Zbulohet pasaporta fallso që përdorte i dënuari me burgim të përjetshëm Arben Frroku në Hollandë. Boldnews.al ka siguruar një foto ekskluzive të pasaportës greke e cila mban emrin e shtetasit shqiptar Renato Tsepa, i datëlindjen 15 nëntor 1967.
Kjo pasaportë është paraqitur nga i dënuari Arben Frroku sapo ai ka hyrë në territorin e Hollandës. Por zyra e emigracionit ka dyshuar se dokumenti i identifikimit është i falsifikuar dhe për këtë arsye ka kryer shoqërimin e të dyshuarit që prej datës 6 mars.
Arrestimi i të shumëkërkuarit Arben Frroku në Holandë, i dënuar përjetë për vrasjen e komisar Dritan Lamaj është shoqëruar me pikëpyetje të mëdha. Ishte ish-kryeministri Sali Berisha i cili gjatë një emisioni televiziv deklaroi se Frroku ishte ndaluar në Amsterdam.
Në një shkrim të mëparshëm, Boldnews.al mësoi nga burime diplomatike se pas deklaratave të ish kryeministrit Berisha, kancelaritë e Beneluksit në Tiranë në bashkëpunim me autoritetet holandeze kanë qënë në komunikim të vazhdueshëm me Interpol Tirana në 48 orët e fundit.
Kjo ka sjell konfirmimin se i ndaluari Renato Tsepa ishte i dënuari me burgim të përjetshëm Arben Frroku.
Boldnews.al ngriti dyshime gjithashtu se shenjat e gishtërinjëve të të dënuarit Arben Frroku mund të mos kenë qënë në sistemin ndërkombëtar dhe për këtë autoritetet hollandeze kanë vonuar për rreth dy muaj identifikimin e tij.
Në tre vitet e fundit, çdo gjë që ka pasur lidhje me vëllezërit Arben dhe Mark Frroku, ky i fundit deputet deri sa u arrestua si autor i dyshuar i një vrasjeje në Belgjikë, është shoqëruar me polemika të forta lidhur me rolin e Policisë së Shtetit në informacionin për ata.
Boldnews.al