Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe “Vetingu”, pritet të shoqërohet me përplasje të forta politike gjatë diskutimit në Komisionin e Kuvendit të Shqipërisë. Procesi më i rëndësishëm i Reformës në Drejtësi ka vënë palët në llogore të ashpra. Partia Socialiste pretendon se ka gjetur zgjidhjen më të mirë për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga korrupsioni. Ndërsa opozita mbështet idenë se “vetingu” do të realizohet nëpërmjet institucioneve nën ndikimin e kryeministrit.
Në vërejtjen e saj përfundimtare për projekt-ligjin, ekspertët e opozitës kundërshtojnë rolin kontrolluesit të institucioneve nën varësinë direkte të kryeministrit dhe qeverisë; Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme (SHÇBS). Por, në këtë aradhë institucionesh, opozita rendit edhe një institucion, i cili është i pavarur me ligj, por që nuk rezulton i tillë për Partinë Demokratike. Ai është Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj.
Zgjedhja e kryeinspektorit të Pasurive Ganaj, në Shkurt 2014, nëpërmjet një procedure aspak normale, u kontestua që në krye të herës nga ana e opozitës së djathtë. Në vijim, Partia Demokratike ka evidentuar shpesh faktin që ky institucion është shndërruar në një lloj arme presioni në duart e kryeministrit për të goditur përfaqësues të opozitës dhe gjyqtarë që nuk përmbushnin kërkesat e maxhorancës.
“Boldnews.al” raporton se përplasja e parë e hapur me Partisë Demokratike me këtë institucion të pavarur ishte në Prill 2015, kur ILDKPKI kallëzoi penalisht për “fshehje pasurie” Ridvan Boden, ish-ministrin e Financave të qeverisë “Berisha”. Në një deklaratë publike shpërndarë në Prill 2015, Partia Demokratike shprehej, ndër të tjera se, “Instrumentat e kapura të ILDKP-së shërbyen sot një porosi politike të Edi Ramës, duke sulmuar opozitën. Nuk ka asgjë të vërtetë në atë çfarë deklaron ILDKP-ja për zotin Ridvan Bode”. Në fakt, ky qëndrim i opozitës u konfirmua më shumë se një vit më pas edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila arriti në përfundimin se Bode nuk kishte kryer vepër penale. ILDKP nuk e ka ankimuar në gjykatë vendimin e pushimit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke pranuar në këtë mënyrë verdiktin e Prokurorisë dhe rrjedhimisht edhe faktin që kallëzimi për Boden nuk qëndron.
Por kallëzimi ndaj Bodes nuk ishte i vetmi që bindi PD-në se Shkëlqim Ganaj po lunate lojën e qeverisë. Disa kallëzime me radhë për figura kryesore publike dhe të drejtësisë, dukej se kishin si orientim qëndrimet e kryeministrit. Për Edi Ramën, drejtësia kishte si simbol të korrupsionit gjyqtarin e Apelit të Tiranës dhe njëkohësisht anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjonin. Ndaj këtij të fundit nisi një fushatë e ashpër mediatike. Nuk mund të mungonte as Inspektorati i drejtuar nga Ganaj, i cili dorëzoi shumë shpejt një kallëzim për fshehje pasurie ndaj gjyqtarit Gjoni. Ky i fundit, ndër argumentat e tij mbrojtës për pasurinë, u shpreh në publik se për të plotësuar deklaratat e pasurisë është asistuar ndër vite nga vetë Ganaj, i cili ishte në detyrën e inspektorit kontrollues para se të bëhej drejtues, raporton “Boldnews.al”.
Njëlloj si një rastin e Bodes, edhe kallëzimi ndaj Gjin Gjonit nuk mundi të përfundojë një gjykatë. Prokuroria e Elbasanit e mbylli hetimin, pasi nuk mund të zbulonte brenda afateve proceduriale shkeljen e pretenduar nga ILDKP. Sërish, Ganaj nuk e vlerësoi të ankimonte në gjykatë vendimin e pushimit të Prokurorisë. Gjithësesi, ai e shprehur revoltën e tij para Komisionit të Ligjeve, ku etiketoi me një fjalor tërësisht jashtë institucional prokurorët, prokurorinë dhe gjykatën. Si një jurist me përvojë, ai e dinte shumë mirë se reagimi i domosdoshëm ishte ankimi në gjykatë. Por preferoi të prezantohej i revoltuar para komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafa, i cili njihet edhe si “mentor” i Shkëlqim Ganajt. Pjesa më e madhe e stafit të rinovuar me ardhjen e Ganajt në krye të ILDKPKI janë “porosi të Xhafës” dhe ky i fundit i ka krijuar hapësirën e plotë që Ganaj të bëhet faktor. Raporti i ngushtë ndërmjet tyre konfirmohet edhe në vijim, kur ILDKPKI plotëson një tjetër “porosi”, një kallëzim penal kundër Alaudin Malajt, kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë. Malaj, një njohje e vjetër e Ganajt, për më tepër edhe me lidhje familjare, e kishte të qartë se kallëzimi për “fshehje pasurie” kundër tij ishte pjesë e lojës që po zhvillohej për garën për kreun e Apelit të Tiranës. Xhafa dhe forca e tij politike përkrahnin një kandidaturë të ndryshme nga ajo e Malajt për drejtimin e gjykatës së Apelit më të rëndësishme në Shqipëri. Nga ana e tij, Malaj kishte mbështetje të fuqishme në radhët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe, për këtë arsye, kërkohej një forcë e jashtme për të goditur Malajn. U gjet sërish Ganaj, i cili dorëzoi emrin e tij në Prokurori. Njëlloj si në pjesën më të madhe të rasteve, ILDKPKI u rrëzua nga Prokuroria edhe në këtë rast. Prokuroria e Durrësit nuk gjeti elementë penale në kallëzimin e dorëzuar nga Ganaj kundër Alaudin Malajt, por gjithësesi ky i fundit nuk u rikonfirmua në krye të Apelit. Ashtu siç nuk arriti të fitonte as i mbështeturi nga Fatmir Xhafa.
Të gjitha këto lëvizje të kreut të Inspektoratit të Pasurive kanë konsoliduar qëndrimin e opozitës se Shkëlqim Ganaj është vegël në duart e kryeministrit dhe të maxhorancës. Për opozitën, institucioni i drejtuar prej tij nuk duhet të ketë rol kryesor në “vetingun” e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këto qëndrime, Partia Demokratike i ka shprehur në të paktën tre raste, gjatë diskutimit për Reformën në Drejtësi.
Në Dhjetor 2015, në Opinionin e Dytë drejtuar Komisionit të Venecias, Partia Demokratike shprehet ndër të tjera: “…Fakti që ILDKP do vijojë të ushtrojë veprimtarinë e tij përcaktohet edhe në dispozitat e Ankesit bashkëlidhur këtyre Amendamenteve (shiko Nenin D). Këtu duhet kujtuar edhe lëvizja e mazhorancës qeverisëse në vitin 2014 për vënien në kontroll të ILDKPI, duke ndryshuar ligjin dhe duke emëruar me forcë njëInspektor të ri të Përgjithshëm”…
Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, të datës 23 maj 2016, Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike, thotë se “…ajo që është më shqetësuese, është përfshirja në procesin e vetingut e institucioneve si ILKDP-ja apo të dhënat që do të merren në lidhje me një të kaluar jo të përshtatshme në raport me individë problematikë, qoftë edhe me rekorde kriminale që do të merren nga Policia e Shtetit. Të dyja këto japin mundësinë që qeveria të ketë akses dhe të dominojë procesin….E dimë shumë mirë që ILDKP-ja është një organ shumë i politizuar dhe për fat të keq është kjo maxhorancë që me një votim antikushtetues ka bërë të mundur që kjo të ndodhë. ….
Pak ditë pas miratimit të Kushtetutës, konkretisht në fillim të muajit Gusht, Partia Demokratike prezantoi 10 vërejtje për projekt-ligjin për “vetingun”. Shqetësimi për pozitën e kontrolluar politikisht të ILDKPKI nga ana e maxhorancës renditet e treta nga shqetësimet. Sipas opozitës, “…roli aktiv dhe përcaktues që kanë organet e kontrolluara apo nën varësinë e kryeministrit (ILDKPKI dhe DSIK) pas-sjell kontroll tërësor të kryeministrit në dy nga tre komponentët përbërës të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve…”
Pra, duket qartë se për opozitën është e papranueshme që ILDKPKI dhe sidomos drejtuesi i saj aktual, Shkëlqim Ganaj, të kenë rol vendimtar në vetingut e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Drejtuesi i atij institucioni të pavarur duket se nuk ka asnjë lloj legjitimiteti për t’u përfshirë në mekanizmin më të rëndësishëm për të siguruar pastrimin e sistemit të drejtësisë në mënyrë të paanshme.