Në rifillimin e dialogut të nivelit të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës, më 24 janar në Bruksel, pala serbe do të përfaqësohet nga kryeministri Aleksandar Vuçiç dhe presidenti Tomislav Nikoliç. Lajmi u dha sot nga vetë Vuçiç. “Në takim këtë herë do të jetë edhe presidenti Tomisllav Nikoliç”, u shpreh Kryeministri në një konferencë shtypi.
“Për Serbinë – shtoi ai – gjëja më e rëndësishme është që të shmangë përplasjet dhe provokimet”.
Kryeministri serb tha se kishte besim në trendin e bisedimeve të ardhshme, të cilat zhvillohen pas krizës së thellë të fundjavës së shkuar, e ngjallur nga përpjekja e Serbisë për të rivendosur një linjë hekurudhore pas 18 vitesh me veriun me shumicë serbe, me anë të një treni që u nis nga Beogradi me mbishkrimin e “Kosova është Serbi” dhe shenja të tjera nacionaliste serbe.
Një nismë e dënuar fuqishëm, raporton “ANSA”.
Pjesë e delegacionit të Kosovës, përveç Kryeministrit Isa Mustafa do të jetë edhe Presidenti Hashim Thaçi. .
“Kryeministri Mustafa është në koordinim të vazhdueshëm me presidentin Thaçi për pjesëmarrjen në takimet e radhës në Bruksel”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Arban Abrashi.