Nga Boldnews. al
Republika e Shqipërisë “zyrtarisht” është kthyer në noter të projekteve kushtetuese dhe ligjore ndërkombëtare.
Parlamenti shqiptar miratoi me 100 për qind të votave Reformën në Drejtësi, pavarësisht se shumica absolute e tyre nuk e dinë se çfarë kanë votuar. Njëlloj si qytetarët, që duan reformën në drejtësi, por nuk dinë të lexojnë nenet e reja kushtetuese, edhe deputetët duket se janë në të njëjtën varkë me ata që i kanë votuar; nuk e kuptojnë çfarë është shkruar. Mjaftonte që t’u plotësohej dëshira ndërkombëtarëve.
Edhe këto ditë, deputetët po presin mesazhin në telefonat e tyre për të votuar 7 ligjet që mbështesin ndryshimet kushtetuese. Sërish, nuk e dinë se çfarë është shkruar në nenet e këtyre ligjeve. E rëndësishme është që e kanë shkruar disa ndërkombëtarë dhe kjo mjafton që të gjithë të paraqiten në sallën e Kuvendit dhe të votojnë pro qorrazi.
Parlamentin Shqiptar e ka kapur një ritëm jo-tipik veror për të miratuar çdo ndryshim në sistemin e drejtësisë. Të nxitur nga ekspertët ndërkombëtarë, deputetët që po përgatiten të nisin pushimet verore, janë në pritje të thirjes së fundit për këtë sezon. Do të votojnë ligjet që i japin jetë Republikës së V dhe, pavarësisht se është moment historik, të gjithë janë të çoroditur.
Arsyeja e këtij turravrapi për të ndryshuar shtetin duket se nuk lidhet aspak me vullnetin e politik-bërësve shqiptarë për të forcuar shtetin ligjor. Përtej ligjërimit publik, qytetarët e kuptuan lehtësisht se asnjë forcë politike nuk kishte as dëshirën më të vogël për të miratuar Reformën në Drejtësi. Por lëvizjet e ngutshme të ambasadorit amerikan dhe Bashkimit Europian detyruan liderët politikë të pranonin ndryshimet kushtetuese, që ndryshojnë rrënjësisht sistemin aktual kushtetues dhe të drejtësisë.
Ambasadori amerikan vuri kusht datën 21 korrik për të votuar Kushtetutën e Re. Në Uashington ishin lëvruar disa milionë dollarë për të implementuar Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Nëse ndryshimet nuk miratoheshin brenda korrikut 2016, fondi amerikan digjej. Pra, Kushtetuta duhej miratuar, me qëllim që fondet amerikane për trajnim të mos riktheheshin në buxhetin e tyre.
Kushtetuta u miratua dhe fondet amerikane pritet të lëvrohen. Ndërkohë, është ende pezull fondi disa-milionë eurosh i Bashkimit Europian. Diplomatët e Brukselit në Tiranë e dinë që këto fonde do të digjen, nëse ligji mbi vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Vetingu, nuk kalon në korrik. Për këtë arsye, ditën e mërkurë, delegacioni i BE-së në Tiranë njoftoi se ekspertët e EURALIUS-it kanë punuar gjithë natën për të përfunduar projekt-ligjin, i cili, sipas tyre, duhet të kalojë të enjten në Parlament. Janë sërish fonde të Bashkimit Europian, të cilat do të shpërndahen për asistencë ligjore, pra për trajnimin e strukturave të reja.
Dhe, natyrisht, që këto fonde të bëhen efektive për ekspertët e huaj, duhet që deputetët shqiptarë të miratojnë ligjet implementuese të Reformës.
Janë 7 ligje, të cilët duhen miratuar për të bërë efektive Kushtetutën e Re. Natyrisht, janë shumë të rëndësishëm dhe për këtë arsye duhen diskutuar, debatuar dhe arritur në zgjidhjet më të mira. Ky proces kërkon kohën e tij, pasi projekt-ligjet deri më tani janë shqyrtuar vetëm nga maxhoranca në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Por, mesa duket, elementi “kohë” përbën një shqetësim të madh për delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë. Ekspertët e saj janë shumë të interesuar që fondi i Brukselit të lëvrohet, pasi përfitimi i tyre do të jetë i drejtpërdrejtë. Me këtë synim, ekspertët e BE-së në Shqipëri sugjerojnë që të miratohen disa ligje, të cilët për momentin nuk kanë bazë kushtetuese. Ligji i ri themeltar hyn në fuqi pas 15 ditësh, por ky afat shkon kundër interesave financiare të ekspertëve. Ndaj, duhet bërë gjithçka që ligjet, më së pakti ai i Vettingut, të miratohet këtë javë.
Deputetët shqiptarë, të cilët informacionin kryesor e marrin nga media, janë në pritje që të thirren për të ngritur kartonin jeshil. Nuk përbën problem se nuk e kanë lexuar asnjëherë, mjafton të përfundojnë një proces rraskapitës, nga i cili përfitojnë ekspertët e huaj. Përfundimisht, institucioni më i lartë, ligjvënësi, është shndërruar në një institucion qesharak, i cili ndryshoi themelet e Republikës, pa e ditur se çfarë ndryshoi. Tashmë mbetet të shpresojmë që amendimet e Kushtetutës do të jenë efikase.
(Boldnews)