Nga Boldnews.al
Dy personazhet më kryesorë të mazhorancës qeverisëse, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndodhen në siklet.
I pari po kritikohet nga të gjitha anët për kthimin e Shqipërisë në një Kolumbi të dytë. Tashmë jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët, siç ishte rasti i kryeprokurorit italian të Leçes, apo raportet e mediave të huaja. Ndërkohë që situata ekonomike në vend sa vazhdon e përkeqësohet.
Pasi nuk arriti ta largonte vëmendjen me mufkat e tij në Nish të Serbisë duke bërë rolin e patriotit, kryeministri ka ndryshuar strategji.
Ai paralajmëroi sot rritje pagash për mësuesit.
Ironia qëndron se pagat do të rriten vetëm në muajin mars, ndërsa kryeministri Rama i njoftoi ato 6 muaj përpara. Ndërsa pika e dytë është se pagat rriten vetëm tre muaj para zgjedhjeve.
Pra, pasi ka dështuar në çdo politikë qeverisëse, kryeministri ka vendosur ti gënjejë shqiptarët me rritje pagash për të marrë votat e tyre. Por kjo rritje pagash për sektorin shtetëror do të vijë me rritjen e taksave në sektorin privat.
Nga ana tjetër kryebashkiaku Veliaj i vënë në qendër të akuzave për vrasjen e Ardit Gjoklajt vendosi të mbyllë zërat mediatikë kritikë, siç ishte rasti i emisionit “Publicus” në Vizion Plus.
Por mbyllja e emisionit iu kthye në bumerang pasi emisioni u kthye viral në rrjetet sociale. Por pasi propaganda e tij si kryebashkiak që punon 24 orë nuk piu ujë, sot kishte lëshuar perlën e radhës.
Një nga mediat pranë tij kishte publikuar një sondazh. Autori i sondazhit ishte pikërisht miku i mazhorancës, Eduart Zaloshnja. Rezultati i sondazhit të porositur dihej, qytetarët e Tiranës ishin të kënaqur me punët e kryebashkiakut.
Këto dy lëvizje të Ramës dhe Veliajt tregojnë se ata tashmë janë vënë në siklet dhe po lëvizin çdo gur në fushën e shahut mediatik për të mashtruar sërish qytetarët.
Çështja është se Ramës dhe Veliajt nuk do t’u mjaftojë makijazhi mediatik për të mbuluar në njërin rast keqqeverisjen e vendit dhe në rastin tjetër harresën për vrasjen e Arditit.