Vetëm për dy gjëra ka menduar qeveria kur ka hartuar buxhetin për vitin tjetër; për të joshur qytetarët në këtë vit zgjedhor me rritje rrogash dhe pensionesh dhe për veten, duke planifikuar miliarda për zyrat, makinat dhe vilat qeveritare. Nga ana tjetër vijon shtrëngimi i investimeve kapitale, sidomos ato për infrastrukturën rrugore.
Në tabelën që pasqyron parashikimin e investimeve të brendshme sipas projekteve, vihet re që gjatë vitit 2017 qeveria do të mbështesë financiarisht vetëm ato projekte infrastrukturore kombëtare ekzistuese, por të cilat gjithsesi nuk do mund të mbyllen as në vitin që vjen. Ndërkohë që paralelisht ka mbajtur në nivele të larta mbështetjen financiare për ambiente më të mira. Dhe në këtë aspekt nuk bën përjashtim asnjë institucion duke nisur që nga Presidenca, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e varësisë, raporton Mapo.
Presidenca dhe Kuvendi
Sa i përket Presidencës, qeveria ka parashikuar vetëm financimin e një automjeti me vlerën e 5 milionë lekëve të rinj, ndërsa ka refuzuar të marrë në konsideratë kërkesat e saj për pajisje zyrash dhe kompjuterë. Ndërkohë që nuk ka ndodhur kështu me Kuvendin, i cili për vitin e ardhshëm do të ketë financimin e blerjes së automjeteve për institucionin në vlerën e 12 milionë lekëve. Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin e këtij institucioni nuk përcaktohet nëse bëhet fjalë për një automjet për kryetarin e Kuvendit apo për disa automjete për institucionin. Po ashtu për Kuvendin qeveria ka akorduar edhe 18 milionë lekë për blerje pajisje zyre.
Kryeministria
Një shumë të konsiderueshme për shpenzime operative qeveria ia ka dhënë edhe vetes së saj. Vlera totale për investime të brendshme për kryeministrinë shkon në 304 milion lekë të rinj. Ndërsa vlera e përgjithshme e kryeministrisë dhe institucioneve të vartësisë direkte të saj për shpenzime të brendshme shkon në 1 miliard e 41 milionë lekë, nga të cilat: rikonstruksion godine 108 milionë lekë, blerje pajisje 10 milionë lekë, ndërtimi i sistemit të sigurisë 50 milionë lekë dhe ndërtimi i sistemit të kondicionimit 53 milionë lekë. Ndërkohë që për ASPA-n janë akorduar 13 milionë lekë të rinj për rikonstruksion godine, pajisje zyrash dhe kondicionim.
Ministria e Brendshme
Një pjesë e madhe e fondeve për investime të brendshme i kanë përfituar ministritë, ku duket se sërish kampione është Ministria e Brendshme. Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2017 janë parashikuar blerje pajisje përgjimi për SHÇBA në vlerën 200 milionë lekë të rinj. Projekti ka filluar këtë vit ku janë akorduar 50 milionë lekë dhe duhet të mbyllej vitin e ardhshëm. Për vitin 2017 Ministria e Brendshme ka parashikuar të shpenzojë nga buxheti i vet plotë 50 milionë lekë.
Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin theksohet se pjesa e mbetur prej 100 milionë lekësh që duhet për të realizuar këtë projekt do duhet të kalojnë përtej vitit 2017. Jo vetëm kaq por në këtë projektbuxhet janë parashikuar edhe blerje programi për analizimin e informacionit SHÇBA në vlerën e 300 milionë lekëve, nga të cilat 100 milionë për vitin 2016 dhe 200 milionë për vitin 2017.
Gjithashtu, për këtë ministri është parashikuar edhe blerje kompjuteri dhe aparatit fotografik digjital për IKMT në vlerën e 120 milionë lekëve. Edhe kjo blerje ka nisur të bëhet në vitin 2016 gjatë të cilit janë akorduar 70 milionë lekë dhe duhet të përfundojë në vitin 2017 ku është parashikuar të paguhet dhe pjesa tjetër prej 50 milionë lekësh.
Në tabelë është pasqyruar edhe blerje automjetesh për SHÇBA në vlerën e 320 milionë lekëve, por parashikimi është që blerja e automjeteve të nisë në vitin 2018 dhe të përfundojë në vitin 2019. Për Ministrinë e Brendshme janë parashikuar edhe blerje pajisje zyre për Aparatin e Ministrisë me kosto totale prej 1 miliard e 720 milionë lekë, nga të cilat 780 milionë lekë janë dhënë gjatë vitit 2016 dhe 90 milionë janë parashikuar të jepen në vitin 2017, ndërkohë pjesa tjetër për vitet vijuese.
Ministritë e tjera MMSR
Një tjetër ministri që ka përfituar mbështetje buxhetore për shpenzime për rikonstruksion godine është edhe Ministria e Mirëqenies Sociale. Kështu në projektbuxhet është parashikuar rikonstruksion i pjesshëm i godinës së MMSR në vlerën e 300 milionë lekëve nga 500 milionë lekë që është i gjithë projekti.
Ndërkohë që MMSR ka kërkuar 300 milionë lekë për blerje automjetesh për aparatin, kërkesë e cila nuk është marrë parasysh për vitin e ardhshëm dhe do nisë të zbatohet në vitin 2018.
Po ashtu një nga inspektoratet në varësi të kësaj ministrie siç është ai i punës ka kërkuar 700 milionë lekë për blerje automjetesh për ISHP. Për Ministrinë e Mjedisit janë akorduar 60 milionë lekë të rinj, nga të cilat 50 për orendi dhe pajisje dhe 10 milionë për rikonstruksion godine.
Për Ministria e Energjisë janë dhënë 190 milionë lekë për rikonstruksion godine për vitin 2017 nga 330 milionë që është i gjithë projekti. Ministria e Financave ka akorduar gjithashtu një shumë të madhe lekësh edhe për nevojat e saj të brendshme, siç janë ato për pajisje zyre, kompjuterë etj.
Në projektbuxhet është parashikuar mbështetja financiare për rikonstruksionin e zyrave dhe rrjetit LAN të MoF në vlerën e 50,000 milionë lekëve të rinj, blerje pajisje zyre 4.3 milionë lekëve, blerje pajisje kompjuterike në vlerën e17 milionë lekëve, krijimin e një dhome konference në vlerën e 7.7 milionë lekëve, krijimin e një dhome e monitorimit dhe netëorku me vlerë 15 milionë.
Gjithashtu janë dhënë 39 milionë lekë për blerje pajisje zyre dhe elektronike për tatimet. Për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar mbështetja financiare për rikonstruksionin pjesor të godinës me vlerë 30 milionë lekë dhe blerje pajisje zyre dhe pajisje elektronike me vlerë 14 milionë lekë.
Ministria e Jashtme ka parashikuar blerje pajisje kompjuterike dhe zyre me vlerë 8 milionë lekë dhe rikonstruksion godine me vlerë 20 milionë. Ndërkohë për Ministrinë e Energjetikës janë dhënë 14 milionë lekë për modifikimin e sistemit ngrohje-ftohje dhe aspirim, 19 milionë për rikonstruksion godine dhe 4.5 milionë për blerje pajisje zyre dhe kompjuterike.