Një betejë e fortë që në disa moment kaloi deri në ekstrem u zhvillua gjatë javës së kaluar, mes dy aleatëve të mazhorancës qeverisëse. Duket se deklaratat aspak diplomatike por të lëshuara “tullë” nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani në emisionin e Sokol Ballës, nuk janë kapërdirë dot nga kryeminstri Rama.
“SYRI.net” ka mësuar, se që atë natë Rama i ka kërkuar Ilir Metës në mënyrë ultimative që ta tërheqë Manjanin nga kabineti, sepse ai nuk mund të punojë dot më me atë, asnjë ditë. Në të kundërtën do të jetë i detyruar që ta shkarkojë vetë. Menjëherë pas kësaj, ka plasur një luftë nervash dhe testimesh të forta mes dy bashkëkryetarëve. Rama i ka kërkuar Ilir Metës që gjithçka të kalohet butë nëpërmjet një dorëheqje normale, siç ndodhi me dy ministrat e tjerë të LSI-së, Nasip Naçon dhe Edmond Haxhinaston.
Por Ilir Meta ka dashur që nga e gjithë kjo situatë, të përfitojë sa të mundet. Ai nisi një operacion të gjerë mediatik me synim, që “kokën” e Manjanit të mos e shiste lirë, por ta shkëmbente me të atij që ka të paktën dy vjet që ja kërkon kryeministrit; të Saimir Tahirit. Por Rama është treguar kategorik që në fillim dhe nuk ka lëshuar pe për ministrin e tij më të besuar, me të cilin ndan shumë punë që duken, e ca që i dinë vetëm ata.
Atëherë Meta nisi një sulm frontal ndaj Tahirit duke e ngritur stekën, deri të ministri tjetër i tij në kabinetin e Ramës, Lefter Koka, i cili foli aq ashpër sa që habiti edhe opozitën. E gjitha kjo u shoqërua edhe me një lajm për një mbledhje të para dy muajve të numrit 2 të LSI Petrit Vasili, me ministrat dhe deputetët e kësaj force të cilët na qenkan porositur, që të kenë kujdes pasi Tahiri mund të arrijë deri aty sa tu fusë edhe drogë në makina.
Por Rama rezistoi këtë herë dhe nuk e hëngri presionin e Ilir Metës, pavarësisht se ai ishte i furishëm dhe i shoqëruar deri me kërcënimin serioz për largimin nga koalicioni që tani. Nata e mbrëmshme ka qenë edhe vendimtarja. Meta nëpërmjet Manjanit luajti edhe kartën e fundit, atë të paralajmërimit të një konferencë shtypi dhe pastaj anulimin “e papritur” të saj, për arsye shëndetësore.
Ai ka shpresuar deri në fund që Rama ashtu si në shumë raste të tjera do të zbythej dhe ose do të anulonte vendimin për heqjen e Manjanit, ose do të pranonte shkëmbimin e tij me Tahirin. Por këtë herë Rama nuk e hëngri as karremin, as presionin. Ultimatumi i tij për ikjen e butë nëpërmjet dorëheqjes të Ylli Manjanit, skadonte mbrëmë në orën 24.00. Në orën 1 pas mesnate, Manjani nga tavolina ku ishte me Ilir Metën njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale, se nuk kishte ndërmend të ikte vetë nga detyra.
Kjo ishte lëvizja dhe shpresa e fundit dëshpëruese e cila u shua sot paradite me vizitën e Ramës në zyrën e Metës. Ky i fundit për herë të parë në këto katër vite uli kokën, pranoi shkarkimin e Manjanit që nuk e gëzoi “i shkreti” as 3 muaj atë post dhe madje, nuk ju dha e drejta as për propozimin formal prej tij të emrit Petrit Vasilit. Në këto katër vite, kjo ishte përplasja më e madhe mes Metës dhe Ramës dhe këtë e fitoi bindshëm ky i fundit.
Nuk dihet ende nëse kjo është një tërheqje e përkohshme taktike e Ilir Metës, inati i të cilit njihet botërisht, apo Rama më në fund “ja ka futur këmbët në një këpucë”, për arsye që i dinë vetëm ata të dy. Gjithsesi Ilir Meta nuk është nga ata që dorëzohet kollaj për çfarë do arsyeje dhe një gjë është e sigurt; kjo pranverë politike ka për të qenë më e nxehtë se sa mendohej…
Syri.net