Nga Artan Rama, “Publicus”
Në 24 tetor, Ministria e Kulturës, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i shpalli shoqëritë e ndërtimit “AGI KONS“ sh.p.k dhe “EDIL AL-IT“ sh.p.k, fitues në një tender të majmë! Njoftimi u bë publik në faqen e Agjencisë së Prokurimit në Web (dokumentet në fund të shkrimit).
Sipas njoftimit, ky bashkim operatorësh ishin identifikuar si ‘oferta e suksesshme’, në një procedurë ‘prokurimi të hapur’ me objekt “Rehabilitimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Ansamblit Popullor” me një shumë parash prej 998,862,862 lekësh, ose për ta bërë më të kuptueshme, pothuajse 10 miliardë lekë (të vjetra).
“Públicus”, investigoi këtë proces tenderimi, grumbulloi një numër dokumentash zyrtare dhe shqyrtoi legjislacionin përkatës mbi të cilin mbështeten praktikat e tenderimit për fondet publike.
Rezultatet e këtij investigimi vijojnë si më poshtë.
Në zbatim të Ligjit “Për Prokurimin Publik“, neni 45, ‘Mbi përjashtimin e ofertuesve‘ (bshkngj), ¬shoqëria “EDIL AL-IT“ sh.p.k duhet të përjashtohej nga pjesëmarrja sepse sipas këtij dokumenti (bshkngj), të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kjo shoqëri ka detyrime tatimore të papaguara në shumën 4,958,780 lekë!
Neni 45, pika dh, i jep të drejtën e përjashtimit autoritetit, nëse kompania nuk i ka përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve.
-“Nëse ju nuk paguani vlerën e plotë të detyrimit tatimor”, – thuhet në shkresë, “do të zbatohen procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore!” Ky dokument mban datën 13 korrik.
Ndërsa një muaj më pas, pra në muajin gusht, Ministria e Kulturës njoftoi çeljen e procedurave të prokurimit për Sallën e TKOB-it.
Në 29 gusht njoftimi u shpall në Buletinin e Njoftimeve Publike (bshkngj). Në garë për tenderin u paraqitën katër kompani.
Në fund, fitues u shpall “AGI KONS“ sh.p.k & ‘‘EDIL AL-IT‘‘ sh.p.k
Por në Manualin e “Dokumenteve Standarde të Procedurës së Hapur Punë“, në shtojcën 10, Ministria e Kulturës u kërkon ofertuesve të provojnë, përmes dokumentave, jo më parë se tre muaj, shlyerjen e detyrimeve fiskale.
Ndonëse procedura u mbyll në 23 shtator, në 13 korrik, shoqëria e ndërtimit “EDIL AL-IT“ sh.p.k.rezultonte debitore në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tatimpaguesit e Mëdhenj, me një vlerë prej 4,958,780 lekësh dhe si e tillë ajo nuk mund të klasifikohej fituese, nëse më parë nuk do shlyente detyrimet!
Pra Ministria ka thyer ligjin dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi!
Autoriteti duhet të verifikojë aktet në dosjen e tenderit dhe ka detyrimin të bëjë transparent dokumentacionin kualifikues për të kuptuar nëse fituesit e kanë merituar klasifikimin si të tillë.
Të tjera të dhëna tregojnë për mosrespektimin e ligjeve të tjera, siç lexohet më poshtë!
Po t’u hedhim një sy regjistrave tregtarë të kompanive fituese “AGI KONS” sh.p.k dhe ”EDIL AL-IT” sh.p.k (bshkngj), vëmë re se, në datën 22 shtator, pra vetëm një ditë përpara mbylljes zyrtare të afatit për dorëzimin e dokumentave, në të dyja ekstraktet e këtyre shoqërive, është shtuar: “rehabilitim dhe rikonstruksion i monumenteve arkitekturore të kategorive të ndryshme”.
Një veprim i tillë, është miratuar edhe nga asambletë përkatëse të shoqërive (bshkngj), çka, në pamje të parë, sugjeron për një licensë e cila nuk ka ekzistuar më parë (kjo provohet edhe prej shqyrtimit të ekstrakteve)!
Ndonëse një praktikë e tillë nuk pasqyrohet në regjistrat tregtare të kandidatëve të tjerë, është me interes fakti se, asambletë e dyja shoqërive janë mbledhur në të njëjtën datë: 22 shtator 2016! Por data 22 është dhe dita e fundit përpara se të dorëzohen dokumentet e tenderit!
Një numër ngjarjesh dhe përkimesh nuk mund të jenë kaq të rastësishme!
Bëhet fjalë për një veprim të qëllimshëm, me gjasë, që mund të ketë luajtur një rol kyç në rezultatin e garës!
Përse, të dyja kompanitë fituese, u regjistruan në QKR, vetëm disa orë përpara mbylljes së garës?
Si mund të merret një licensë, vetëm një ditë përpara një tenderi?!
Dhe përse një regjistrim i tillë nuk rezulton në asnjë prej kompanive të tjera, pjesëmarrëse në tender?
Po pyetja reale është, a kanë vërtet përvojë këto shoqëri ndërtimi për të restauruar apo rehabilituar godina të tilla, kur dihet se QKR-ja është thjesht një magazinë dokumentesh tregtare e nuk tregon domosdoshmërisht kapacitetet reale të shoqërive tregtare?
Ministria e Kulturës, znj.Mirela Kumbaro Furxhi, si Titullare e Autoriteti Kontraktor, duhet të japë një shpjegim publik për këtë!
Pallati i Kulturës është një vepër monumentale dhe historike.
Punimet për fillimin e ndërtimit u celebruan nga Nikita Hrushov, shefi sovjetik, i cili hodhi aty lopatën e parë.
Më tej sovjetikët projektuan sallën e teatrit së bashku me infrastrukturën përkatëse, por kur ndërtimi mbaroi, marrëdhënieve me sovjetikët u ishte vënë kazma!
Salla e re e Operas dhe Baletit u inagurua në vitin 1966 dhe qysh prej asaj kohe nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Ky është projekti i parë i rehabilitimi, pas inaugurimit 60 vjet më parë.
Shoqëritë shqiptare të ndërtimit nuk kanë asnjë përvojë për projektimin apo rehabilitimin e sallave teatrore, por mesa duket joshja që shkaktojnë fondet buxhetore përligj çdo veprim antiligjor dhe korruptiv.
Është i pashpjegueshëm fakti se, në ç’mënyrë autoritetet përzgjedhin dhe konceptojnë zhvillimin dhe dizenjimin urban; përmasat volumore dhe konceptimin e hapësirës publike!
Nga njëra anë kontraktohen kompani të huaja për një kënd lodrash (Hartimi i Master Planit për Këndin e Lodrave në Parkun e Liqenit) dhe nga ana tjetër përfshihen vetëm kompani shqiptare, pa asfare përvoje, për vepra kaq specifike, që do të justifikonin plotësisht zhvillimin e mundshëm të një konkursi me prani kompanish ndërkombëtare e përvojë direkte në ndërtimin e sallave teatrore!
Ndonëse “Shqipëria nuk ka eksperiencë në ndërtime skenash”, siç znj. ministre pohoi një vit më parë në Kuvend, kjo nuk i pengoi autoritetet që edhe projektimin e këtyre teatrove t’ua lënë studiove arkitekturore shqiptare, në mungesë të plotë ekspertize për projektimin e sallave të tilla.
Ne ende nuk kemi një studim publik, paraprak, mbi nevojën konkrete të këtyre sallave teatrore. Ne ende nuk e dimë se çfarë pritshmërish do të kemi në fund të zbatimit të projektit për rehabilitimin e tyre.
“Viti 2016 për kulturën do të jetë viti i kantiereve të mëdha!”
Pa dyshim që për shoqërinë e ndërtimit “EDIL AL-IT” sh.p.k, këto fjalë, pra fjalët e znj. Kumbaro, do të kishin një sens profetik, pasi tenderat për ngritjen e të dy teatrove kombëtare u fituan nga kjo kompani (të dytën, Sallën e TKOB-it, si bashkim operatorësh) me një vlerë financiare të përbashkët prej rreth, 1,3 miliardë lekësh.
Dhe me të vërtetë, kompania e ndërtimit “EDIL AL-IT” sh.p.k është shndërruar në një ‘kantier!’
Po si shpjegohet i tërë ky fat?
Në fakt, asgjë nuk është kaq e rastësishme, përsa kohë që bashkëshorti i ministres shpërblehet nga këta fitues tenderash!
I shoqi i Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi është një i punësuar nga Vizion Plus, aksionerët e të cilit janë ortakët e shoqërisë së ndërtimit “EDIL AL-IT“ sh.p.k, pra, të njëjtët pronarë!
Kështu, pagadhënësit e të shoqit, përfitojnë nga e shoqja shuma marramendëse prej fondeve publike!
Dhe faktet për një ‘konflikt faktik interesi’ vështirë se mund të hidhen poshtë. Sepse kjo marrëdhënie, kjo ndërthurje interesash është një konflikt ulëritës interesi.
Znj. Mirela Kumbaro Furxhi është dekretuar si ministre në shtator të vitit 2013, ndërsa i shoqi i saj, me cilësinë ‘si person i lidhur me një zyrtar’ është punësuar në televizionin Vizion Plus, një vit më pas, pra në tetor të vitit 2014.
Përgjatë vitit 2015, Ministria e Kulturës nuk kreu asnjë tender për punë publike me vlera financiare të mëdha.
Tenderimi i Sallës së Teatrit të Operas dhe Ansamblit Kombëtar, por edhe tenderimi i Sallës së Re të Teatrit Kombëtar në vitin 2016, ishin të parat dhe “EDIL AL-IT“ sh.p.k, u shpall fitues në të dyja!
Çuditërisht, disa javë më parë, begatia përfshiu dhe familjen Kumbaro-Furrxhi! Programi televiziv që i shoqi i ministres drejtonte në Vizion Plus, “fitoi” ‘prime time’, një brez kohe i lakmueshëm për çdo anëtar të komunitetit televiziv, ndonëse treguesit e marketingut nuk e justifikonin një vendimmarrje të tillë!
Sipas dokumenteve, paga që ai përfiton nga televizioni, arrin në disa miliona lekë, disa herë më e madhe se e bashkëshortes e cila gëzon statusin e anëtarit të qeverisë! Prej dy vitesh, të ardhurat ne buxhetin familjar të ministres ishin rritur dhe znj. Kumbaro-Furxhi ishte në dijeni se, i shoqi punonte e merrte rrogë nga të njëjtët pronarë që po merrnin pjesë në tenderat publikë të organizuar nga institucioni i saj!
Kështu, disa pyetje kërkojnë përgjigje.
Si ka mundësi që burri saj merr një rrogë, kaq të lartë, në një kompani që s’ka para të paguajë taksat?
A janë favorizuar punëdhënësit e bashkëshortit të ministres së kulturës për t’u shpallur fitues në procesin e tenderimit të fondeve nga taksat e shqiptarëve?
A nuk kemi të bëjmë me një përdorim personal të taksave të shqiptarëve për qëllime klienteliste me fitim të ndërsjelltë?
Ka shumë pyetje e pak përgjigje!
Në katër vite pushtet e propagandë një pakicë përfituese klienteliste po grabit taksat e shqiptarëve, duke u fshehur pas ndërtimeve, gjoja në emër të së mirës publike, pa përmendur këtu shifrat e fryra në raport me punën e afruar!
Ky grup i vogël, kjo klasë oligarkësh po rrëmben gjithçka, jo vetëm paratë, por edhe energjinë! Po rrëmben kurajon, dëshirën!
Me këto para, oligarkët financojnë media, duke u afruar vullnetarisht në shërbim të politikës dhe pushtetit të plaçkitjes.
Në katër vite qeverisje, kryeministri nuk ka shkelur në asnjë sallë teatri sepse atij nuk i intereson teatri, por fasada.
Dhe ndoshta, në ditën e inagurimit, mjeshtri i fasadës, nën drita të forta, do të hypë në skenë për ta përdorur atë. Ndaj sot e ngjyros me bojëra të ndezura: për të fshehur hijet që mbulojnë milionat, pikërisht, në emër të kësaj fasade.