Nga Boldnews.al
Shqipëria është ngritur e lehtësuar të premten, pasi u miratua me konsensus të plotë Kushtetuta e re e vendit, duke shmangur çdo skenar krize të fortë politike dhe sociale. Palët politike e cilësuan si “arritje historike”, publiku në rrjete sociale dhe emisione televizive është akoma më i ekzaltuar. Pra, të gjithë janë të lumtur, por në fakt shumëkush ka dalë i humbur nga një proces i gjatë diskutimesh, negociatash, draftesh e kundër-draftesh.
Të parët që kanë dalë të humbur janë ata që gjithnjë kanë zënë pozicionin e fundit; qytetarët. Fjalimet populiste e kanë bindur opinionin se Reforma në Drejtësi do të sjellë mirëqënien për popullin, i cili vijon të jetë nën ngërçin e fortë të krizës ekonomike. Qytetarët vijojnë të kenë probleme para dyerve të drejtësisë dhe e shohin reformës si fundin e rraskapitjes së tyre dërrmuese para gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, e vërteta mund të rezultojë sërish ndryshe. Nenet kushtetuese dhe më tej ato për ligjet mbështetëse, kanë një kujdes të tepruar për të ruajtur status-quo-në “politikë-drejtësi”. Edhe negociatat përfundimtare e dëshmuan se palët politike që vendosin për sistemin e drejtësisë, synuan të merrnin sa më shumë konçensione për llogoret e tyre partiake. I gjithë diskutimi politik, publik, mediatik dhe populist u përqëndrua tek roli i partive në zgjedhjen e titullarëve të drejtësisë. Publiku, nëse do të ketë përfitime nga ky proces, ka mundësi t’i shijojë ato pas shumë vitesh. Pra, qytetarët do të vijojnë të jenë humbës, megjithëse ata po tregohen sot më të entuziazmuarit nga ndryshimet kushtetuese.
Politika është e dyta humbëse e madhe në procesin e Reformës në Drejtësi. Jo për pasojat që do t’i vijnë asaj prej sistemit të drejtësisë. Kjo, nëse ndodh, do të përkojë me kohën kur publiku do të ketë përfitimet e reformës. Pra, pas një kohe ende të papërcaktuar. Por politika rezultoi e humbur, pa moral dhe pa “shtyllë kurrizore”, përballë optikës së faktorit ndërkombëtar. Shumëkush këto javët e fundit është bindur se “kryeministri u bë ambasador dhe ambasadori u bë kryeministër”. Për të arritur qëllimin e tij, kryeministri Edi Rama zgjodhi të zhvillojë betejën e tij, duke i lënë terren të lirë ambasadorit amerikan, Donald Lu, për të udhëhequr fushatën pro-reformë. Kjo strategji e kryeministrit mund të duket si fituese, për faktin se projekti u miratua. Megjithatë, publiku shqiptar kuptoi se ka votuar një njeri, i cili nuk arrin të bindë qytetarët për zgjedhjet e tij. Pa mbështetjen e ambasadorit amerikan dhe koleges së tij të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, kryeministri sot mund të ishte duke shijuar pushimet larg pushtetit.
Edhe opozita rezulton humbëse gjithashtu. Ajo ka dëshmuar një mungesë koherence në pjesën më të madhe të procesit dhe vetëm në fund mori rolin aktiv. Angazhimi i ditëve të fundit i dha asaj disa fitore, të cilat mund t’i kishte fituar që në ditët e para. Për më tepër, falë angazhimit të tepruar të ambasadorit Donald Lu, opozitës iu atashua, jo gjithnjë me të drejtë, vula e “antiamerikanizmit”.
Ilir Meta dhe LSI-ja e tij arritën të merrnin maksimumin nga diskutimet për Reformën në Drejtësi. Roli i Metës ishte vendimtar në 3-4 ditët e fundit para miratimit të draftit kushtetues. Por humbja e Metës duhet verifikuar në vijim. Ai e di shumë mirë se efektet e reformës në drejtësi mund të godasin më së pari atë vetë, politikisht dhe individualisht. Diçka të tillë e pranoi edhe vetë, në një prej daljet e fundit publike.
Faktori parlamentar, i gjithi, humbi legjitimitetin para publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë. Presioni ndërkombëtar, sidomos ai i ambasadës amerikane në Tiranë, i ktheu të gjithë deputetët në marioneta. Deputetët pranuan, pa asnjë reagim, në telefonat e tyre mbërriti një mesazh nga ambasada amerikane, që të paraqiteshin në orën 11.00 të së enjtes, për të marrë penalizimin nëse nuk votonin reformën.
E megjithatë, të gjithë faktorët politikë, dalin para kamerave dhe festojnë fitoren. Një fitore, e cila vetëm e tillë nuk është, pasi shumica prej deputetëve as nuk e dinë se çfarë kanë votuar. Për më tepër, as nuk u intereson që drejtësia të fitojë pavarësinë nga politika.
Të humburit e radhës janë gjyqtarët dhe prokurorët. Gjatë 20 muajve të fundit ata janë “demonizuar” nga fjalimet politike dhe publike. Në fakt, ky “demonizim” përputhet edhe me perceptimin e publikut për korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Por reforma, e miratuar me konsensus të plotë politik, pritet të ketë pasoja mbi një pjesë të madhe të tyre. Të gjithë do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit profesional dhe të pasurisë. Natyrisht, kjo do të sjellë pështjellime tek ata dhe në vetë sistemin e drejtësisë. Publiku dhe media shpreson që procesi i rivlerësimit të jetë korrekt dhe të zbulojë të vërtetën e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Por ky proces mund të krijojë edhe përplasje të forta ose vlerësime sipas vullnetit politik, pasi kjo e fundit do të vijojë të ketë fuqi vendimmarrëse mbi karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Media dhe shoqëria civile rezultojnë humbëse në këtë proces. Pavarësisht se janë paguar për të mbajtur qëndrime të caktuara editoriale, ato vijojnë të jenë në llogore politike. Interesi publik për median dhe shoqërinë civile duket se është i parëndësishëm.
Ambasadorët kryesorë në Tiranë, Lu dhe Vlahutin, pasi një pune të madhe për draftin e Reformës në Drejtësi, e panë se si ngrehina e tyre disa-mujore u rrëzua nga shefat përkatës, Viktoria Nuland dhe Johanes Hahn. Humbës të dy, ambasadorët po mundohen të marrin sa më shumë “fryte” nga miratimi i Reformës, për të mos e mbyllur këtu karrierën diplomatike.
Fituesit e vetëm duket se janë ekspertët ndërkombëtarë. Administrata amerikane ka lëvruar një fond prej disa milionë dollarësh për trajnime lidhur me implementimin e Reformës në Drejtësi. Këto fonde, natyrisht do të shpërndahen në projektet fituese ndërkombëtare që do të asistojnë institucionet shqiptare për forcimin e drejtësisë në vëndin tonë.
Gjithësesi, duke marrë edhe disa nota optimizmi, miratimi i Reformës në Drejtësi, do t’i shërbejë Shqipërisë për të marrë pas disa muajsh statusin kandidat për në Bashkimin Europian. Është një hap tjetër drejt Unionit, por që rruga vijon të jetë shumë e gjatë dhe frytet do të merren shumë vonë. Të shpresojmë që, deri sa Shqipëria të bëhet gati, Bashkimi Europian të vijojë të ekzistojë.