Nga Boldnews.al
Marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe ish-mentorit të tij Koço Kokëdhima janë të prishura përfundimisht.
Kokëdhima nuk ka hezituar të sulmojë politikat e qeverisë nëpërmjet gazetës së tij “Shekulli”, ku shpeshherë ka hedhur akuza të rënda në drejtim të fenomenit të hashashit.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri e ka sulmuar publikisht Kokëdhimën, duke e cilësuar ish-deputetin e tij si pjesë të baltës.
Por Koço Kokëdhima nga ana e tij ka premtuar hakmarrje për braktisjen që i bëri Rama në humbjen e mandatit në Gjykatën Kushtetuese dhe ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga politika.
Dhe këtu hyn në lojë miku i tij i vjetër Ilir Meta.
Kokëdhima ka një miqësi të hershme me Metën, madje ishte edhe një nga kumbarët e aleancës Rama-Meta të 1 prillit të famshëm.
Tashmë që nuk do të jetë në listën e PS-së si kandidat për zgjedhjet e ardhshme, Kokëdhima synon të garojë nën siglën e LSI-së, po në qarkun e Vlorës.
Një kërkesë kjo që Meta nuk mund t’ia refuzojë mikut të tij, që së fundmi kanë shpeshtuar edhe takimet.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama duke ditur problemet që mund t’i hapë Kokëdhima në Vlorë (edhe zona e kryeministrit) ka bërë lëvizjen e tij të parë.
Në një takim që Rama ka pasur me Ilir Metën i ka kërkuar këtij të fundit që të mos pranojë asnjë deputet të pakënaqur të Partisë Socialiste që të kandidojë nën siglën e LSI-së.
Përveç rastit Kokëdhima, kjo lëvizje e Ramës vjen edhe si pasojë e disa deputetëve socialistë të pakënaqur me kryeministrin për mospërfshirjen në poste ministrore, por edhe ata që e shikojnë veten jashtë listave të zgjedhjeve të ardhshme, që do të kërkojnë të hakmerren duke shkuar te partia tjetër e majtë.
Dhe nuk është hera e parë që eksponentë të Partisë Socialiste kanë kaluar nga selia rozë në gjirin e Ilir Metës, disa janë shpërblyer edhe mirë (rasti i fundit ishte i Ylli Manjani).
Për këto arsye, Rama i ka dhënë një farë ultimatumi Metës se nuk do të tolerojë joshjen e deputetëve të tij nga LSI-ja dhe nëse ndodh atëherë marrëveshja mes dy partive do të rishikohet.
Por burime për Boldnews.al thonë se Meta nuk është trembur nga shantazhi i Ramës, por do t’i përdorë të pakënaqurit e PS-së për të kërkuar një pjesë të madhe torte në marrëveshjen e re të aleancës parazgjedhore ose si një as nën mëngë në rastin e një prishjeje përfundimtare me Edi Ramën.
Ndërkohë përplasja mes Ramës dhe Metës ka ardhur për afirmimin e PS-së me PDIU-në. Rama kërkon të zbehë rolin e LSI-së, duke i dhënë sa më pushtet PDIU-së, ndërsa Meta në vizitën e fundit në Athinë shigjetoi si Ramën duke e cilësuar si nacionalist, por dhe çamët, me të cilët pati edhe një përplasje në seancën e fundit parlamentare.
Loja e shahut mes dy aleatëve sapo ka nisur, dhe me hyrjen në skenë edhe të partisë së Ben Blushit parashikohet një vjeshtë me stuhi për të majtën shqiptare.