam ndjesinë se më vrasin këpucët sa herë provoj një palë të reja. Provova edhe një xhaketë të Kujtim Hajdarit, por nuk më bënte, sepse më rrinte e vogël, kështu që dola me atë që kisha veshur.
Fieri është një qytet shumë i dashur për mua dhe familjen time. Në këtë qytet fillova punën për herë të parë në Institutin e Naftës si matematikan, ndërsa zonja ime, Brixhida, filloi si mësuese në shkollën “Perikli Ikonomi”. Fillimisht u strehova në Patos me ndihmën e Bilbil Muços. Njerëzit ishin të varfër, por të dashur e të vëmendshëm. Në dhomën ku qëndrova për disa javë, Arshi Hajdini na solli dhuratë dy pirunë që na bënë punë atë fundjavë.
Në Fier lindën e u ritën tre vajzat e mia, Besa, Bora dhe Era, këtu bëra emër e pasuri, krijova aq shumë miqësi e njohje të cilat janë thesaret më të mëdha të jetës time. Të shumtët nga miqtë e mi kanë ikur nëpër botë e në Tiranë, por sot kam parë lumturisht disa prej tyre në këtë sallë. U jam mirënjohës dhe ju përulem me respekt të thellë, gjithë këtyre njerëzve të mrekullueshëm të Fierit, Mallakastrës, Patosit, Myzeqesë, Roskovecit, Kurjanit e Levanit, të cilët më ndihmuan aq shumë që të bëj një jetë të madhe.
“Zgjidhja” është një lëvizje politike e socialistëve të bazës, brenda Partisë Socialiste. Ajo nuk është kundër askujt, është gjithëpërfshirëse dhe në të mirë të qytetarëve të thjeshtë. Zgjidhja nuk e përçan partinë, e bashkon, nuk nxit largimet prej saj, e zmadhon dhe e hap atë, nuk do që në parti të ketë vend vetëm për ata që pëlqen kryetari dhe që shërbejnë pushtetin e tij, por të ketë vend dhe të luftohet për lumturinë e të gjithëve.
Aq e shkëputur është udhëheqja nga baza sa me të drejtë mund të themi se kemi dy parti socialiste, partinë e bazës dhe partinë e udhëheqjes. Kjo partia e bazës nuk ndihet e përfaqësuar nga partia e udhëheqjes. Partia e udhëheqjes e gënjen, e abuzon, e shfrytëzon, takohet me të vetëm në kohë fushatash elektorale, pastaj nuk e njeh më, nuk e dëgjon, nuk i hap telefonin, nuk e shërben, nuk do t’ia dijë për të.
Kjo partia e udhëheqjes e shalon këtë partinë e bazës dhe pushtetin që prodhojnë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Zgjidhja kërkon që njerëzve t’u thuhet e vërteta, që në parti të flitet hapur, të ketë debat, të dëgjohen të gjithë, jo vetëm kryetari dhe ministrat e tij. Udhëheqja jonë është arrogante, e mbyt debatin, i kërcënon e shantazhon dhe i pushon nga puna ata socialistë e qytetarë që kanë dhe flasin mendime të tjera nga kryetari.
Partia Socialiste ka një anëtarësi të shkëlqyer, njerëz të devotshëm, atdhetarë të shquar e qytetarë shembullorë. Por edhe pse kjo është e vërtetë, ajo reduktohet e zvogëlohet çdo dy vjet. Në këtë rrugë që ecën, PS rrezikon që të prekë, në zgjedhjet e qershorit, pozitën e vet më të keqe historike. Ajo rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve.
Udhëheqja e PS-së është autokratike, forumet e saj nuk informohen, nuk diskutojnë e vendosin për asgjë kolegjialisht. Grupi parlamentar, Asambleja Kombëtare dhe Kongresi kanë rënë plotësisht. Niveli i tyre, nga pikëpamja e funksionimit, debatit dhe respektimit të rregullave të partisë, është më i ulët edhe se niveli që kishte organizata e rinisë së Lapulecit në kohën e Enverit! Asnjë zhvillim i rëndësishëm nuk debatohet e vendoset në forumet e partisë. Këto forume përdoren vetëm për propagandë nga ministrat dhe kryetari.
Unë kam denoncuar bashkëpunimin e lidershipit të PS-së me Sali Berishën për të goditur mandatin tim të deputetit duke urdhëruar politikisht Gjykatën Kushtetuese. Kjo kulturë e luftës pas shpine nuk kufizohet vetëm në rastin tim. Gjatë tre viteve të punës time si deputet kisha në qafë makinerinë e shpifjeve, intrigave dhe diversioneve që është një nga më të neveritshmet që mund të imagjinohet. Kjo makineri prodhon, përpunon e shpërndan sajesa, shpifje e lajme të pavërteta në media, rrjetet sociale, shërbimet diplomatike, mjediset politike e shoqërore. Prandaj është shkatërruar plotësisht bashkëpunimi, besimi i ndërsjelltë, solidariteti i sinqertë dhe kultura e punës në Partinë Socialiste.
Sikur zyrtarët tanë t’i harxhonin energjitë për punët e popullit dhe ekonominë e qytetarëve, kushedi sa perime, zarzavate e fruta do të kishim eksportuar në Europë këto vite dhe nuk do të ishim një vend që importon, gati një miliard dollarë në vit, mish e ushqime për popullatën. Të gjithë ata që janë pjesë e makinerisë së pushtetit që merret me intriga, shpifje dhe diversion, shpërblehen me para e të mira publike. Pjesë e kësaj makinerie janë edhe “skifterët” e qeverisë, Bolino, Merua e të tjerë.
Ju jeni në dijeni të vendimit të 23 dhjetorit për shkarkimin tim nga anëtar i Asamblesë Kombëtare. Shkarkimi im nuk bazohet në asnjë dokument. U bë në mungesën time e pa më vënë në dijeni, me votim të hapur e duke i vënë njerëzit nën presion, pa asnjë procedurë të ligjshme. Kam kërkuar nga drejtuesit dokumentet dhe vendimin. Nuk i japin dot sepse nuk dinë çfarë të shkruajnë. KGS-ja gjithashtu nuk ka shqyrtuar kërkesën time, pavarësisht se afatet janë tejkaluar. Duket se edhe ky institucin nuk funksionon më.
Kur këto gjëra ndodhin me mua, mendoni se si i trajtojnë njerëzit, këta drejtues të veshur me pushtet të pakufizuar. Ata kanë zhdukur çdo element të demokracisë së brendshme në parti, çdo përfshirje dhe rol të qytetarëve të thjeshtë në qeverisje dhe çdo formë të kontrollit të socialistëve të bazës mbi politikat dhe veprimet e qeverisë.
Një parti jodemokratike prodhon një qeverisje jodemokratike. Nëse koncensioni i “check up”-it do diskutohej në parti, kurrë nuk do miratohej dhe as nuk do bëhej. Do ishte një gjë shumë normale që buxheti i shtetit të investonte teknologji, dije dhe standarde bashkëkohore në mjekësinë shqiptare, e cila sot është në një gjendje të mjerueshme.
Përpara një jave një miku im familjar nga Fieri e çoi nënën e tij në Itali pothuajse të vdekur. Trajtimi që i kishin bërë në një spital privat në Tiranë ishte aq joprofesional, sa dukej si një vrasje e mbetur në tentativë. Si ky rast ndodhin përditë në Shqipëri. Qytetarëve të varfër u mbetet vetëm të luten, mos t’i çojë halli në dyert e kësaj mjekësie.
Nuk dua të fusim në një thes edhe mjekët, specialistët dhe menaxherët që punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm. Koncensioni i “check up”-it është krejtësisht i gabuar dhe duhet ndërprerë. Ky koncension u bë në rrugë tërësisht jo transparente. Paratë e shumta, që thith ky koncension dhe të ngjashmit me të, duhet të shkojnë për zhvillimin e mjekësisë. Askush nuk e mbështet këtë projekt. “Check up”-i është në dëm të ekonomisë dhe të shëndetit të shqiptarëve.
Bëmë gjithë atë luftë me Saliun për të mos e ndërtuar TEC-in e Vlorës. I kishim paralajmëruar atë dhe Nanon se ky investim do të dështonte. I harxhoi para 10 vitesh 130 mln euro që i morën borxh nga Banka Botërore, BERZH dhe BEI, dhe TEC nuk punoi asnjë ditë. Sot paguajmë edhe 2 mln euro në vit për konservim. Kjo vepër mund të vihet në punë vetëm pas 5 vitesh kur të ketë mbaruar projekti i TAP-it dhe të mundësohet furnizimi me gaz. Do të duhet që të shpenzohen të paktën edhe 20 mln euro të tjera për këtë qëllim. Po të kemi parasysh edhe interesat e borxhit del se shqiptarët kanë paguar rreth 200 mln euro për këtë ngrehinë që s’jep asgjë.
Ishte vetëm këmbëngulja e Fondit Monetar Ndërkombëtar që e pengoi qeverinë tonë të përfundonte koncensionin për gjurmimin e TVSH-së në vitin 2016, një nga koncensionet më turpëruese, më turpërues edhe se koncensioni i Saliut me “Rapiskan”-in, për skanimet në dogana. Pa asnjë transparencë qeveria jonë vendosi t’i lejonte kompanisë M-POS një investim prej 9 mln eurosh dhe me kosto operimi 8 mln euro në vit, për të marrë mbrapsh që në vitin e parë vlerën e plotë të investimit dhe në vitet pasuese, shumëfisha të tij.
Nëse FMN-ja do të largohet, ka shumë gjasa që M-POS ta fitojë këtë koncension dhe të marrë një pjesë të mirë të parave nga të ardhurat e buxhetit. Kjo nuk bën sens. Ngjan si një çmenduri. Qeveria jonë ka vepruar si Sudja dhe si Rrapush Xhaferri. Është njësoj sikur qeveria të marrë lekë me fajde, si këta ose si Driza i skemës financiare mashtruese “Populli”. Edhe ata fillimisht i merrnin huatë me çmim më të lirë. Vetëm kur ju erdhi fundi i hipën përqindjet mbi një në ditë, ndërsa piramidat që konsideroheshin më serioze, i mbajtën interesat deri në 72 për qind në vit.
Koncensionet e këtyre 25 viteve kanë krijuar kosto të shtuara për shërbimet ndaj qytetarëve, janë negociuar keq e në dëm të interesave të shtetit shqiptar, kanë prodhuar detyrime të fshehta për buxhetin dhe fitime marramendëse për koncesionarët, ju kanë dhënë mundësi atyre të përfitojnë abuzivisht nga paratë e taksapaguesve tanë. Pse ndodhi kështu? Arsyeja është shumë e thjeshtë: korrupsioni dhe tradhëtia e qeveritarëve ndaj interesave të popullit shqiptar!
Ervisi është një mik i imi që sot ndodhet në këtë sallë. Në vitin 1991 ishte 5 vjeç. Kur Saliu vinte në mitingje, babai e merte dhe e mbante mbi supe. Ishte diçka shpresëdhënëse ta prekje Saliun. U dukej sikur preknin Papën. Të gjithë ëndëronin për një Shqipëri të lirë e demokratike, një Shqipëri që do t’u jepte mundësi njerëzve që të punonin e të jetonin të lumtur si të gjithë kombet e popujt e tjerë të civilizimit perëndimor.
Tani Ervisi është 31 vjeç, ndërsa babai i tij po shkon 60 vjeç. Të dy nuk kanë më asnjë iluzjon as për Saliun dhe as për kastën drejtuese të këtyre 25 viteve. Shqiptarët ndihen të varfër, të përdorur, të mashtruar e të vjedhur. Saliu dhe kryetarët e tjerë u bënë papë dhe Shqipëria tokë e bekuar, vetëm për shpurat e tyre dhe bizneset e lidhura me ta. Për të tjerët, ky vend i dashur, mbeti toka e vuajtjeve, zhgënjimeve, lotëve dhe lëndimeve të mëdha.
Këtu sundon pabarazia, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Administrata është e mbushur më tutkunë, me njerëz të pasjellshëm, me të paaftë, me njerëz që i blejnë vendet e punës, i fitojnë me mik, me taraf, ose duke i shërbyer një kryetari partie me vota e me para. Po nuk pagove nuk mbaron dot punë. Edhe duke i paguar, zyrtarët ua shpien buzën mbrapa. Njerëzit e thjeshtë nuk ndihmohen, nuk respektohen, nuk dëgjohen. Janë kaq të përhapura këto fenomene saqë njerëzit e mirë, idealistë e të ndershëm, të cilët vazhdojnë të punojnë në administratën publike, ngjajnë si budallenj që s’bëjnë edhe ata si të tjerët.
Qeveritë tona, nga një katër vjeçar te tjetri manipulojnë qytetarët, lidhin koncensione turpëruese, kryejnë tendera të manipuluar dhe e mbysin Shqipërinë me borxhe joefektive. Vendin e ka mbuluar papunësia dhe varfëria, ai nuk është tërheqës për investime. Të gjithë janë gati të ikin me mundësinë e parë që tju jepet. Deri tani janë larguar mbi 1,5 milionë shqiptarë dhe çdo vit ikin mbi 60 mijë të tjerë, kryesisht të rinj e të reja. Me këto ritme në vitin 2030 vendi ynë do jetë me 1,2 milionë banorë dhe po kaq i varfër sa ç’është sot.
Korrupsion ka në çdo vend, ku më shumë e ku më pak, por askund nuk ndodh kjo që i ndodh vendit dhe popullit tonë. Të gjithë vendet europiane, edhe fqinjët tanë në rajon kanë probleme, por zhvillohen e pasurohen dhe shkojnë përpara çdo vit. Nuk mjafton të themi se ne kemi kastën drejtuese më të paaftë, më të pashpirt e më të pafe në botë, për të gjetur një shpjegim të drejtë për këtë situatë.
Mund të ndalemi edhe tek karakteristikat kulturore, morale, psikologjike e shoqërore të popullit tonë dhe t’i japim rolin, rëndësinë dhe vendin që ka çdo element i tillë në gjendjen e krijuar. Shkaku kryesor që e çoi Shqipërinë nën tiraninë e skamjes dhe korrupsionit, është sistemi politik i kalbur. Ne nuk kemi një demokraci kushtetuese funksionale, por kemi në fuqi një regjim që quhet regjimi i partitokracisë ose regjimi ku sundojnë kryetarët e përjetshëm të partive!
Në vitin 2013 populli ynë pati shumë shpresë te Edi Rama. Sot, shumë socialistë dhe qytetarë të thjeshtë, mendojnë se Edi Rama është si Saliu, u soll me pushtetin njësoj si Berisha. Shumë nga ata që votuan Ramën dhe koalicionin tonë në zgjedhjet e shkuara, ndihen thellësisht të zhgënjyer, siç janë ndier të zhgënjyer prej liderëve të tjerë politikë më përpara. Përse përfundojnë në këtë lloj zhgënjimi votuesit tanë? Përse të gjithë këta liderë sillen njësoj me pushtetin dhe me popullin tonë? Arsyen duhet ta kërkojmë te deformimet e sistemit, te partitokracia që vetë Rama dhe Berisha kanë ndërtuar e konsoliduar në Shqipëri.
Regjimi i partitokracisë që ëshë në fuqi në Shqipëri karakterizohet nga:
1) Shkatërrimi i institucionit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Saliu e instaloi në Shqipëri kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve. Fatkeqësisht të majtët nuk u distancuan prerazi nga kjo culture, por i shkuan pas asaj dhe të dy palët rafinuan metodat e manipulimit të zgjedhjeve. Gjithmonë kam besuar se vjedhja e votave është e barazvlefshme me tradhëtinë ndaj popullit dhe atdheut! Të jemi shumë të qartë; nëse vidhen ose trafikohen votat, nuk fitojnë qytetarët e Shqipërisë, nuk fitojnë as socialistët dhe as demokratët e thjeshtë. Fitojnë vetëm një grusht njerëzish nga të dy krahët e politikës që mbajnë njëri-tjetrin në lojë, i garantojnë njëri-tjetrit sigurinë personale, alternimin dhe qëndrimin në politikë e në pushtet. Populli voton, kryetarët numërojnë votat! Kështu funksionon partitokracia jonë!
2) Populli shqiptar është i vetmi në botën demokratike që është zhveshur nga çdo atribut i ushtrimit të vullnetit të tij të drejtpërdrejtë përmes votës, për të zgjedhur përfaqësuesit, për të miratuar ligje ose marrëveshje e politika të rëndësishme. Populli ynë është i nëpërkëmbur, i çnderuar, i nënvleftësuar. Gjeni një shembull të ngjashëm në botën demokratike, ku populli është i lidhur, i prangosur, i përjashtuar dhe nuk lejohet të zgjedhë drejtpërdrejt as presidentin, as kryeministrin, as deputetin, as kryetarin e bashkisë, as prokurorët, as gjyqtarët, as ndihmësgjyqtarët, as këshilltarët e bashkive, asnjë përfaqësues të vetëm! Të gjithë këta i zgjedhin kryetarët e partive. Ata e konsiderojnë si idiot popullin shqiptar, i konsiderojnë njerëzit e thjeshtë si bagëti. Kështu që e kanë gjetur të udhës dhe të mundshme që t’ia përvetësojnë dhe rrëmbejnë këto të drejta. Pushteti i pamerituar i kryetarëve është pushtet që u është vjedhur qytetarëve. Populli voton, kryetarët zgjedhin përfaqësuesit e tij! Kështu vepron partitokracia jonë!
3) Partitokracia shqiptare nënkupton kthimin e partive politike në bashkësi parapolitike, në çifligje dhe sh.p.k. të kryetarëve, ku nuk bëhen zgjedhje, por vetëm emërime nga kryetarët, në parti pa institucione, pa burime njerëzore të kualifikuara, pa ekspertizë e raporte, pa kulturë funksionale, pa manuale, procedura e standarde, pa vlera, kapacitete e demokraci të brendshme, pa baza të dhënash. Partia është vetëm kryetari. Në partitë tona politike nuk ka sisteme të menaxhimit të performancës, bëjnë karrierë vetëm ata që i servilosen kryetarëve. Ligji për partitë politike është thjesht, qesharak. Populli, partia dhe parlamenti nuk e kontrollojnë kryetarin. Kryetari kontrollon qeverinë, parlamentin, partinë dhe popullin! Ky është regjimi i partitokracisë tonë!
4) Tregjet janë në duar të monopoleve dhe oligopoleve të kastës sunduese. Nuk bëhet fjalë për konkurencë të hapur e të ndershme as në tregun e sipërmarrjes, as në tregun e punës dhe as në politikë. Kasta nuk çahet, nuk thyhet, nuk përtërihet. Nuk ka më meritokraci, hierarki vlerash e shanse të barabarta, nuk flitet më për barazi të operatorëve në tregje. Tenderat, koncensionet, vendet e punës, lejet i japin të gjitha kryetarët. Po nuk hyre në stanin e një kryetari, po nuk punove për një kryetar, je i vdekur. Mbi 100 vetë punësoi partia çame vetëm në spitalin e Fierit në këto 7 muajt që shkuan. Kushedi sa kanë punësuar në Shqipëri. Vetëm se Idrizit i duhen votat e këtyre njerëzve, ndërsa kryetarit tonë i duhet votat e Idrizit. Gjithçka për kryetarët. Kryetarët janë të gjithëfuqishëm dhe të përjetshëm. Më kollaj mund të ndërrohet populli me një popull tjetër, por jo kryetari! Këtu kryetarët do të ikin vetëm kur të vdesin. Kryetari është zoti, populli asgjëja. Kështu jeton partitokracia jonë!
Të dashur pjesëmarrës,
Gjatë këtyre ditëve më kanë bërë shumë pyetje se pse duhet të diskutojmë kaq shumë për partitë politike në përgjithësi dhe për Partinë Socialiste në veçanti, kur mund të përqendrohemi kryesisht në nevojat më bazike, për punësimin, për paga më të larta, drejtësi e rend më të mirë, për arsimin.
Plani një miliard dollarësh i qeverisë, për t’i investuar në tre vitet e ardhshëm, në projekte të tipit PPP është thjesht plan për të marrë një borxh të ri e të fshehtë publik. Ne jemi vendi me borxhin më të lartë, 70 për qind të PBB-së nga 40 për qind që është mesatarja e borxhit në vendet e rajonit.
Megjithatë punët e Shqipërisë kanë shkuar shumë më keq, krahasuar edhe me këto vende.
Asnjë vendim i tillë nuk duhet të merret përpara zgjedhjeve dhe nën presionin e interesave elektorale të qeverisë. Çdo projekt dhe detaj i këtij plani duhet që të publikohet që tani, ndërsa diskutimi dhe miratimi duhet të bëhet me transparencë të plotë dhe me konsensus të gjerë të ekspertëve, faktorëve dhe shoqërisë shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Vendime të tilla janë me ndikime e pasoja të mëdha në jetën dhe ekonominë e vendit. Këto borxhe merren me vendim të kryetarit, por do t’i paguani ju dhe fëmijët tuaj. Ja pse duhet të diskutojmë se si funksionon partitokracia!
Regjimi i partitokracisë dhe diktatura e neveritshme e kryetarëve, të cilët u dhanë pas ëndrrës personale për t’u pasuruar përmes politikës, kanë shkaktuar gjithë këto plagë e vuajtje për ju dhe kanë vënë në rrezik sigurinë, ekzistencën dhe interesat e larta të popullit shqiptar. Ja pse ky diskutim që bëjmë për sistemin politik është kaq i rëndësishëm dhe i lidhur me nevojat tuaja! Këtu fillon zgjidhja e këtyre problemeve të mëdha të njerëzve tanë.
Po nuk e shembëm këtë regjim, në Shqipëri nuk do ketë liri, shpresa dhe ëndërimtarë, nuk do ketë më mundësi reale për të ndërtuar dhe realizuar këto ëndrra, nuk do ketë zhvillim. Do të ketë vetëm borxhe të reja dhe përkeqësim të situatës. Si ta shembim këtë regjim?
Po e përmbysëm sundimin e kryetarëve, këtu dhe në të gjithë Shqipërinë nuk do vazhdojnë më prishjet e shtëpive dhe lokaleve pa i legalizuar më përpara, sepse ato do të legalizohen, do të shpronësohen dhe do të paguhen; nuk do të vazhdojnë më shpronësimet me çmime qesharake që u shkatërrojnë pasurinë dhe u rrënojnë mirëqenien banorëve. Shpronësimet do të bëhen me çmime të drejta dhe nuk do jenë më dramatike për ta. Ja pse duhet ta përmbysim sundimin e kryetarëve!
Po ua morëm pushtetin abuziv kryetarëve dhe t’ua kthejmë qytetarëve nuk do të vazhdojë më ndërtimi i inceneratorëve me teknologji të pasigurta e kosto të pamundura për ne, që djegin mbeturina, qofshin këto lokale, qofshin të huaja. Në çdo rast djegia shkatërron shëndetin tuaj, duke shpërndarë dioksinën që ushqen kancerin në çdo sekondë. Kështu do mundemi t’u japim fund vuajtjeve të banorëve të zonave të naftës, si për banesat që ju çahen nga shpërthimet, ashtu dhe për ajrin e keq dhe ndotjet e prodhimeve bujqësore e blegtorale. Si t’ua marrim pushtetin abuziv kryetarëve dhe t’ua kthejmë qytetarëve?
Po i demokratizuam partitë politike, fermerët do të përfitojnë subvencione dhe mbështetje qeveritare, siguracionet do të kenë prime për rrisqet e tyre dhe dëmet që pësojnë nga ngricat, përmbytjet dhe forcat jashtë mundësive të tyre, do të kompensohen, gjendja e bujqve në fushat dhe ish-kënetat e bonifikuara të Myzeqesë, do të përmirësohet çdo vit. Bujqësia nuk do të mbetet si deri tani, pa investime dhe e braktisur. Si t’i demokratizojmë partitë politike?
Unë kam përgjigjie për të gjitha këto pyetje e dilema. ZGJIDHJA do të shembë partitokracinë! ZGJIDHJA do të rrëzojë sundimin e kryetarëve! ZGJIDHJA do t’ua marrë pushtetin abuziv kryetarëve dhe do t’ua kthejë qytetarëve! ZGJIDHJA do të pastrojë zgjedhjet nga vjedhja dhe trafikimi i votës. ZGJIDHJA do të demokratizojë Partinë Socialiste, do të instalojë debatin e lirë e të hapur dhe do të mundësojë reformimin e sistemit politik në shqipëri.
Sot, në këtë event prezantojmë logon e ZGJIDHJES për herë të parë.
ZGJIDHJA gëzon mbështetje të gjerë në parti e në popull. Takimet tona kanë interes të madh. Sallat mbushen përtej kapacitetit. Shumica e njerëzve nuk arrijnë dot që të futen brenda. Qytetarët i pëlqejnë idetë e ZGJIDHJES. Shumica e heshtur e socialistëve mbështesin ZGJIDHJEN. Socialistët e thjeshtë janë me ZGJIDHJEN. Ata janë të heshtur, sepse nuk duan të ndëshkohen nga pushteti i kryetarit.
Një mik i imi, që është në këtë sallë sot, më tha tre ditë më parë se do anëtarësohem te ZGJIDHJA, por nuk dua të flas në takim, se e kam gruan mësuese dhe kam frikë mos ma pushojnë. Një anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, më tha se, nuk do vijë vetë në takim, sepse punon në shtet, por do të njoftojë disa socialistë. Një shoku im i rinisë, kryetar OS-je, më telefonoi dje dhe më tha se do të anëtarësohem në lëvizje, por nuk dua flas në takim, sepse pres që të më fusin në punë këto javë.
I këshilloj socialistët e heshtur që të mos tremben. As të mos tregohen meskinë. Ata e dinë se çfarë është e drejtë. Nga puna nuk ju pushojnë dot. Ne jemi me mijëra. Mos lejoni askënd që ta rrëzojë e shkatërrojë deri në fund Partinë Socialiste. Përndryshe edhe ju, edhe të afërmit tuaj do të bini prapë në thonjtë e Saliut dhe Partia Socialiste nuk ka për ta marrë më veten.
Në vitin 2011, në Sarandë, në një ditë të vetme, njerëzit e Saliut pushuan nga puna 84 mësues me bindje të majta, vetëm për motive politike. I masakruan me bukën e gojës, si të ishin gjermanët që bënë masakrën e 4 shkurtit, kur pushkatuan 84 persona në Tiranë. Ju them socjalistëve të përgjegjshëm të mos heshtin, të mos tremben, të mos tërhiqen, të veprojnë, të reagojnë, të flasin me kurajo, t’i bashkohen ZGJIDHJES!
Të dashur motra dhe vëllezër,
Dita e sotme është e një rëndësie të veçantë për ZGJIDHJEN. Ajo sot fillon nismën qytetare ligjore: “Unë zgjedh deputetin që dua”! Nuk mundëm që ta reformojmë Partinë Socialiste nga lart. Duhet ta reformojmë atë, duhet të reformojmë të gjitha partitë politike në shqipëri, duhet t’i demokratizojmë ato nga poshtë dhe me ligj; t’i kthejmë nga banda e bashkësi parapolitike që janë sot, në parti moderne politike.
“Unë zgjedh deputetin që dua” është një nismë ligjore qytetare. Projekt ligji në fjalë më shumë se me një proces juridik, kërkohet të imponohet me një aksion politik me përmasa gjithëpopullore të ZGJIDHJE-s. Në këtë betejë politike do të përfshihen shqiptarët që duan një demokraci kushtetuese funksionale, shqiptarët që duan ta rrëzojnë kastën sunduese të tranzicionit dhe tiraninë e skamjes dhe korrupsionit, shqiptarët që duan ta shembin regjimin e kalbur dhe diktaturën e neveritshme të kryetarëve, qytetarët që duan të demokratizojnë partitë dhe qeverisjen e vendit.
ZGJIDHJA, përmes aksionit politik “Unë zgjedh deputetin që dua” ka për qëllim tu heqë pushtetin abuziv kryetarëve dhe tju a kthejë atë qytetarëve.
Kryetarët nuk mund të zgjedhin më në emër të popullit shqiptar. Ata duhet të jenë shërbëtorë të popullit dhe jo padronë të tij. Populli ka të drejtë të kontrollojë kryetarët! Kryetarët nuk duhet të kontrollojnë më as popullin, as parlamentin! Kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie dhe këshilltarë do të zgjidhen përmes zgjedhjeve paraprake të hapura.
Kështu kryetarët nuk do të emërojnë dot më si kandidatë për deputetë njerëzit e tyre. Kandidatët për deputetë do t’i zgjedhë anëtarësia e partisë me qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë. Asnjë person nuk do pengohet të konkurojë. Në krye të punëve të shtetit e të popullit do të vijnë djemtë dhe vajzat me të mirë e më të aftë të këtij vendi dhe jo më tutkunët e kryetarëve!
“Unë zgjedh deputetin që dua” do t’ua kthejë partitë qytetarëve, do t’ua kthejë anëtarëve të thjeshtë të bazës. PS nuk do jetë më partia e kryetarit. PS do jetë partia e rregullave, partia e të gjithëve, partia e socialistëve të thjeshtë dhe qytetarëve të shqipërisë.
Firmoseni të gjithë ligjin “Unë zgjedh deputetin që dua”. Ftoni miqtë tuaj, të njohurit, të afërmit, qytetarët, komshinjtë, shokët e lagjes, të punës e të shkollës të nënshkruajnë.
ZGJIDHJA nuk mbështetet te elitat. ZGJIDHJA janë qytetarët dhe socialistët e thjeshtë, ata që e nxjerrin bukën dhe jetën e vet me punë të ndershme, njerëzit e zotë e të aftë të këtij vendi, njerëzit e harruar, të braktisur e të lënë mënjanë. Ne jemi zgjidhja! Unë jam zgjidhja! Ki besim të patundur! Në se ti beson në kauzat e drejta, ti je zgjidhja! Në se ti beson te vetja, ti je zgjidhja! Përsëriteni me zë të lartë ju lutem: Unë jam zgjidhja!
Unë jam zgjidhja! Ju jeni zgjidhja pa dyshim! ZGJIDHJA është zgjidhja! Rroftë Shqipëria! Rroftë populli ynë i dashur! Rroftë Partia Socialiste! Rroftë Zgjidhja! Faleminderit! Shumë faleminderit!