Vjedhja e Thesarit të Shtetit vazhdon të konsiderohet nga drejtësia si një krim i lehtë, njësoj si një vjedhje kasetofoni. Gjykata e Tiranës ka dënuar disa ditë më parë edhe dy zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, Ilir Dedjan dhe Mehdi Mollën. Ata akuzoheshin për shpërdorim detyre, ndërsa rezultoi se kishin “mbyllur sytë” para vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Dy të pandehurit duhet të kontrollonin arkat në Thesar, por ata kanë bërë inventarizime sa për procedurë, duke mos bërë asnjë verifikim, çka solli që arka e shtetit të vidhej për një periudhë katërvjeçare. Drejtësia ka treguar mëshirë ndaj këtyre të pandehurve, madje ish-guvernatorin, Ardian Fullani, e shpalli të pafajshëm. Radha për dënime të lehta iu erdhi Dedjas dhe Mollës, të cilët rezultojnë të afërm të disa biznesmenëve të mëdhenj në Shqipëri.
Prokuroria kërkoi për Dedjën dhe Mollën dënimin me 5 vite burg. Mbrojtja kërkoi pafajësi. Ndërkohë, gjyqtari Bedri Qori vendosi ti shpallë fajtor dhe ti dënojë vetëm me kohën e paraburgimit, apo të qëndrimit me masën e arrestit shtëpiak. Gjithashtu, gjyqtari vendosi që këta persona duhet të mbajnë kontakte me shërbimin e provës, dhe se duhet të kenë një kusht, që të mos bëjnë krime të tjera përgjatë dy viteve.
Sipas prokurorisë, kallëzimi për vjedhjen e Thesarit ka ardhur nga Banka e Shqipërisë, në datën 21 korrik 2014. Fillimisht, u hetuan Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia. Më pas, të gjithë të tjerët, deri tek Ardian Fullani. BSH-ja funksiononte në katër ambiente, në ish-hotel “Dajti”, ish-vila “Gold”, ish-selia e kompanisë VEFA dhe në Linzë. Në vendin e fundit gjendet edhe Departamenti i Emisionit, i cili përfshin disa sektorë, ndërmjet tyre arka stok dhe arka për veprim. Ky departament është vendosur në repartin “X” në Linzë në janar 2013. Në këtë departament është shtuar dhe dhoma transit që në organizmin e vjetër quhej “Rondo”. Por pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe dhoma transit, organizimi i punës në këto tre arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore si udhëzime apo rregullore por ka vazhduar me rregulloret e vjetra.
Akuza citonte se Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të arkës stok dhe asaj për veprim pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ai ka përvetësuar shuma të mëdha parash, veprime të cilat sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Ai ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë arkës stok dhe asaj për veprim, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej arkës stok në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat, sipas urdhrit të administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë, duhet të asgjësoheshin. Bitraj ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje mekanizmin e vjedhjes.
Bashkëpunëtorja e tij, Mimoza Bruzia, pranon faktin se ka pasur dijenise Bitraj vidhte shuma parash në arkën për veprim, por nuk e kallëzuar këtë fakt. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës dhe konkretisht më datë 15 korrik 2014, rreth orës 08:45, ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës stok. Ky veprim i këtij shtetasi është në kundërshtim me udhëzimin “mbi administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërisë”. “Përgjegjësi i arkës stok, Ardian Bitraj, ka arritur të përvetësojë nga të dy arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që kapin vlerën e mbi 700 milionë lekëve”, pretendoi prokuroria, ndërsa gjithë të tjerët kanë mbyllur sytë para këtij skandali.