Erjon Selimaj e ka paralajmëruar tragjedinë e tij pak mua më parë por pavarësisht kësaj ai sërish po hidhet në rrugë nga Bashkia e Tiranës. Ndoshta jo i mitur si Arditi por pa njeri dhe i braktisur nga shteti që pas gjithë peripecive nuk gjeti një dorë ku të mund të kapej për t’i mbijetuar jetës së tij të vështirë.
I predispozuar për të qenë viktimë, njëherë e familjes së tij dhe më pas shoqërisë dhe shtetit, kësaj bashkie me plot politika sociale që nuk i gjen dot një strehë dhe një punë një 24-vjeçari pa askënd në këtë botë.
Erjon Selimaj, 24-vjeçari që sot kërcënon të hidhet nga vinçi, në muajin prill ngriti zërin për indiferencën e shtetit.
Në një rrëim në emisionin “Njerëz në Fokus” në News24 më 11 prill të këtij viti, 24-vjeçari nga Vlora ka rrëfyer historinë tragjike të jetës së tij. Ai ka qëndruar për një kohë të gjatë në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli” , pasi ka ardhur nga Vlora dhe është strehuar tek konviktet e Hoteleri-Turizëm në Tiranë.
Me një urdhër të fundit të bashkisë së Tiranës, jetimët mbi 18 vjeç duhet të largohen nga konvikti.
Erjoni tregoi se babai i tij dhunonte nënën, e cila nuk ka mundur të rezistojë dhe është larguar nga shtëpia.
“Kam 24 vjet që jetoj vetëm, që në moshën 1 vjeç. Jam rritur nëpër befotrofe, konvikte, në burgje. Babai im e dhunonte mamanë se ishte shumë xheloz dhe mamaja ime u detyrua të na braktiste të 3 ne si fëmijë dhe u largua. Babai na çoi në jetimore. Më vonë e tërhoqi vëllain tim të madh për ta mbajtur vetë dhe ai vdiq në 97-ën. Babai im pastaj kaloi në një gjendje…u sëmur dhe sot është në një spital psikiatrik”, tregonte në prill Erjoni.
Ai thotë se i ka përjetuar skenat e dhunës megjithëse i vogël. “Skenat e dhunës të babit në syrin tonë dhe në fshat. Sepse babai që atëherë ka pasur luhatje me sëmundjen, ishte me kartelë dhe e dhunonte nënën”, thotë ai.
Erjoni rrëfeu se babai nuk e ka lënë që ta adoptojnë. “Nga fshati unë përfundova në një befotrof me fëmijë të vegjël, foshnje. Vinin familje që të më adoptonin, mua nuk më la plaku që të ikja. Mua mu dha një mundësi që të ikja në Kanada. Pastaj pas brefotrofit, 7 vjeç erdha në shtëpinë e fëmijës në Tiranë, për të vazhduar shkollën. E mbarova 8-vjeçaren me rezultate shumë të mira pastaj ika në konviktin e Vlorës, tek shkolla tregtare me bursë nga shteti. Aty jeta e konviktit, edhe vetëm, jo libra, jo rroba nuk kisha mbështetje dhe u detyrova ta lija shkollën në vit të dytë. Pastaj përfundova në burg. Doja edhe unë si të gjithë njerëzit të kisha dhe unë lekë, të blija një çantë, një diçka se ma bënin njerëzit me gisht dhe mua më vinte rëndë dhe përfundova në burg. Vodha një kuletë. Kam bërë burg 4 herë, njëherë se vodha 2 paketa Slims”, rrëfen 24-vjeçari.
Ai thotë se prindërit nuk janë kujtuar asnjëherë për të, por ai donte ta ndihmonte babain.
“Jo, jo, prindërit e mi nuk janë kujtuar asnjëherë për mua. Unë jam kujtuar. Para 2 vitesh kam shkuar ta takoja babanë tim. Doja t’i krijoja jetesën babait, po rashë prapë në burg. E mendoja gjithmonë me vjedhje. Ashtu u rrita unë, u bëra kriminel. Nuk do vidhja bankë po ndonjë 5-milionsh. Më bluante mendja që duhet të bëja diçka që të ndihmoja babain. Se thosha ai është në vdekje dhe dua ta ndihmoj. Sot është 70 vjeç dhe është në spitalin e Psikiatrisë në Vlorë. U rifuta në burg. Dola dhe jam rehabilituar. Më 22 shtator 2015 dola nga burgu dhe gjithë këtë kohë jam marrë me babain, e çova në spital. Dola në televizor dhe kërkova ndihmë se nuk më ndihmonte asnjëri”, thotë ai.
Pavarësisht se ka kërkuar ndihmë, i riu që nga hallet është tashmë i vjetër, nuk ka marrë asnjë ndihmë.
“Kam folur me mamanë por nuk është i interesuar për mua. Ajo ndodhet në Itali, ka krijuar familje. Nuk ka kuptim të më marrë tani. Unë pres të më marrë. Por nuk mundohet as të më ndihmojë, asgjë, pavarësisht se e di se çfarë kam kaluar. Kam kërkuar ndihmë tek Prefektja, shërbimi social, kryetari i bashkisë, por asnjë nuk më ka ndihmuar. Dua ta marr babanë tim nga spitali, do shkoj tek kryetari i bashkisë të kërkoj një banesë që të strehohem me babain e të gjej një punë që të jetoj. Unë di të bëj shumë gjëra se më ka mësuar jeta. Si elektricist, hidraulik, di dhe gjuhë të huaja, anglisht dhe pak italisht. Kam kontaktuar edhe tek zyrat e punës, si bojaxhi po nuk më ka marrë njeri në punë”, tregoi Erjoni.
Megjithë peripecitë, ai thotë se ka shpresë. “Jam me shpresën që të më gjejë një punë, por halli më i madh dua një shtëpi. Nesër do martohem nuk dua të fus nuse në konvikt”, thotë Erjoni.
Kryebashiaku Leli reagon për rastin e Erjonit
Në lidhje me historinë e Erjonit ka folur edhe kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili të vetmen gjë që tha ishte se Erjoni kishte nevojë për trajtim me psikolog. “E kam takuar disa herë Erjonin, i kam ofruar mbështetje maksimale. Djali ka thënë versione të ndryshme të jetës së tij, ka nevojë për trajtim me psikolog.
“Çdo person në nevojë do ta ketë të hapur derën time, edhe Erjonit i kam ofruar strehim në konvikt, i kam ofruar t’i paguaj qiranë e shtëpisë por s’ka pranuar”, tha Leli më tej por pavarësisht kësaj 24-vjeçari sot gjendet në mes të 4 rrugëve.