Një refuzim i Gjykatës Supreme të Izraelit për deklasifikimin e një dokumentacioni të kërkuar lidhur me mbështetjen që qeveria izraelite akuzohet t’i ketë dhënë regjimit të Ruandës në vitin 1994, ekspozon edhe Shqipërinë.
Kryetari i Gjykatës Supreme Miriam Naor, gjyqtari Neal Hendel dhe Yitzchak Amit, ndërsa pranuan se publiku kishte të dejtë të njihte faktet e situatës, vendosi se deklasifikimi i informacionit do të ishte i dëmshëm për marrëdhëniet e jashtme të Izraelit. Avokati i të Drejtave të Njeriut Eitay Mack dhe Yair Auron, një historian izraelit në Universitetin “Open” të Izraelit, paraqitën kërkesën e “FOI” në Departamentin e Mbrojtjes së Izraelit në vitin 2014. Kërkesa origjinale u refuzua nga një gjykatë në Tel Aviv, megjithatë Mack apeloi vendimin derisa çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë. “Në publik ka pasur interes të madh që këto informacione të zbulohen, dhe parandalimi i zbulimit të tyre të jep ndjesinë se të paditurit e bëjnë për shkak të konsideratave të kota”, tha Mack.
Në vendimin e tyre, gjykatësit e Gjykatës Supreme mbështetur në nenin 9 të Ligjit mbi Lirinë e Informacionit që lejon qeverinë të mbajë dokumentet e klasifikuara nëse “informacionet e dhëna mund të shkatërrojnë sigurinë kombëtare, marrëdhëniet e jashtme, sigurinë e popullit, dhe sigurinë ose mirëqenien e një individi”. Mack e përshkroi vendimin e Gjykatës si “të gabuar dhe të pamoralshme”. “Shteti i Izraelit vetëm humbet nga kjo”, tha ai. Mack e pranoi se gjykatësit e njohën gjenocidin e Ruandës në vitin 1994, të cilin gjykatat e mëparshme që refuzuan kërkesën nuk e bënë. Afro 1 milion Ruandas, Tutsi dhe Hutu të moderuar u masakruan nga fillimi i prillit deri në mes të korrikut 1994, rreth një e pesta e popullsisë së vendit, pas vrasjeve të dyfishta presidenciale më 6 prill.
Me kohë është kuptuar që Izraeli i ka dhënë Ruandës armë konvencionale, duke përfshirë pushkë, municione dhe granata, pavarësisht se në atë kohë ka qenë në fuqi një embargo e OKB-së.
Yair Auron 12 vjet më parë bëri thirrje që të hetohej shitja e armëve nga Izraeli në Ruandë gjatë prillit të vitit 1994. Auron, sipas portalit “Middle East Eye” ka kaluar më shumë se dy dekada hulumtim në lidhje me qëndrimet e Izraelit ndaj gjenocidit të popujve të tjerë. Kur ai ngriti ccështjen e përfshirjes së Izraelit në Ruanda në vitin 2004 ai tha se kishte fotografi dhe dokumente që tregonin se tregtarët izraelitë të armëve kanë furnizuar forcat ruandeze me fishekë, pushkë dhe granata të marra nga Egjipti, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1973. Izraeli i ka mohuar pretendimet.
Javën e kaluar Auron i tha një gjykate në distriktin e Tel Avivit: “T’i dërgosh armë një vendi ku po kryhet në genocid është njësoj si të dërgoje armë Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ne i dhamë armë Serbisë gjatë embargos dhe i kemi dhënë armë qeverisë së Ruandës, e cila ka kryer vrasje”.
Michal Zak i “Middle East Eye” bisedoi me profesor Auron në lidhje me hetimin e tij dhe reagimin e autoriteteve izraelite.
Kur keni zbuluar se Izraeli i ka shitur armë Ruandës gjatë gjenocidit të vitit 1994?
E kam dëgjuar për herë të parë nga një fotograf izraelit. Ai ka qenë në Ruanda tetë herë dhe i ka parë armët. Kur e pyeta nëse drejtuesit e lartë ishin të përfshirë në marrëveshjen e armëve, ai tha po. Kur i thashë se kjo do të thotë [Yitzhak] Rabin dhe [Shimon] Peres, ai më tha: “Ju po e thoni këtë, jo unë. Dhe nëse e botoni diku, do të them se nuk ju njoh”. Fillova të kërkoj për më shumë prova. Në kërkesën tonë ne mbështetemi, mes burimeve të tjera, në një raport të Amnesty International që është publikuar në vitin 1995. Raporti jep detaje në lidhje me armët që janë ngarkuar në aeroportin Ben Gurion (Izrael). Lista përfshinte armë kryesisht të vogla që Izraeli i ka konfiskuar në luftën arabo-izraelite në vitin 1973, ashtu si dhe ato sovjetike dhe kineze që u ngarkuan në Tiranë, Shqipëri. Armët u ngarkuan në Izrael dhe në Shqipëri nën mbikëqyrjen e oficerëve izraelitë. Më vonë, kur avokati Mack dhe unë u përgatitëm peticionin u përballëm me një informacion shtesë që verifikoi dyshimet tona.
Në dijeninë tuaj, qeveria izraelite e dinte që po shiste armë që mund të përdoreshin në gjenocid?
Në Ruandë ka pasur tensione që në janar të 1994. Disa prej shteteve më të fuqishme të botës imponuan rregulla ndërkombëtare për kontrollin e armëve dhe më 17 maj 1994 ka pasur një embargo të OKB-së. Izraeli ka shkelur embargon, ashtu si edhe Rusia, Belgjika, Afrika e Jugut, Franca, Spanja dhe të tjerët. Shumë nga avionët që kryenin dërgesat ishin britanikë. Licenca e fundit për të eksportuar armë është lëshuar nga Ministria izraelite e Mbrojtjes në tetor 1993, rreth një vit e gjysmë përpara se të fillonin masakrat. Por disa prej dërgesave janë dërguar mes majit dhe korrikut (gjatë masakrave). Sipas dokumenteve të Ministrisë së Mbrojtjes së Ruandës, shtatë dërgesat e municioneve të lehta erdhën nga Izraeli nëpërmjet Shqipërisë mes prillit dhe korrikut të vitit 1994 për milicitë që kryen masakrat. Duhet të shtoj se izraelitët ishin të parët që ngritën një spital ushtarak në Ruandë në korrik të 1994. Personeli mjekësor bëri një punë të jashtëzakonshme. Por, ndërsa qeveria ishte përgjegjëse për këtë akt të madh humanitar, ajo ishte gjithashtu përgjegjëse për furnizimin me armë të forcave qeveritare Hutu.
Çfarë mendoni se do të ndodhte nëse do të publikonit përfshirjen e Izraelit në gjenocid?
Kam dhënë një intervistë për Israel TV në 2004-ën në përvjetorin e dhjetë të gjenocidit të Ruandës. Drejtuesi i emisionit prezantoi çështjen duke përdorur terminologjinë e Holokaustit, që në Izrael përdoret shumë rrallë. Ai tha se kur gjenocidi në Ruandë u zhvillua “bota heshti”. Shtova se Izraeli ishte pjesë e botës që kishte i heshtur, dhe madje se ka pretendime që ne kemi dhënë një pjesë të armëve. E përfundova intervistën duke thënë se nëse pretendimet janë të vërteta, këto janë krime genocidi. Isha i sigurt se sapo të kthehesha në shtëpi do të bombardohesha me telefona dhe mesazhe nga figura politike dhe të tjerë që mund të ishin të shqetësuar, zemëruar, ose skeptikë në lidhje me këtë zbulesë. Por, pati heshtje, askush nuk reagoi. U përballa me këtë lloj mohimi sërish nga njerëz më të përgjegjshëm, si akademikë, politikanë dhe miq që më thanë: “Nuk është mundur që të ketë pasur shitje armësh”. Ose, më thanë se kisha shkuar shumë larg duke akuzuar Rabin dhe Peresin.
Cili është motivimi juaj, çfarë shpresoni të arrini me këtë?
Duam të ekspozojmë burimet që janë të lidhura me shitjet për shkak se shitja e armëve gjatë një embargoje përbën krim kundër njerëzimit. Nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale do të kishte bërë punën e saj, do të kishte qenë e mundur të gjykonte Izraelin, Francën dhe të tjerët. Kemi zgjedhur t’i drejtohemi gjykatës së Izraelit duke përdorur ligjin mbi Lirinë e të Drejtës së Informacionit, duke i dhënë çdo qytetari izraelit të drejtën për të marrë informacion nga një autoritet publik. Motivimi ynë është moral. Këto veprime janë kundër të drejtës ndërkombëtare dhe është e rëndësishme që të tregojmë atë që ka ndodhur. Ne nuk jemi aq naiv sa të besojmë se mund të ndalojmë plotësisht shitjen e armëve. Prokurori Mack është i vendosur të rrisë transparencën dhe mbikëqyrjen publike për shitjen e armëve. Ai shton se nëse ne do të duam të parandalojmë këto të këqija në të ardhmen, do të duhet t’i vëmë në dukje dhe të përballemi me kapitujt e errët të së shkuarës sonë. Qëllimi i tij është që të sigurohet që të zbatohet ligji lidhur me mbikëqyrjen mbi shitjet e armëve. Ligji ua ndalon shitjen e armëve vendeve me një embargo armësh. Përveç kësaj ai po mbron një ligj të ri që do të ndalojë Izraelin t’u shes armë vendeve ku raportohen shkelje masive të të drejtave të njeriut.