Nga Boldnews.al
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka bërë sot një deklaratë ku ka vënë në dyshim votat e partisë së tij për kalimin e ligjit të mbetjeve pas kthimit që i bëri Presidenti Nishani në Parlament.
“LSI nuk ka qenë asnjëherë për një zgjidhje oportuniste, por gjithnjë ka qenë për një zgjidhje parimore. Prandaj ka këmbëngulur në një dialog të thelluar dhe në këtë situatë duhet një ekspertizë e thelluar nga Bashkimi Europian” u shpreh Meta.
Ndërkohë që theksoi se “shoqërimi i zbatimit të ligjit me një dyshim të përhershëm nuk është pozitiv për një shoqëri. Nuk jam naiv që të besoj se do të kemi gjithnjë konsensus, por besoj se sikurse drejtësia i takon të gjithëve edhe çështja e mjedisit, i takon jo vetëm shqiptarëve që jetojnë sot, por edhe atyre që do jetojnë nesër. Prandaj këmbëngul për një dialog shterues, një ekspertizë shteruese që japin të dhëna për të mos u kthyer më pas”, u shpreh kreu i LSI-së duke vënë në këtë mënyrë në dyshim kalimin e ligjit të mbetjeve. Një ligj që mbrohet fuqishëm nga kryeministri Edi Rama.
Por si duhet lexuar kjo lojë me dy porta e Ilir Metës, që nga njëra anë kërkon të fitojë simpatinë e qytetarëve që janë kundër ligjit, ndërsa nga ana tjetër ka votuar gjithnjë pro mbetjeve?
Ashtu si herën e fundit, kur në publik synoi të tregonte se ishte me qytetarët duke bërë një propozim qesharak që shoqëria civile të kontrollonte vetë mbetjet në dogana, dhe nga ana tjetër dha votat për ligjin e shumëdebatuar.
Ky “ndryshim strategjie” i Ilir Metës mund të lexohet si një shantazh i pastër që ai bën aleatit të tij të madh, Edi Ramës, në një moment ku PS dhe LSI ende nuk kanë rënë dakord për koalicionin e ri për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Një pakt ky, që Meta po e mban pezull prej kohësh duke deklaruar se po pret përgjigjen e forumeve të LSI-së, kur në fakt është vetë ky i fundit që vendos për gjithçka në parti.
Por marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës muajt e fundit të qeverisjes sa vijnë e po bëhen më të acaruara. Konfliktet mes tyre që kanë nisur që nga reforma në drejtësi, ku siç tha Ben Blushi, qeveria kishte rënë, e deri tek afrimi i tejskajshëm i Ramës me Idrizin.
Por në debatin për ligjin e mbetjeve, kreu i LSI-së ndihet dhe është tashmë faktor i rëndësishëm, pasi gjatë votimit ky ligj mori vetëm 63 vota dhe në këtë të votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë vendimtare për kalimin ose rrëzimin përfundimtar të këtij ligji.
Në këtë mënyrë, Meta i ka treguar “muskujt” Ramës dhe ka dy lëvizje për të luajtur.
E para, t’i kërkojë Ramës një pjesë më të madhe torte për zgjedhjet e ardhshme në këmbim të votave për ligjin e plehrave. Sa për t;u justifikuar para qytetarëve, LSI do të gjejë sërish një argument për t’u dukur sikur ishte pro tyre.
Dhe lëvizja e dytë, të mos japë votat për ligjin e plehrave, duke fituar pikë para elektoratit gri, por edhe duke i dhënë në këtë mënyrë një goditje poshtë brezit Edi Ramës.