Të paktën 41 persona humbën jetën mbrëmjen e djeshme nga një sulm terrorist ku morën pjesë 7 veta në aeroportin “Ataturk” të Stambollit. Tre shpërthime dhe të shtëna me kallashnikov sollën terror, njerëz të përgjakur, kaos e ndalim të fluturimeve janë pamjet e tmerrit që u shpërndanë në pak minuta në të gjithë botën.
Deri tani asnjë organizatë terroriste nuk ka marrë përsipër sulmet, por dyshimet kryesore bien mbi ISIS. Turqia ka ulur flamujt në gjysmë shtize sot. Në shenjë solidariteti edhe NATO ka bërë të njëjtin gjest.
Rrëfehen dëshmitarët: Gjak dhe trupa të viktimave kudo
Dëshmitarët e kanë përshkruar të tmerrshëm sulmin e mbrëmshëm nga kamikazët në aeroportin e Stambollit, ku kanë humbur jetën 41 persona.
Pamjet tronditëse kanë treguar shpërthimin që ka ndodhur nga sulmi vetëvrasës nga një person, para se dy të tjerët të futeshin në ndërtesë.
Dëshmitarë tregojnë se si kishin parë gjak çdokund dhe trupa viktimash në tokë. 23 nga viktimat ishin shtetas turk, e 13 të tjerë shtetas të huaj, kanë thënë zyrtarët turq.
Nga sulmi kanë mbetur të vdekur gjithsej 41 persona, por zyrtarët thonë se numri pritet të shkojë në 50. Këtë mëngjes aeroporti është hapur, ndërsa hetuesit kanë shkuar për të hetuar se çfarë ka ndodhur saktësisht, në sulmin që la 239 të plagosur.
Një nga pasagjerët që po udhëtonte drejt Turqisë, ishte Laurence Cameron, një kameraman britanik që po udhëtonte nga Letonia në Izmir, në bregdetin turk. Dhe, ai beson se avioni në të cilin gjendej kishte mbërritur kur bombat kishin filluan të shpërthenin.
Duke ecur në terminal, pasi nuk e dinte se çfarë ka ndodhur, ai u përball me kaos, frikë dhe panik, transmeton Bota Sot.
“Duket se kishte ndodhur kur ne ateruam”, tha ai për MailOnline. “Unë nuk i dëgjova shpërthimet, por derisa po ecja, e gjithë ndërtesa po bërtiste”.
“Ishte panik masiv, rojet ishin përreth me armë”, ka thënë ai. Cameron, me origjinë nga Kent kishte mbetur duke pritur me pasagjerët e tjerë për rreth gjysmë ore, derisa u lejuan të dalin përmes terminalit.
E vetmja mënyrë për të dalë nga ndërtesa ishte andej nga bombat ishin shpërthyer. “Kishte shumë gjak në dysheme. Ishte vërtetë e tmerrshme. Mbeturina kudo. Kishin rënë panele nga tavani duke e thyer gjithë katin”, tha ai.
“Duke pritur jashtë një taksi, pashë shumë ambulanca. Gjaku ishte përhapur rrugëve. Njerëzit kishin shpërthyer në lot, sidomos ata me familje. Ishin të traumatizuar. Askush nuk e dinte çfarë po ndodhë”, shtoi ai.
Lidhur me sulmin kanë rrëfyer edhe dy turistë afrikan, Paul and Susie Roos nga Cape Town, të cilët do të udhëtonin drejt vendit të tyre, në momentin kur ndodhi sulmi.
“Ne ishim duke pritur për të nisur fluturimin, kur u dëgjua shpërthimi”, tha Roos.
“Ishte një djalë që sillej përreth. Ishte i veshur me të zeza dhe kishte një armë”, shtoi ai.
“Unë e pashë atë kur gjuajti në aeroport. Ai gjuante në drejtim të personave që kishte përballë. Nuk kishte maskë dhe isha rreth 50 metra larg tij”, vazhdoi rrëfimin.
“Ne u drejtuam në anën e kundërt, por unë u ngrita dhe e shikova atë. Dy shpërthime ndodhën shpejt njëri pas tjetrit”.
“Ai u ngrit dhe filloi të vinte drejt nesh. Armën e kishte në xhaketë. Ai shikoi nëse dikush e kishte parë dhe zbriti me anë të shkallëve lëvizëse. Ne dëgjuam të shtëna dhe një shpërthim që zgjati shumë”.
Një grua gjermane me emrin Duygu, që ishte në kontrollin e pasaportave, tha se u shtri në dysheme pasi dëgjoi shpërthimin.
“Secili filloi të ikte. Kudo ishte e mbuluar me gjak dhe pjesë të trupave të njerëzve. Pashë vrima të plumbave në dyer”, tha ajo jashtë aeroportit.
Një dëshmitar tjetër, Otfah Mohamed Abdullah, i tha AFP: “Dikush erdhi dhe shtiu në ne, dhe pastaj motra ime ishte duke ecur. Unë nuk e di se çfarë ndodhi më pas dhe rashë poshtë…Unë nuk mund ta gjej motrën time”.
Rrugët përreth aeroportit u mbyllën për komunikacion të rregullt pas sulmit dhe disa ambulanca u panë duke pritur në radhë.
Qindra pasagjerë ishin përmbytur nga aeroporti dhe të tjerë ishin ulur në bar.