Nga Boldnews.al
Drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Ardian Çela ende nuk ka reaguar për tenderat e dyshimtë që institucioni i tij zhvillon çdo javë, pavarësisht se nuk ngurroi t’i jepte një përgjigje të menjëherëshme deklaratës së deputetit të hatërmbetur Vladimir Kostës.
Boldnews.al investigoi pak ditë më parë 11 tendera me vlerë mbi 1 miliard lekë të vjetra, ku rezulton se shumica e parave shkojnë në xhepat e biznesmenëve me lidhje të drejtëpërdrejta me njerëzit me pushtet. Procedura e shpalljes së ofertave është tepër e dyshimtë, pasi në shumicën e rasteve biznesmenët fitues njëherësh edhe “klientë” të qeverisë janë në dijeni të kritereve të vendosura nga autoriteti kontraktues, në këtë rast OSHEE.
Për këtë skandal, kreu i OSHEE Ardian Çela nuk thotë asnjë fjalë por reagon menjëherë për një ironi të deputetit plangprishës Vladmir Kosta. Ky i fundit në një letër të dërguar Partisë Socialiste shprehte pakënaqësinë dhe padrejtësitë që i ishin bërë nga drejtuesit e kësaj force politike. Kosta akuzonte Ramën se nuk dinte të vlerësonte njerëzit që punonin dhe letrën e mbyllte me fjalinë: “Meqë nesër bën ftesën e partisë, Ard Çelën e bëre anëtar asambleje dhe i takon të jetë se fton zyra por mos të dalë nga mendja të ftosh Gëëëëëzimin e KASHTËS….”
Pa kaluar as 24 orë dhe kreu i OSHEE Ardian Çela reagon menjëherë duke shfaqur indinjatën e letrës së Kostës. “Shpreh keqardhje të thellë për prononcimin e deputetit Vladimir Kosta” – deklaron Çela, ndërsa ngre pretendime se deputetit nuk i janë dhënë tendera nga OSHEE dhe për këtë është sulmuar prej tij.
“Nuk jam i keqardhur që nuk ia kam plotësuar kërkesat e tij absurde për të fituar në rrugë të paligjshme tenderë të shpallur nga OSHEE. Fatkeqësisht nuk më vjen e papritur kjo shfaqje vulgariteti vetediskreditues që flet vetë për nivelin e Vladimir Kostës.” – shton më tej kreu i OSHEE.
Duke përdorur si kauz reformën në drejtësi, Çela shprehet i bindur se ai e drejton institucionin me transparencë dhe ligjshmëri.
“Sulmin e tij në vigjilje të finalizimit të Reformës në Drejtësi e marr si kompliment për kompaninë dhe për drejtimin tim me ligjshmëri dhe transparencë. Reforma në Drejtësi ende pa u miratuar po tregon se çfarë vlere të madhe ka për të ndarë njerëzit që duan shtet, drejtësi, rregulla nga ata që duan të vazhdojnë në rrugën e vjetër të përfitimeve të paligjshme”– përfundon Çela deklaratën e tij.
Ardian Çela nën akuzë për tenderat
Drejtori i OSHEE është vënë jo pak herë në qëndër të akuzave si një ndër zyrtarët më të korruptuar. Në fakt, që në ditën e 3 të marrjes së detyrës, në 4 Dhjetor 2014, Prokuroria e Durrësit vendosi nën hetim Ardian Çelën lidhur me tenderat që ai ka zhvilluar në Bashkinë e Durrësit.
Hetimet nisën në bazë të një kallëzimi të Kontrolli të Lart të Shtetit për disa tendera të zhvilluara në vitin 2012 dhe kur Adrian Çela mbante postin e nën/kryetarit të Bashkisë së Durrësit si dhe njëherësh kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Oferatave.
Sipas kallëzimit të KLSH, Çela kishte shkelur ligjin e prokurimit publik në tenderin e titulluar “Gjelbërimi në Qytet” ku nga 7 operatorët që morën pjesë në garë, Bashkia e Durrësit kualifikoi vetëm 3: operatorët “Shpresa”, “Fusha” dhe “Kajmaku”. Nga këta të tre, KLSH gjykon se vetëm operatori “Shpresa” i plotësonte kushtet për t’u kualifikuar. Ndërsa “Kajmaku” – që fitoi tenderin me vlerë mbi 32.5 milionë lekë – dhe firma “Fusha” duhej të skualifikoheshin, sipas ekspertëve të KLSH.
Veçanërisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit vërente asokohe se operatori Kajmaku, që Adrian Çela shpalli fitues të tenderit, nuk plotësonte plot 7 kushte dhe për këtë duhej të skualifikohej menjëherë.
Të njëjtat shkelje raporton edhe pak ditë më parë Boldnews.al, ku Ardian Çela dyshohet se ka favorizuar kompani duke përfituara tendera në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Edhe opozita ka lëshuar një lum akuza ndaj Drejtorit të OSHEE për manipulim të shifrave për të ardhurat nga energjia elektrike. Sipas Partisë Demokratike, gënjeshtra me shifrat bëhet për qëllimin e vetëm, atë të vjedhjes së parave të paguara nga qytetarët shqiptar.
“Ky mashtrim bëhet nga OSHEE, nga banda e Edi Ramës që u merr jetën të pamundurve, me arrogance e me kërbaç, që shpërndan në mënyrë korruptive e klienteliste qindra milionë euro, paratë e gjakut të shqiptarëve, në xhepat e deputetëve e carapulëve të Edi Ramës”- thuhet në një nga deklaratat e PD-së.
Gjithashtu Ardian Çela është përfshirë edhe nga incidente personale. Në fillim të këtij viti, persona të paidentifikuar i vunë zjarrin makinës së Drejtorit të OSHEE, e parkuar në garazhdin e pallatit ku banonte në qytetin e Durrësit. Automjeti luksoz “Range Rover” u shkrumbua plotësisht, ndërsa hetimet e policisë u foksuan tek zjarrëvënie e qëllimshme për shkak të detyrës që Çela mbante.
Nuk dihet nëse ky incident kishte lidhje me tenderat që jep Drejtori i OSHEE për klientët që favorizon apo ata që eleminon.