Nga Boldnews.al
Ambjenti nëntokë, dikur një pub i frekuentuar në zonën ish-bllokut është në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliut. Pikërisht ky ish pub është përdorur për 2 ditë rresht për të realizuar grabitjen e degës së bankës BKT-së, mesnatën e 6 gushtit.
Burime për Boldnews.al konfirmojnë pronësinë e Irfan Hysenbelliut mbi këtë objekt por që u tentua të maskohej nga policia duke thënë se ishte dhënë me qira prej 3 muajsh.
Edhe mediat nuk e raportuan se ky ish pub i përdorur për grabitjen e një banke është në pronësi të biznesmenit shqiptar. Kjo pasi Irfan Hysenbelliu zotëron Focus Group, një shoqëri e përbërë nga televizioni News 24, Gazeta “Panorama”, Gazeta “Shqiptare”, Radio Rash dhe faqja e web-it Balkanweb.com. Një lajm kundër interesave të Irfan Hysenbelliut do të shkaktonte një furtunë sulmesh, ku do të angazhohej e gjithë armata e tij mediatike.
Pak para mesnatës së 6 gushtit, dega e BKT-së në zonën e ish-bllokut u grabit në një skenar që i përngjan filmave aksion. Persona të paidentifikuar hapën një vrimë në murin që ndan bankën me ish pub-in në pronësi të Hysenbelliut dhe më pas hynë në ambjentin e brendshëm të bankës. Grabitësit hapën një tjetër një vrimë në murin prej betoni të kasafortës së bankës. Si pasojë janë në dhomën kasafortë është grabitur shuma prej 190 milion lekëve.
Bazuar në kontrollin e ambjentit rrethues të bankës rezulton se autorët fillimisht kanë ndërruar fishekun e derës se ish pub-it dhe që aty kanë hyrë brenda. Pikëpyetje ngrihen sesi këta grabitës kanë hyrë në fillim në këtë ambjentë pasi 3-4 metra më tutje ndodhen edhe rojet private të biznesmenit Irfan Hysenbelliu.
Pasi kanë ndryshuar bravën, grabitësit kanë shkuar dhe kanë vepruar ne faqen e nje muri por pasi kanë hasur në beton e kanë lënë atë duke shkuar në faqen e murit prej tulle, nga ku kanë hapur një vrimë për të hyrë lirshëm një trup njeriu. Pasi kanë hyrë në ambjentin e brendshëm të bankës BKT ku ishte dhe dhoma kasaforte kanë vepruar me mjete pune (çekiç, dalte, kriko) tek muri prej betoni i dhomës kasafortë.
Veprimet e autoreve për përgatitjen e grabitjes janë në datën 05 dhe 06 gusht. Veprimin përfundimtar ata e kanë kryer me daten 06 gusht në orën 23:13 dhe kanë dalë në orën 23:19, pra në një kohë rekord prej 6 minutash.
Dyshime të forta ngrihen sesi autorët e kësaj ngjarjeje kriminale kanë shfrytëzuar këtë ambjent në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu, në një kohë që kjo zonë është jashtëzakonisht e frekuentuar dhe e mirësurvejuar qoftë nga policia e shtetit por edhe nga punonjës të policisë private.