Nga Boldnews.al
Që prej një vitit ai që konsiderohej televizoni më i madh në vend me lajmet deri diku të balancuara, po shkon drejt fundosjes dhe për këtë ka fajtorë në hije ose në dritë. Ato në hije e dinë vetë pasi kanë interesa të errëta financiare, ndërsa ato në dritë janë publik.
Me rikthimin e Sokol Ballës në krye të informacionit të Top-Channel, vija editoriale e këtij televizioni është shkrirë me pushtetin, kjo edhe për interesa tepër të ngushta financiare. Këtu mund të përmendim kioskat e Tiranës që administrohen nga familja Hoxha.
Por përveç kësaj, Top Channel po përdoret si vegël nga kryeministri Rama. Një nga edicionet më të shikuara deri dje në orën 19.30 është në venitje shikueshmërie nga rivalët e Klan-it të cilët parimisht në linjë proqeveritare janë po aq te ethshëm sa edhe TOP-i, por ama në identifikimin e lajmeve janë shumë herë më dinjitozë sesa kanali që dikur ishte në Top.
Mjafton të shikosh titullin që Sokol Balla ka përzgjedhur për të prezantuar lajmin e thirrjes së opozitës për emergjencat civile për të kuptuar derexhenë e një kanali. “Bora, opozita: Faji i qeverisë!” – është ndoshta një nga titujt më tallës të një drejtori informacioni që nuk synon vetëm poshtërimin e opozitës por edhe shërbimin deri në përkulje ndaj qeverisë.
Të tallesh me opozitën sikur kjo po ankohet për rënien e borës dhe të bëhesh palë me pushtetin, tregon se ky televizion nuk është më i qytetarëve të thjeshtë, i atyre që kërkojnë të shikojnë një lajm të paanshëm.
Top-Channel nuk është më një pronë private e atyre që e kanë marrë në përdorim atë ekran, që prej ditës që ky televizion ka një liçensë kombëtare. Liçensimi kombëtar i Top-Channel qe një mirënjohje dhe një nxitje për një ekran që fliste fort shqip në të gjitha trojet shqiptare dhe sot ka mbyllur byrotë e lajmeve në Kosovë e në Maqedoni sipas projektit pa projekt të Sokol Ballës.
Prej kohësh ka nisur fillimi i një fundi për perandorinë Top-Channel dhe duket se tashmë, ëndrra e Tanit të ndjerë pak nga pak po mbaron!…