Pas afro 1 ore të shoqëruar me debate, grupi parlamentar i PD ka vendosur në mbledhjen e sotme, që u mbajt pak para nisjes së punimeve të këtij viti të Kuvendit, për intensifikimin e luftës parlamentare në mbështetje të futjes së votimit elektronik, që sipas opozitës do të jetë garant i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Mbledhja, ku u diskutua për qëndrimin që do të mbante opozita përballë kundërshtimit të PS për futjen e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, u shoqërua me qëndrime “pro” dhe “kundër” të deputetëve demokratë për bojkot të Kuvendit si përgjigje ndaj refuzimit të socialistëve.
Në fjalën e tij deputeti Genc Ruli u shpreh se “ja vlen të shtyhen zgjedhjet, për të patur proces normal”. Për deputetin Aldo Bumçi: “Duhet të përgatisim variantin tonë. Nëse e nisim, ta përfundojmë. Duhet të kemi kujdes në vendimmarrje”.
Deputeti Spaho propozoi: “Të dalim nga parlamenti për presion”. “Përshkallëzim me bojkot dhe protesta”, tha deputeti tjetër Ristani.
Por deputetja Majlinda Bregu ka kundërshtuar mundësinë e bojkotit të Kuvendit nga ana e opozitës. “Jo 22 parti, por 52 të jenë aleatët tanë, barra është e jona. Unë nuk jam për të dalë nga parlamenti” ka thënë Bregu. Duke shtuar “A jemi të sigurt se jemi gati për protesta?”.
Për të mos bojkotuar Kuvendin ishte edhe deputetja Jozefina Topalli.
Ish-kryeministri Berisha propozoi që PD duhet të përdorë të gjithë potencial për të garantuar zgjedhje të lira parlamentare.
Sipas opozitës votimi dhe numërimi elektronik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është kërkesë e patejkalueshme.
Më herët gjatë ditës PD dhe aleatët e saj firmosen një memorandum për zgjedhje të lira. Memorandumi është firmosur edhe nga kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili ishte pjesëmarrës në mbledhjen e mbajtur në selinë blu të Bashës me aleatët.
PD kërkon që shumica të pranojë votimin dhe numërimin elektronik, por mazhoranca e refuzon me pretendimin se për këtë kërkohet mendimi i OSBE-ODHIR.
Më herët PD ka deklaruar se pa votim elektronik që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë zgjedhje në qershor.