Nga Boldnews.al
Bërja e tenderëve është një “e metë” që vijon të pakësojë arkat e boshatisura të buxhetit të shtetit. Administrata qendrore përpilon letra pafund për të bërë një prokurim në mënyrë ligjore, megjithëse në fund dihet se kush e fiton. Normalisht, kompani të lidhura me politikanë, apo drejtorë të rëndësishëm në qeveri, apo gjetkë, kanë arritur të pasurohen falë këtyre tenderëve me shumë zero nga pas.
Boldnews.al ka bërë disa investigime për tenderët e zhvilluar, apo për fituesit e tyre, ku bie në sy se prokurimet me mbi 1 miliard lekë, janë shumë të dyshimtë. Sipas dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik, OSHEE-ja është “kampione” e këtyre tenderëve, ku për çdo javë, drejtuesi Ardian Çela, apo vartësit e tij firmosin dhënien e miliardave në drejtim të kompanive. Normalisht, me të gjithë këto shpenzime, OSHEE-ja duhet të garantonte furnizim pa ndërprerje, linjë të rregullt. Megjithatë krejt e kundërta ndodh në terren, ku Çela ka kërkuar disa herë rritjen e çmimit të energjisë.
Nga investigimi i Boldnews.al të 11 tenderëve me mbi 1 miliard lekë të vjetra fond rezulton se paratë e shqiptarëve që paguajnë çmimet e kripura të energjisë elektrike shkojnë me shumicë në xhepat e disa biznesmenëve, që ndoshta mund të kenë lidhje të drejtpërdrejta me njerëz me pushtet. Duket se aksioni i qeverisë për të arrestuar mijëra shqiptarë për energjinë, apo presionet e vazhdueshme me ndërprerje të saj, kanë sjellë një shtim të buxhetit të këtij institucioni shtetëror, që këto para ua jep privatëve, në mënyrë të dyshimtë.
11 tenderët e dyshimtë
Boldnews.al ka siguruar dokumentet e 14 tenderëve që ka zhvilluar muajt e fundit OSHEE-ja. Dhe, 13 prej tyre janë të dyshimtë. Disa kanë vetëm një shoqëri në garë, ndërsa në disa tenderë të tjerë është pranuar oferta më e lartë. Po le ti shohim me radhë, të gjitha procedurat e 11 tenderëve;
1. Pak javë më parë, OSHEE-ja bëri një tender për furnizimin me karburant. Procedura e prokurimit ishte blerje karburant Diesel D1 dhe benzinë për vitin 2016, me fondin limit ne total 1.6 miliard lekë. Në këtë tender morën pjesë dy kompani; “Kastrati me vlerë oferte 18 % të marzhit te fitimi dhe “A&T” sh.a me vlerë ofertë 17.9 % të marzhit të fitimit. Por, firma e dytë, që kishte një marzh fitimi më të ulët, u s’kualifikua pasi nuk kishte paraqitur bilancet e tre viteve të fundit. Gjithashtu kishte disa parregullsi, duke ia dhënë tenderin firmës “Kastrati”, e cila njihet për lidhjet e saj me qeverinë, pasi deputeti i PS-së, Vexhi Muçmata ka qenë më parë aksioner te kjo kompani.
2. OSHEE-ja ka bërë edhe tenderin për blerje të matësave elektronike 1 fazor dhe 3 fazor me fond limit prej 2 miliard lekësh të vjetra. Normalisht, kriteri i tenderi ishte përzgjedhja e fituesit me çmim më të ulët. Garojë firma “ITAL PROJECT”, me 190.420.000 lekë, “R&R Group”, me 194.300.000 lekë, “Megatek” me 195.040.000 lekë, “Enerco LLC” me 177.540.000 lekë. Dy shoqëri nuk paraqitën ofertë. Në fund, pasi u bënë s’kualifikimet përkatëse, fitues doli operatori ITAL PROJECT, që paraqiti 190.420.000 lekë. Firmat që kishin paraqitur ofertë më të ulët janë s’kualifikuar pasi sipas OSHEE-së nuk kishin mostrat e kërkuara.
3. OSHEE bëri tender për fuqizimin e nënstacionit në Gjirokastër me një vlerë 223.138.996 lekë. Në dokumentet rezulton se ka qenë pjesëmarrës në procedurë vetëm operatori ekonomik me vlerën përkatëse të ofruara: “Alba Elettrica” me një vlerë të përgjithshme prej 216.933.727 lekë. Firma tjetër nuk ka paraqitur ofertë.
4. Më 15 prill të këtij viti, OSHEE-ja ka bërë një tender për montimin e sistemit të kontrollit të rrjetit elektrik të Tiranës”, me një afat prej 12 muaj. Në këtë procedurë, ka qenë pjesëmarrës në procedurë vetëm operatori ekonomik me vlerën përkatëse të ofruara “Alba Elettrica” me një vlerë të përgjithshme prej 281.700.000 lekë. Pra, në tender mori pjesë vetëm një firmë dhe fitoi po ajo!!!
5. Një tjetër tender i majmë ka shkuar te firma “Alba Elettrica”. Bëhet fjalë për instalimin, montimin e sistemit të kontrollit të rrjetit elektrik, kabinave të transformimit në Durrës”, me fondin total 245.591.448 lekë. Pas kualifikimeve të firmave të tjera, fitoi kjo firmë, e cila ofroi 243.940.000 lekë.
6. OSHEE Durrës ka bërë një siper tender për blerje pajisje monitoruese, konfiguruese dhe komandim të konsumit, statusit dhe bilanceve energjitikë të kabinave, fiderave dhe nënstacioneve si dhe për printim të raporteve përkatës me vlerë limit 185.583.333 lekë. Shoqëria “A.E.DISTRIBUTION” ka ofruar 179.140.000 lekë, duke u shpallur më e suksesshmja.
7. Tenderi i radhës ka qenë për ndërtimin e 5 fiderave të rinj të dala nga N/ST Spitallë 110/20kV dhe bërjen e tyre unazë me 5 fiderat të N/ST Shkozet 110/35/20/6 kV që furnizojnë qytetin e Durrësit me fond limit 179.056.881. Morën pjesë dy firma dhe në fund fitoi bashkimi i operatorëve ekonomikë “Kronos Konstruksion” dhe “Everest”. Firma tjetër që mori pjesë në garë është skualifikuar.
8. Një tjetër tender i “paracaktuar” ka qenë ai për fuqizimin e n/stacionit elektrik 110/35/20 kV të Selitës”, me vlerë 349,769,585 lekë. Në këtë procedurë ka qenë pjesëmarrës vetëm operatori ekonomik “En.Bi.Power” që ofroi një vlerë të përgjithshme prej 343.326.778 lekë.
9. Tenderi i radhës ka qenë për blerjen e pajisjeve për likujdimin e avarive, me një afat prej 5 muaj. Edhe në këtë tender mori pjesë vetëm një firmë, REJ shpk & C.R Technology System SPA me vlerë oferte 191,700,000 lekë.
10. Në muajin prill të këtij viti, OSHEE-ja njoftoi bashkimin e operatorëve “SPN Energy & Shanci Invest & Everest”, se janë fitues të tenderit për projektin e zhvillimit të rrjetit TM Kabina+ Linja dhe rrjet TU me kabllo ABC në Fushë Krujë”, me fond limit 198.932.650 lekë dhe me një afat prej 6 muaj nga data e dorëzimit të sheshit. Edhe në këtë procedurë, janë s’kualifikuar firmat e tjera dhe në fund ka mbetur fituesi!
11. Tenderi i fundit që ka vëzhguar Boldnews.al ka të bëjë me ndërtimin e Fiderit të ri 20 KV 333 nga N/Stacioni Selitë, ndërtim i kabinave të reja boks, rikonstruksioni i kabinave murature ekzistuese dhe rrjetit TU me Kabëll ABC”. Kanë qenë pjesëmarrës “KRONOS KONSTRUKSION” që ka paraqitur një vlerë 195.055.622 lekë dhe “GJOKA KONSTRUKSION” me vlerë 179,692,610 lekë. Firma Gjoka është s’kualifikuar dhe si përfundim fitoi ajo që ka ofruar më shumë.
Tenderët në zhvillim
Boldnews.al ka bërë një hulumtim të të gjitha tenderëve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ajo që vihet re janë shifrat e këtyre tenderëve, ku vetëm gjatë muajve të fundit, janë bërë mbi 15 tenderë mbi 1 miliard lekë.
Kështu, sipas vëzhgimeve, instalimi, montimi i sistemit të kontrollit të rrjetit elektrike të Tiranës, ka kushtuar plot 2.8 miliard lekë të vjetra. Nga ana tjetër, instalimi, montimi i sistemit të kontrollit të rrjetit elektrik, kabinave të transformimit në Durrës ka një vlerë 2.4 miliard lekë. Sipas dokumenteve, fuqizimin i nënstacionit në Gjirokastër i ka kushtuar OSHEE-së 2.2 miliard lekë, projekti i zhvillimit të rrjetit TM Kabina+ Linja dhe rrjet TU me kabllo ABC në Fushë Krujë rreth 2 miliard lekë.
OSHEE ka blerë pajisje për likuidimin e avarive me një vlerë 2 miliard lekë, ndërsa po dy miliard lekë, janë shpenzuar për blerjen e matësave elektronikë 1 fazor dhe 3 fazor, për nevojat të OSHEE. Ndërtimi i fideret të ri nga n/stacioni selitë, ndërtim i kabinave të reja boks, rikonstruksioni i kabinave ekzistuese dhe rrjetit TU me kabull ABC do të kushtojë po dy miliard lekë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elekrike ka bërë një tender rreth 1.8 miliard lekë për të investuar për të blerë pajisje të gatshëm për lidhje me kabull optik, për parametrizim, konfigurim, komandim, monitorim, lexim të të dhënave të indexit të matjeve, konsumit të energjisë, alarmeve si dhe printimeve përkatëse për pikat e lidhjes. Ky tender është bërë nga OSHEE Durrës.
Ndërkohë, ndërtimi i 5 fiderave të rinj të dala nga N/ST Spitallë dhe bërjen e tyre unazë me 5 fiderat të N/ST Shkozet që furnizojnë qytetin e Durrësit, do ti kushtojë Operatori rreth 1.8 miliard lekë.
OSHEE ka blerë 1.6 miliard lekë karburant, teksa këtë tender e ka fituar firma “Kastrati”.
Në dokumentet e siguruara nga Boldnews.al thuhet se ndërtimi i nënstacionit të ri në Dhërmi do të bëhet me 1.4 miliard lekë, ndërsa e njëjta shumë do të shkojë për zgjatimin e Fiderit të N/ST (Shkozet-Xhafzotaj) dhe ndërtimi i fiderit të ri në Sallmone”. Nga ana tjetër, shërbimi i riparimit të transformatorëve të fuqisë të OSHEE sh.a ka kushtuar 1.3 miliard lekë. OSHEE ka shpenzuar për të blerë kapikorda, morseta, aksesore për linja, etj për nevoja të OSHEE sh.a, 1.2 miliard lekë. Për ndërtimin e rrjetit TU, njësia Dibër, agjencia Bulqizë, Burrel, Mirditë, Kurbin dhe Laç 1, Burrel, janë shpenzuar 1.2 miliard lekë.
OSHEE ka bërë investim në rrjetin elektrik edhe në Elbasan, me një vlerë 1 miliard lekë. Mësohet se këto janë disa nga tenderët mbi 1 miliard lekë të OSHEE-së, megjithëse në Agjencinë e Prokurimit Publik janë edhe qindra tender të tjerë me vlerë të vogël, por mjaft të dyshimtë.
Tenderi 7 mln USD
Pak ditë më parë, Boldnews.al publikoi dokumentet e një tjetër megatenderi që ka bërë OSHEE, i cili bën fjalë për identifikimin e abonentëve të këtij operatori derë më derë. Sipas këtyre dokumenteve, OSHEE ka kërkuar nga operatorët privatë që të garojnë për të identifikuar abonentët. Megjithëse OSHEE ka të gjitha kapacitetet njerëzore për të identifikuar vetë abonentët, ajo ka vendosur që ta japë me “koncesion” edhe këtë shërbim, i cili duhet të jetë “A-ja” e punës së këtij Operatori. Sipas dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik, OSHEE ka hapur objektin e prokurimit që bën fjalë për “identifikimin dhe popullimi i adresës për çdo shtetas në terren (derë më derë) si dhe përditësimi i të dhënave të konsumatorëve të OSHEE sh.a”. Mësohet se fondi për këtë tender është plot 7 milionë USD, ndërsa burimi i financimit janë të ardhurat e OSHEE-së dhe të buxhetit të shtetit. Tenderi do të zhvillohet më datë 7 korrik të këtij viti në mënyrë elektronike. Qëllimi i projektit është ndërthurja e përditësimit të të dhënave të RKGJC, RKA me përditësimi i të dhënave të Konsumatorëve të OSHEE-së. Mësohet se do të verifikohen dhe regjistrohen në çdo banesë të konsumatorëve që banojnë në të ose e kanë në pronësi, duke bërë njëkohësisht regjistrimin e tyre në adresën ku banojnë.
Në përfundim te këtij procesi do të dihet me saktësi kush konsumator banon ku. Do të bëhet saktësimi i të dhënave të klientëve të OSHEE-së, në mënyrë që të vendoset një marrëdhënie kontraktore e rregullt në shërbim të palëve: klientit dhe furnizuesit duke realizuar ofrimi i gjeoreferencimit të pozicionit të klientëve në sistemet e Informacionit, identifikimin e sistemit të matjes, vjetërsisë së tyre.
Më poshte gjeni dokumentat për tenderat e OSHEE:
1 Blerje karburant Diesel D1 dhe Benzinë për vitin 2016
2 Blerje matesa elektronike 1 Fazor dhe 3 Fazor per nevoja te OSHEE sh.a
3 FORMULARI I NJOFTIMIT TE FITUESIT
4 FORMULARI I NJOFTIMIT TE FITUESIT 15 PRILL
5 FORMULARI I NJOFTIMIT TE FITUESIT SCADA DR oferta me e ulet
6 Investim për blerje pajisje monitoruese, konfiguruese dhe komandim te konsumit
7 Ndërtimi i 5 fiderave të rinj të dala nga Spitallë
9 Paisje per likujdimin e avarive
10 Projekti i zhvillimit të rrjetit TM Kabina+ Linja dhe rrjet TU me kabllo ABC në Fushë Krujë