Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani konfirmoi atë që tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi mbrëmjen e sotme se palët kishin rënë dakord për mënyrën se si do të votohej në të gjitha institucionet e drejtësisë.
Sipas Manjanit, në mbledhjen e së hënës kishte pyetur për këtë çështje dhe si negociatori Bylykbashi ashtu edhe negociatori socialist Agaçi, kishin konfirmuar se ishte gjetur zgjidhja.
Manjani: Së pari t’i marrim gjërat me radhë. Grupi negociator u krijua nga tryeza e kryetarëve të partive politike dhe jo nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar. Që do të thotë se në qoftë se do të kishim një raport për t’ia dhënë dikujt do t’ia jepnim kryetarëve të partive dhe jo kryetarit të komisionit, që mos kemi asnjë keqkuptim.
Së dyti ne kemi biseduar për më shumë se sa gjysmën e natës ditën e hënë për çështje që kishin ngelur pezull në lidhje me propozimin “hibrid” të znj. Nulland. Ju e dini që kjo ishte një çështje që kishte të bënte me rolin e monitoruesve ndërkombëtar në procesin e vetingut, sigurisht duke marrë të mirëqenë se çështjet e tjera ishin të zgjidhura.
Megjithatë unë e konfirmoj atë që tha pak më parë z. Bylykbashi që kam qenë unë që e hapa këtë çështje për ta diskutuar, qoftë edhe për kuriozitetin tim për të kuptuar realisht se si ishte rënë dakord. Sepse duhet t’ju them se kanë qenë negociata dypalëshe. Pra kanë qenë pra PD dhe PS. Ka qenë kryesisht z. Agaçi dhe z. Bylykbashi që janë marrë me këtë çështje dhe që të dy më konfirmuar se ishin marrë vesh për këtë histori.
Dhe kjo është një gjë që ne sigurisht mund ta përfshinim në protokollin e këtyre çështjeve që ramë dakord në atë mbledhje, por për shkak se mbledhja u ndërpre krejt papritur, ne nuk kishim se si ta përfundonim atë. Dhe realisht nga ajo mbledhje ka mbetur vetëm dy çështje të cilat u plotësuan sot nga letra e z. Hahn. Dhe mendoj që bashkë me z. Hahn, konkluzionet që ne kemi rënë dakord ditën e hënë çështja quhej e zgjidhur sipas meje, sipas nesh. Megjithatë komunikimi im i fundit me ju ka qenë dje në drekë dhe që dje në drekë dhe deri në këtë moment unë po pres që negociatorët të mblidhen.
Nuk kemi pasur ndonjë reagim për të thënë të vërtetën nga asnjë grupim, as nga partitë tjera, as nga ekspertët ndërkombëtar.
-Ka një deklaratë të ambasadës së SHBA para pak minutash që e kritikon Partinë Demokratike se ka sjellë në tryezë një propozim që bllokon reformën. Propozimi i znj. Nuland a shtrihet mbi të gjitha institucionet dhe jo vetëm mbi vetingun?
Ne jemi mbledhur në grupin negociator, edhe një herë po jua përsëris, pasi u mblodh tryeza e kryetarëve të partive politike dhe ata na mandatuan që ne të merremi vesh për çështjen e fundit që kishte të bënte me rolin e ndërkombëtarëve. Dhe në këtë takim kemi biseduar dhe për këtë dhe mund ta përfshinim edhe në procesverbalin përfundimtar, por thashë mbledhja u mbyll dhe kaq. Unë s’kam çfarë mund t’ju them tjetër. Unë thjesht mund t’ju dëshmoj se çfarë ka ndodhur atje. Asgjë tjetër më shumë se sa kaq dhe unë nuk e di se çfarë janë negociatat PD-PS në lidhje me përbërjen e KLGJ dhe KLP.
– Çfarë keni mbyllur?
Ne kemi mbyllur çështjen e rolit të ndërkombëtarëve në procesin e vetingut. Kemi mbyllur çështjen e seleksionimit të kandidatëve që do të konkurrojnë për komisionet e vetingut. Kishim lënë për hir të së vërtetës dy çështje që kishin të bënin me: E para nëse duhet të ishin në Kushtetutë dispozitat specifike për rolin e ONM, pra Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit apo jo? Dhe çështja e dytë ishte nëse në procedurën e skualifikimit, ONM duhet të jepte një arsye apo nuk duhet të jepte një arsye. Kjo e dyta mori një përgjigje pozitive sot nga Hahn. Kurse çështja e parë është pranuar botërisht tashmë që duhet të jetë në Kushtetutë dhe kaq. Dhe besoj se mbi bazën e saj u deklarua konsensusi sot. Nuk e di pse duhet të rikthehemi prap.
-Manjani, z. Agaçi dhe z. Bylykbashi, kur ju i pyetët atë natë për formulën e dy organeve të tjera, KLGJ dhe KLP, çfarë ju thanë?
Ekzakt në tekst këtë gjë: E kemi biseduar gjatë dhe kemi rënë dakord që duhet të ishte 3 nga mazhoranca, 2 nga opozita.
-Dhe votimi si bëhej?
Tani nuk hyjmë në detaje. Unë po ju konfirmoj këtë gjë që kjo bisedë ka ndodhur atë natë ditën e hënë në darkë në tryezën e bisedimeve, por që nuk u reflektua në dokument sepse mbledhja u mbyll.
-Pse nuk u mblodhën negociatorët sot?
Unë nuk jam kryetar i negociatorëve. Dje kam komunikuar publikisht dhe kam thënë që po pres te Kryesia e Kuvendit që të mblidhen negociatorët. Negociatorët nuk i janë përgjigjur kësaj gjëje për pritjen.
-Sot kemi një ngërç të ri. Kemi një pozicion të ri si duhet ndërhyrë?
Mandati im nuk është as të bëj politikë, as të bëj komente politike, as të bëj zëdhënësin e askujt. Unë negocioj në tryezën e bisedimeve. Meqenëse pati një fakt publik që u ekspozua nga z. Bylykbashi dhe për t’ju përgjigjur interesit tuaj po ju them që kjo ka ndodhur dhe kaq.
-Ju si LSI, e shmangni problemin që ka PD-PS në lidhje me formulën?
Në këtë orë të vonë që është tani është shumë vështirë që unë të flas në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Unë mund t’ju them këtë gjë që çfarë ka ndodhur në pozitën time si negociator.
-A ju thanë negociatorët e PD-së dhe të PS-së cila ishte formula që do të votonin pesë anëtarët e komisionit?
Un e thashë disa herë dhe po e përsëris prapë që është bërë kjo bisedë, janë thënë këto fjalë që ju thashë. Mos më vini t’i përsëris prapë. Dhe një dakordësi që 3 këtej 2 andej dhe kjo është një histori e mbyllur. Unë nuk e di se çfarë kërkojnë të tjerët./Oranews