Një punonjës i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore është “kurbani” i parë i dosjes “Beketi”.
Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 18 muaj kusht. Bold News ka siguruar vendimin e gjykatës, ku rezulton se Sokol Koçi ka “mbyllur” sytë përpara abuzimeve në hidrocentralin e Kalivaçit.
Në vendim thuhet se gjykata është vënë në lëvizje nga prokuroria e cila ka dërguar për gjykim Francesco Beketin, Mauro De Renzis, Liliana Condomitti, Erjona Troplini, Stavri Peçi, Fetah Dervishi, Sokol Koçi dhe disa kompanive. Koçi kërkoi gjykim të shkurtuar, duke përfituar edhe uljen e masës së dënimit.
Sipas gjykatës, nga akti i kontrollit i kryer nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj tek shoqёria “Energji” sh.p.k i vitit 2014, ka rezultuar se vlera e punimeve të shitura shoqërisë “KGE” nga shoqëria “Energji” ishte disa herë më e lartë (deri 23 herë) se vlera e punimeve që kjo shoqëri (shoqëria “Energji”) ka blerë nga nënkontraktorët e saj, pasi punimet në ndërtimin e H/C Kalivaç, shoqeria “Energji” sh.p.k i ka bërë me shoqëri të treta nënkontraktore. Nga aktet e ekspertimit të kryera gjatë hetimeve paraprake, është arritur në konkluzionin se shoqёria ”Energji” sh.p.k rezulton tё ketё rritur çmimet e punimeve në shitje shumë-herë nga çmimet e blerjes dhe ka shitur volume punimesh në sasi më të madhe se sa volumet e punimeve te blera. Gjithashtu, rezulton se shoqёria ”Energji” ka shitur për shoqërinë ”Kalivaç Green Energy” edhe punime tё cilat nuk i ka kryer fare, fakte këto të ndodhura gjatë viteve 2007 -2013.
Nga ana e përfaqësuesit të akuzës u pretendua se, ndër vite shoqëria “Energji” ka lëshuar disa situacione me të dhëna të pavërteta, si dhe fatura fiktive me përshkrimin “Punime në Hec Kalivaç”, mbështetur në këto situacione me të dhëna të rreme. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si institucioni mbikëqyrës i zbatimit te kontratës koncesionare, ka kryer disa akte kontrolle në kantierit e Hidrocentralit të Kalivaçit për të parë ecurinë e zhvillimit të punuimeve. Në akt monitorimin e mbajtur nga ky grup pune shënohet se në kantier ka pasur mungesa të theksuar dokumentacioni dhe grupi i punës nuk ka mundur të sigurojë një sërë dokumentesh të rëndësishëm të cilat janë të nevojshëm për të kryer kontrollin si ditarin e punimeve, aktin e piketimit, raportin e mbikëqyrësit të punimeve, projektin e miratuar dhe materiale të tjera të kërkuara.
Të pyetur gjatë hetimeve paraprake, në lidhje me këtë akt monitorimi, punonjësit e AKBN që kanë kryer kontrollin kanë deklaruar se ky akt monitorimi është mbajtur në kushtet e një mungese totale dokumentacioni (projektin, situacionet, preventivin, relacioni i mbikëqyrësit, ditari i punimeve, etj). Monitorimi ka zgjatur vetëm dy ose tre orë, në kantier nuk janë kryer matje dhe referimet në akt monitorim janë bërë vetëm mbi bazën e thënieve të përfaqësuesit të shoqërisë.
E njëjta situatë ka vazhduar edhe ne vitin 2011, ku në aktin e monitorimit të mbajtur është shënuar mungesa totale e dokumentacionit sidomos e situacioneve dhe raporteve të mbikëqyrësit të punimeve, i cili konfirmon saktësinë e punës së paraqitur në situacione, por në kantierin e “Kalivaçit” nuk ka pasur mbikëqyrës punimesh, të paktën deri në vitin 2011. Edhe në vitin 2012 është kryer akt monitorimi, më konkretisht në datë 13.03.2012. Pas monitorimit të kryer në terren AKBN i ka kërkuar shoqërisë Koncensionare të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për kryerjen e monitorimit.
Në vendim thuhet se koncensionari në këtë rast, i ka dërguar në AKBN disa dokumente fotokopje, ndër të cilat edhe situacionet e punimeve të cilat janë të firmosura edhe nga shtetasi Ëngjëll Cici me cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, por, që ky i fundit ka deklaruar se nuk ka qenë mbikëqyrës i punimeve dhe gjatë hetimit të çështjes penale në shoqërinë Konçesionare nuk janë gjetur situacione origjinale të firmosura nga ky shtetas. Në përbërje të këtij grupi monitorimi në vitin 2012 kanë qënë edhe dy përfaqësues të Drejtorisë së Minierave të Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të pandehurit Fetah Dervishi dhe Sokol Koçi.
Për monitorimin e kryer, grupi i monitorimit ka përgatitur një relacion përmbledhës, ku bashkëlidhur gjendet dhe një relacion teknik për sa i takon vetëm, pjesës topografike të firmosur nga dy topografët e këtij grupi Fetah Derishi dhe Sokol Koçi. Në relacionin përmbledhës pasqyrohen punimet e kryera referuar situacioneve të paraqitura nga shoqëria konçensionare. Nga përmbajtja e relacionit rezulton se punimet e kryera janë matur dhe verifikuar nga inxhinieri dhe specialisti topograf të cilët kanë përgatitur dhe relacionin teknik. Nga përmbajtja e relacionit teknik rezulton se grupi i topografëve ka kryer matjet në terren dhe ka bërë krahasimet ndërmjet punimeve të raportuara në situacione dhe matjeve të kryera faktikisht.
Në lidhje me të dhënat e matura në këtë relacion teknik, iu kërkua AKBN ti vinte në dispozicion prokurorisë çdo të dhënë që vërtetonte matjet e kryera si harta, CD etj. Në përgjigje të informacionit të kërkuar AKBN iu dërgoi akuzës një informacion të përgatitur nga i pandehuri Fetah Dervishi, në të cilin pasqyrohet fakti se topografët kanë kryer matjet vetëm në anën e djathtë dhe jo në anën e majtë (sepse në anën e majtë ka qenë e pamundur të shkohej për shkak të mungesës së urës). Të njëjtin fakt kanë deklaruar edhe të pandehurit Sokol Koçi dhe Fetah Dervishi. Punimet e raportuara për anën majtë nga shoqëria “Kalivaç Green Enegji”, janë në një volum shumë më të madh se punimet në anën e djathtë.
Akuza thotë se rezulton e provuar se, grupi i topografëve nuk ka kryer fare matje dhe nuk ka verifikuar se çfarë pune është kryer faktikisht, duke pasqyruar në relacionin teknik të dhënën e pavërtetë se matjet janë kryer, kur ndërkohë matje nuk ka pasur. I pandehuri Sokol Koçi, në zbatim të detyrës së tij, si specialist topograf, pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, nuk ka kryer matje për të verifikuar punimet e kryera faktikisht në hidrocentralin e Kaliavaçit, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë përgatitur një relacion teknik, në të cilin kanë pasqyruar të dhëna të rreme. Në bazë të këtij relacioni teknik është përgatitur më pas dhe relacioni përfundimtar i muajit Mars të vitit 2012 ku pasqyroheshin matjet e kryera nga grupi i topografëve, mbi punimet e kryera në Hidroçentralin e Kalivaçit, matje të cilat realisht nuk janë kryer fare.