Burime të mirëbesuara shprehen për Boldnews.al se Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është takuar këtë të mërkurë për rreth 30 minuta me kreun e Kuvendit, Ilir Meta. Burimet shtojnë se takimi është zhvilluar kokë më kokë në zyrën e kryeparlamentarit Ilir Meta, në Kryesinë e Kuvendit.
Takimi shihet si një përpjekje e Tahirit për të vendosur “paqe” me Ilir Metën dhe njëkohësisht për të tërhequr votat e LSI për projektligjin për sigurinë publike që është kthyer për shqyrtim nga presidenti Bujar Nishani.
Mazhoranca ka deklaruar më parë se do të rrëzojë dekretin e Presidentit, ndërsa LSI ka qenë kritike ndaj kësaj nisme që mban firmën e ministrit Tahiri.
Nisma Qeveria argumenton se ky ligj ka për qëllim marrjen e masave shtesë të sigurisë publike nga subjektet publike dhe private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, duke siguruar bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe këtyre subjekteve, me synim mbrojtjen e jetës, pronës, dhe garantimin e sigurisë publike.
LSI në atë kohë do të shprehte kritika për koston që mund t’I shtohej bizneseve, por edhe qytetarëve të cilët punojnë me autobusa apo si taksi.