Akuzat e deputetit demokrat, Flamur Noka, se në vend po trafikohet dhe mbillet në mënyrë masive një farë e re kanabisi, me cikël biologjik 45-ditor, janë pranuar nga polica.
“Kemi informacion për një bimë narkotike me cikël më të shkurtër, për të cilin ne kemi filluar edhe më shpejt kontrollin e territorit. Edhe monitorimi do të fillojë më shpejt, për të mos lënë hapësira boshe në kohë. Ne e kemi vazhdimisht nën kontroll territorin, duke e copëzuar me përgjegjës përkatës në këto zona, të cilët kanë detyrim që në mënyrë të vazhdueshme ta kontrollojë atë. Kjo sepse, nëse ne kemi asgjësuar njëherë bimë narkotike, nuk do të thotë që të mos e kontrollojmë më atë territor”, tha Altin Qato, zv.drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit për TCH.
Një ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka deklaroi se, përmes një letre, i kishte kërkuar kryeministrit Rama që, për këtë arsye, monitorimi nga ajri i territorit të vendit duhet të nisë që tani.
Por, Qato tha se aksioni mund të fillojmë në maj.
“Mund të fillojmë që në maj. Ky operacion ka filluar që në momentin që është bërë një plan veprimi. Ne jemi në operacion, pavarësisht se jemi ende në fazën e sensibilizimit, pasi edhe vet kushtet atmosferike dhe koha në të cilën ajo kultivohet është pikërisht kjo e tanishmja për kultivim në tokë të hapur. Presim konfirmimin shumë shpejt e do të fillojmë edhe monitorimin nga ajri”, shtoi ai.
Sipas specialistëve të policisë, fara e re e kanabisit prodhon një bimë të shkurtër, e cila vështirëson punën për konstatimin e saj, por nga ana tjetër ka kosto të madhe për trafikantët dhe nuk klasifikohet e cilësisë së lartë.