Ekspertët amerikanë të kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes kanë vërejtur se asaj që njihet si kutia e zezë e helikopterit “EC 145” i mungon një pjesë që mund të jetë karta e memories. Mungesa e kësaj prove hedh dyshime të forta për zbardhjen e plotë të ngjarjes edhe pasi pajisja të dërgohet për ekspertim në Gjermani.
Një javë pas aksidentit tragjik me pasojë vdekjen e dy pilotëve, dalin në dritë detaje që hedhin dyshime të forta mbi zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Prokuroria, Ministria e Mbrojtjes por edhe kompania prodhuese e helikopterit janë angazhuar për gjetjen e shkaqeve të aksidentit, por një nga provat kryesore mund të mos jetë e plotë.
Dy ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka kërkuar ndihmën e disa ekspertëve amerikanë për të asistuar hetimet e nisura pas rrëzimit të helikopterit.
Rezultatet e para duket se nuk janë aspak premtuese.
Ekspertët amerikanë pasi janë njohur me provat e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe praktikën dokumentare të mbajtur për fluturimin e helikopterit “EC 145” kanë konstatuar një detaj që mund të ndikojë gjithë rrjedhën e hetimit.
Ata kanë vërejtur se në atë që njihet si kutia e zezë e helikopterit të rrëzuar mungon një pjesë që mund të jetë një nga kartat e memories së saj.
Kutia e zezë që në fakt është një kamerë e lidhur me disa karta memorie dhe e vendosur pas kokave të pilotëve është nxjerrë nga helikopteri i rrëzuar rreth mesditës së të shtunës.
Ajo është gjetur nga polumbarët e forcave speciale RENEA dhe është marrë në dorëzim nga drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës në prani edhe të ekspertëve të Eurocopter që kanë ardhur posaçërisht për hetimin e ngjarjes.
Në disa foto të shpërndara në media menjëherë pas gjetjes së kutisë së zezë, dallohet qartë se ajo është e hapur dhe disa pjesë të saj janë të veçuara nga trupi i kamerës.
Nuk dihet ende nëse kutia e zezë është nxjerrë e dëmtuar nga uji, apo ekspertët e hetimit kanë tentuar hapjen e saj.
Por burime të prokurorisë pohojnë se asnjë prej ekspertëve shqiptarë nuk ka njohuritë e nevojshme për hapjen e kutisë së zezë dhe për këtë është kërkuar ekspertimi në Gjermani.
Kërkesa tashmë është miratuar nga prokuroria e Shkodrës dhe është vendosur që rikuperimi i pamjeve të bëhet nga një komision, me anëtarë të kompanisë së prodhimit të helikopterëve, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm si dhe në prani të një prokurori që do të dërgohet nga Shqipëria.
Por kjo procedurë pritet të kryhet pasi të sqarohet nëse pjesa që mungon është apo jo karta e memories së regjistrimit të fluturimit, pasi dyshimet e para tregojnë se mund të mungojë pikërisht pjesa që do të hedhë dritë mbi momentet e fundit përpara rrëzimit.
Sipas burimeve mësohet se aktualisht kamera dhe pjesa e memories e lidhur me të mbahet në prokurorinë e Shkodrës, e futur në ujë, pasi ky është sugjerimi i ekspertëve.
Nuk dihet përse një pajisje elektronike mbahet në ujë, por konfirmohet se ajo do të qëndrojë në këto kushte deri sa të dërgohet për ekspertim në Gjermani.
Konsorciumi franko-gjerman i prodhimit të helikopterëve Eurocopter ka përcaktuar fabrikën e saj në Gjermani për ekspertimin e pajisjes pasi “kutia e zezë” është prodhuar pikërisht aty.
Deri në vitin 2012 kompania “Eurocopter” nuk i pajiste mjetet fluturuese ushtarake me kuti të zezë, pasi kjo është një praktikë e njohur në të gjithë Botën.
Por pas aksidentit fatal të ndodhur në Francë ku humbi jetën piloti dhe 6 inxhinierë gjatë fluturimit testues për një helikopter që gjithashtu do të vinte në Shqipëri, kompania ka nisur prodhimin dhe vendosjen e kamerave.
Ato ndodhen të fiksuara në kabinën e helikopterit, menjëherë pas pilotëve dhe kanë në objektiv kroskotin e helikopterit për të filmuar çdo veprim që kryejnë pilotët gjatë fluturimit.
Po ashtu ajo regjistron edhe audio bisedën që bëjnë pilotët në kabinë, ndërsa të dhënat i transmeton në disa karta memorie që janë të lidhura me kamerën./Mapo