Nga Boldnews.al
Të dhënat e siguruara nga Boldnews.al tregojnë se një tjetër tender është fituar më 21 korrik të këtij viti, pa shumë zhurmë nga kompania në pronësi të motrës së Drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.
Bëhet fjalë për një tender të zhvilluar nga Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme që është në varësi të Bashkisë së Tiranës për “blerjen e sistemit të sigurisë me kamera”.
Sipas specifikimeve teknike të tenderit të fituar, në Drejtorinë e Konvikteve e cila përbëhej nga Konvikti i Ekonomikut, Konvikti i Hoteleri Turizmit dhe Konvikti i Elektrikut, do të vendoseshin 28 kamera të brendshme dhe 20 kamera të jashtme me një fond limit deri në 10 milionë lekë (të vjetra). Pas mbylljes së procedurave të prokurimit, fitues i këtij tenderi është shpallur kompania ADVANCED Sh.p.k me një ofertë prej 9.5 milion lekë (të vjetra) ose 95 % e fondit limit.
Kompania, ADVANCED Sh.p.k është nën pronësi të Edlira Hoxhës, motra e drejtorit të punëve publike në bashkinë Tiranë, Taulant Tusha, çfarë ngre pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi në procesin e prokurimit të kontratës. Kjo edhe për faktin, se Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme është nën varësinë e Bashkisë së Tiranës.
Ligji i konfliktit të interesit i vendos një kufizim të vazhdueshëm zyrtarëve të lartë të njësive të qeverisjes vendore dhe disa prej familjarëve të tyre, për sa i përket lidhjes së kontratave me institucione nën juridiksion.
Shtojca 7 e dokumenteve standarde të tenderit, e cila lidhet me deklaratën e konfliktit të interesit të operatorit ekonomik, parashikon se “zyrtar i nivelit të lartë drejtues të një njësie të qeverisjes vendore, ndalimi për shkak të interesave private të zyrtarit, të përcaktuara në këtë pikë, zbatohet vetëm në lidhjen e kontratave, sipas rastit, me bashkinë, komunën ose këshillin e qarkut, ku zyrtari ushtron këto funksione. Ky ndalim zbatohet edhe kur palë në kontratë është një institucion publik, në varësi të kësaj njësie,” siç është dhe Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme.
Sipas ekstraktit të QKR-së, kompania ADVANCED Sh.p.k është themeluar në shkurt të vitit 2008 me emrin ADVANCED SECURITY SYSTEMS, duke pasur si objekt të aktivitetit të saj projektet elektronike, sigurinë publike dhe instalimet e automatizuara. Ajo liston mes klientëve të saj disa nga kompanitë kryesore në Shqipëri si Vodafone, Telecom, Tirana Bank, Intesa San Paolo, Bankers Petroleum por edhe bashkinë e Tiranës nëpërmjet ECO Parking.
Akti i themelimit të kompanisë tregon se në fillim ka pasur katër aksionerë, të cilët kishin secili nga 25 % të aksioneve. Dy nga aksionerët, Viktor Mitrevski dhe Teodor Begov janë shtetas maqedonas, i treti ka qenë shtetasi grek Stefano Papazios dhe i katërti shtetasi shqiptar Taulant Tusha – i cili sot ushtron detyrën e drejtorit të punëve publike në bashkinë e Tiranës.
Me 8 maj 2008, Stefano Pazios dhe Taulant Tusha ia kanë shitur kuotat e tyre në kompani shtetases shqiptare Edlira Hoxha për 50 mijë lekë. Të dhënat e regjistrit civil dhe të aktit të shitjes tregojnë që Hoxha është motra e madhe e Taulant Tushës. Më vonë, në vitin 2010, Hoxha ka blerë dhe aksionet e dy ortakëve të tjerë maqedonas, duke u bërë pronarja e vetme e kompanisë. Në vitin 2013, kompania ka ndërruar emrin nga ADVANCED SECURITY SYSTEMS, në ADVANCED Sh.p.k.
Tusha është emëruar si drejtor i punëve publike në bashkinë Tiranë në shtator të vitit 2015, pas zgjedhjes në krye të bashkisë të Erion Veliajt. Më përpara, ai ka shërbyer si drejtor i shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë- nga tetori 2013 deri në shtator 2015, kohë kur Veliaj ka shërbyer si ministër.
Drejtoria e punëve publike është drejtoria më e rëndësishme në bashkinë Tiranë, duke përfshirë në përgjegjësitë e saj, përveç punëve publike dhe investimeve, prokurimet, transportin rrugor dhe emergjencat civile.
Ky është rasti i dytë kur motra e Tushës përfiton një tender nga Bashkia e Tiranës, pas tenderit të “Tirana Parking” që zbuloi BIRN pak ditë më parë.
*Në foto sipër Drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha.