Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka paralajmëruar Kryeministrin Edi Rama se nesër në Kuvend duhet të zgjedhë: O të bëhet avokat i krimit, o të bëhet reformator i drejtësisë.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Basha deklaroi se nesër në Kuvend, “do të insistohet fort në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili në këtë rast ka të bëjë pikërisht me korrupsionin, ka të bëjë me pretendimet se dy anëtarë të tjerë të maxhorancës, përtej Koço Kokëdhimës që shkoi atje ku duhet të shkonte, kanë përfituar shuma të mëdha parash dhe asete publike në kushtet e konfliktit të interesit.”
“Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj beteje,” theksoi ai.
Basha vërejti që në krye se “tre janë problemet që mbeten pezull për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e Edi Ramës:
E para ka të bëjë me dhunimin e rendit kushtetues. Kushtetuta është pakti shoqëror mbi të cilin bazohet bashkekzistenca, është ajo që ndalon policin të sillet si bandit dhe banditin të sillet si polic. Dhunimi i rendit kushtetues, rënia e rendit kushtetues do të thotë që vendi është në xhungël, që nuk ka më dallim midis policit dhe banditit, midis kryeministrit dhe kriminelit dhe anasjelltas.
Ka katër javë që maxhoranca refuzon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, – nënvizoi kryetari i PD. – Në mënyrë të përsëritur për dy vite cenon rendin kushtetues. Në mënyrë të hapur cenon marrëveshjen politike, dhunon marrëveshjen politike të 24 dhjetorit 2014.
E nesërmja është një rast tjetër për t’i dhënë fund këtij dhunimi kaq të hapur, kaq flagrant të rendit kushtetues dhe për të rikthyer vendin në kushtet, të paktën formalisht, të kushtetutshmërisë dhe jo në kushtet e xhunglës.
Respektimi i Kushtetutës do të thotë të respektosh bashkekzistencën qytetare. Të shkelësh, ta shkelmosh Kushtetutën do të thotë ta fusësh vendin në kushtet e xhunglës dhe në kushtet e xhunglës bëhet gjithçka, i dobëti, i pamunduri shkelet, përdhunohet, nxirret nga puna, vidhet, i merret buka e gojës, i asgjësohet mundësia për të ushqyer fëmijët e tij.
Gjithçka që ndodh sot anembanë në Shqipëri, kjo krizë ekonomike, ky recension për të cilin për turp nuk flet askush, kur në fakt është ulur këmbëkryq në të gjitha vatrat e shqiptarëve dhe në shifrat e vërteta të bilancit të shtetit, është efekti i drejtpërdrejtë i efektit të xhunglës, i mungesës së shtetit ligjor që fillon me shkatërrimin e Kushtetutës.
Ndaj nesër do të insistohet fort në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili në këtë rast ka të bëjë pikërisht me korrupsionin, ka të bëjë me pretendimet se dy anëtarë të tjerë të maxhorancës, përtej Koço Kokëdhimës që shkoi atje ku duhet të shkonte, kanë përfituar shuma të mëdha parash dhe asete publike në kushtet e konfliktit të interesit.
Po në favor të korrupsionit, Edi Rama ka treguar mungesën e gatishmërisë për komisionet hetimore parlamentare e në veçanti të Komisionit Parlamentar që ka të bëjë me vjedhjen e të dhënave të serverit të Tatimeve duke shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen e 24 dhjetorit.
Dhe për këtë nesër opozita do të insistojë në kalimin e amendamentit tonë i cili përmbush kushtin e marrëveshjes së 24 dhjetorit, funksionimin eficient të komisioneve hetimore.
Dhe së treti heqja e vulës së turpit, heqja e pranisë së deputetit që ka plagosur qytetarët me armë pa leje dhe që kur ia don qejfi vjen serbes dhe voton Arben Ahmetajn e kur nuk ia don qejfi ha e pi aty afër Parlamentit.
Këtu nuk bëhet fjalë për një emër, këtu bëhet fjalë për një parim dhe parimi është ky : Deputetë të cilët janë në proces gjykimi për vepra të rënda penale siç janë tentativa për vrasje, plagosje në kushte të rënduara dhe në prani të armëmbajtjes pa leje nuk kanë vend në seancën plenare deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Është një parim i cili nuk mund t’i kishte shkuar askujt ndër mend që do të ishte i nevojshëm që të futej në ligjin për dekriminalizimin por ja që Edi Rama është në gjendje që të na ofrojë edhe çudira të tilla përmes presionit të drejtpërdrejtë që i bën gjyqësorit dhe Prokurorisë.
Këto do të jenë betejat e opozitës ditën e nesërme në Parlament dhe nga kjo do të varet ngushtë edhe fati i Parlamentit, i funksionimit të Parlamentit dhe hapat që ne do të hedhim edhe në raport me garantuesit dhe ndërmjetësuesit e marrëveshjes së 24 dhjetorit, monitorimin e kësaj marrëveshje dhe vendimet e tjera që do të marrim në këtë drejtim.
Pyetje: Z.Basha dy prej nismave ligjore janë rrëzuar në Komision të Ligjeve që do të thotë se do të rrëzohen edhe në Parlament. A ka ndonjë të re në bisedimet që ju keni kryer me partnerët tuaj për çështjen e reformës në drejtësi?
Basha: Ne do ti shkojmë deri në fund kësaj beteje. Në kushtet kur rendi kushtetues është dhunuar. Në kushtet kur ky dhunim bëhet për të mbrojtur dy personat e akuzuar për korrupsion, maxhoranca është e vetëdiskredituar, Edi Rama është i vetëdiskredituar si avokat i korrupsionit, si avokat i krimit. Dhe sigurisht që duhet të zgjedhë o avokat i krimit, avokat i korrupsionit ose reformator i drejtësisë,” përfundoi Basha.