Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh në Europë i kanabisit të rritur në natyrë. Plantacionet e mëdha janë përshkruar si “ari i gjelbër” i fermerëve të ndaluar. Në një vend të varfër kjo është një industri miliarda euroshe.
Në një rrugë të pashtruar, në një fshat të vogël në veri të Tiranës, ndodhet një shtëpi me tulla gjysmë e ndërtuar. Ajo qëndron vetëm dhe duket e braktisur. Aroma marramendëse që vjen nga një prej dhomave zbulon funksionin e saj aktual: prodhimin e kanabisit.
Brenda, më shumë se gjysma e dyshemesë është e mbuluar me gonxhet e thata të drogës.
“Këtu ka rreth 20 kg,” thotë njeriu që e zotëron atë. Ai është i ri, në fund të 20-tave ndoshta, i veshur me xhinse, një kanotiere të ngushtë dhe atlete. Ai është një nga mijëra personat që bëjnë para nga bumi i kanabisit.
Në Shqipëri, një kilogram i kësaj droge ilegale shitet mes 100 dhe 200 eurove. Në Itali ajo do të shkojë deri në 1.500 euro. Dhe shumica e kulturave të kanabisit trafikohet jashtë- në veri përmes Malit të Zi, në jug për në Greqi ose në perëndim përmes Adriatikut në Itali.
Në vend nuk ka treg të rëndësishëm. Sipas një burimi, industria e paligjshme mund të jetë me vlerë 5 miliardë euro në vit, rreth gjysma e GDP së Shqipërisë.
20 kilogramët e gjelbër që thahen ngadalë në rrezet e diellit që depërtojnë nëpër një dritare të hapur nuk përfaqësojnë prodhimin e tërë të këtij njeriu.
“Unë kam prodhuar 350 kg,” thotë ai. “Këtë vit pothuajse çdo shtëpi e vetme në fshat ka rritur kanabis, tonelata janë prodhuar në këtë komunitet të vetëm.”
Ky person punëson 15 njerëz për mbjelljen dhe rritjen, si dhe roje të armatosura për të mbrojtur prodhimin e tij. Ai thotë se është i ngarkuar këtu, por ai ndoshta i përket një rrjeti më të gjerë.
Pra, nëse të gjithë po e rrisin atë dhe kjo duket që dihet nga të gjithë, përse nuk ka pasur bastisje të policisë?
“Unë paguaj policinë me 20%. Të gjithë duhet të paguajnë. Nëse nuk paguan, ata do të të çojnë në burg,” thotë ai.
Pastaj ai merr pozicion mbrojtës. “Ky është mallkimi ynë-këtu nuk ka punë. Nuk mund të nxjerrësh para me asgjë tjetër. E di që nuk është gjë e mirë kjo që bëj, por nuk ka asnjë mënyrë tjetër”.
Për dekada me rradhë shqiptarët kanë jetuar nën një regjim ndëshkues dhe të mbyllur. Pastaj, pas rënies së komunizmit, erdhi një periudhë e shënuar nga trazira civile dhe rritje e shpejtë e krimit të organizuar.
25 vite më vonë, papunësia është ende e lartë dhe korrupsioni i përhapur-kushte që mundësojnë lulëzimin e tregtisë së kanabisit.
Qeveria ka arritur disa suksese në luftën kundër kësaj industri të paligjshme.. Thuhet se më shumë se 2 milionë bimë kanabis janë shkatërruar gjatë këtij viti dhe tani që sezoni i rritjes është mbyllur, policia është fokusuar në konfiskimin e drogës teksa është përgatitur për trafikimin jashtë Shqipërisë.
Disa nga ngarkesat kanë qenë të mëdha. Në një magazinë të madhe në qytetin e Rrëshenit, zhytur në ultësirën e maleve në veri të Tiranës, shtresë pas shtrese e kanabisit të tharë është hedhur jashtë në rrjeta.
Në dyshemenë e betonit, ka më shumë grumbuj të lartë të drogës. Thasët e saj shtrihen përreth dhe e derdhur brenda një furgoni tranzit me dyer të hapura.
Në mes të këtij deti me farë të keqe, me kapelen e leshtë të ulur poshtë, syzet e tij në fund të hundës dhe një armë në ije, është oficeri i ngarkuar i policisë, Agron Cullhaj, i cili e përshkruan atë si sasinë më të madhe të gjetur ndonjëherë në këtë zonë.
Në këtë vend ka më shumë se 4 ton kanabis, me një vlerë prej 6 milionë eurosh në rrugët e Italisë.
“Kur unë mora detyrën në vitin 2013, fillova të planifikoj aksione të mëdha kundër kultivim ilegal të kanabisit,” thotë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në misionin e tyre për të shpëtuar Shqipërinë nga kamxhiku i kanabisit, qeveria ka mbështetjen e Italisë. Guardia di Finanza paguan për mbikëqyrjen ajrore për të identifikuar plantacionet.
“Nga 2013 në 2016, shifrat tregojnë një rënie në më shumë se 30% në zonat shqiptare të kultivimit të kanabisit. Kjo do të thotë që ne jemi në rrugën e duhur,” thotë ministri Tahiri.
Rënia prej 30% ndodhi për shkak se operacioni madhor i policisë në vitin 2014, shkatërroi industrinë më të mirë të kanabisit të ngulitur në Lazarat, një fshat jugor, i cilësuar si dikur si kryeqyteti i drogës në Europë.
Në bastisje- duke përfshirë forcat speciale dhe automjetet e blinduara- shumë tonë kanabis u konfiskuan dhe mijëra bimë u shkatërruan.
Por në qoftë se ju krahasoni shifrat e italianëve për vitin 2015 dhe 2016, ata zbulojnë një rritje 5- fishe në zonën e kultivuar me kanabis. Burime brenda Shqipërisë thonë se shumë komunitete janë kthyer në prodhimin e drogës për herë të parë këtë vit..
Korrupsioni është kritik për suksesin e këtij biznesi të paligjshëm-diçka që Ministri i Brendshëm e pranon.
“Me siguri policët kanë qenë korruptuar,” thotë ai. “ Që nga dita ime e parë në detyrë, rreth 3000 oficerë policie janë nën hetime penale dhe disiplinore. Kjo është pothuajse 20% e të gjithë trupave.”
Jo të gjithë prej këtyre oficerëve kanë vjedhur nga kanabisi, mendoj. Korrupsioni në Shqipëri, rrjedh në shumë të cacra të jetës së përditshme.
Një tjetër arsye që tregtia e kanabisit është e vështirë të marrë fund është se paguan mirë-rreth 20 euro në ditë në disa vende.
“Si një kamerier unë paguhem vetëm sa një e treta e asaj që kam fituar me kanabis,” thotë një 20 vjeçar, prindërit e të cilit e kanë ndaluar të shkojë në punë kur zbuluan se çfarë ai po bënte.
Ai jeton në periferi të Tiranës, në një periferi ku familjet rurale migruan kur ngrehina komuniste u rrëzua në fillim të viteve 1990. Ata erdhën për të kërkuar punë, por më shumë se dy dekada më vonë është ende e vështirë të gjesh punë të rregullt, ligjore. Marijuana ka mbushur një boshllëk.
“Në orën 4 të mëngjesit sheh turma njerëzish jashtë duke shkuar në punë,” thotë i riu. “ rrugët janë plot gra, burra, të rinj madhe edhe fëmijë…”
Furgonët i dërgojnë punëtorët jashtë fshatit. Në sezonin e rritjes ata punojnë në plantacione. Pas të korrave ata përgatiten dhe paketojnë drogën për eksportin e saj të paligjshëm.
Kritikët thonë se janë këto punëtorë të përditshëm të cilët ka më shumë gjasa të kapen gjatë bastisjeve të policisë, ndërsa peshku i madh shpëton. Dhe nëse dikush i lidhur me krimin e organizuar është kapur, ka disa ndjekje penale për akuza të rënda, të tilla si anëtarësi në një rrjet kriminal.
Ministri Tahiri thotë se kjo nuk është e vërtetë. “Ne nuk kemi zgjedhur të shkojmë pas fshatarëve të cilët mbjellin zona të vogla për të vrarë varfërinë e tyre. Ne shkojmë pas atyre që në analizën tonë janë “peshq të mëdhenj”. Ne kemi rreth 1600 procedime penale në vazhdim dhe kemi bërë më shume se 400 arrestime, çka tregon se po shkojmë pas atyre që financojnë, organizojnë dhe përfitojnë nga ky biznes.”
Ka një shqetësim të përhapur në shumë anë në Shqipëri në lidhje me ndikimin më të madh të prodhimit të kanabisit dhe se si të rinjtë- ambiciozë dhe të paduruar për një jetë më të mirë- mund të binden që të mos përzihen.
“Ka shumë të rinj në burg. Unë mendoj se janë viktima,” thotë prifti katolik, at Gjergj Meta.
“ Shumë prej tyre, burra dhe gra-janë të bindur s mund të bëjnë shumë para. Pra, kultivimi i kanabisit nuk na jep ne një kulturë pune. Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata nuk shohin të ardhme…”
At Gjergji ka shkruar një letër që është botuar online dhe është bërë virale në Shqipëri. Ai ia adreson atë një të riu imagjinar.
“ Ju mund të mos jeni në gjendje për të lexuar këtë letër,” shkroi ai. “ Ndoshta ju po ruani kanabisin në fushë, po e përpunoni, po e fusni në thasë ose ndoshta ju jeni në burg…”
Pastaj në një prozë të bukur ai përshkruan se si historia e trazuar e Shqipërisë-komunizmi, kulti i njerëzve të fortë dhe krimi i organizuar-kanë reduktuar mundësitë.
Letra përfundon me një apel për të rinjtë që t’u kthejnë shpinën fushave me kanabis. Me pak alternativa, kjo është një lutje që mund të bjerë në vesh të shurdhër. /BBC/