Me ligjin e ri të pronave, tashmë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave kanë nisur procedurat për ndarjen e parave për pronarët që do të përfitojnë kompensim financiar. Aktualisht, institucioni ka një fond të konsiderueshëm në masën 2.4 miliardë lekëve, ndërkohë që për 10 vite, qeveria ka bërë llogaritë për të ndarë 50 miliardë lekë. Por, që pronarët të përfitojnë paratë, sipas ligjit të ri, për pretendimin që kanë, më së pari duhet të dorëzojnë në ATP dosjen e plotë me dokumentacionin përkatës, për të cilën duhet të paguajnë shumën 2 mijë lekë. Brenda 3 muajve, të gjithë ata pronarë, të cilët në 25 vite nuk kanë mundur dot të paraqesin kërkesën e tyre për njohje pronësie pranë dyerve të përcaktuara nga ligji i kohës për kompensimin e pronave, duhet ta bëjnë kërkesën në Agjenci dhe kjo e fundit, në një periudhë 3-vjeçare do të bëjë shqyrtimet, duke dhënë vendimet përkatëse. Kërkesa, që mban titullin “Kërkesë për kompensim në të holla (financiar)”, dorëzohet dorazi ose me postë në ATP, dhe bashkëngjitur saj pronarët vendosin 2 dokumente. I pari është një dokument origjine prone, ku vërtetohet që dikur, para viteve 1944-1945 subjektet (gjyshërit e tyre apo prindërit) kanë qenë pronarë të tokës për të cilën ata kërkojnë sot njohjen e pronësisë, dhe i dyti, një dokumenti hartografik, i cili është i nevojshëm për pozicionimin e pretendimeve që ka subjekti në këtë rast.
Kompensimi
Bazuar në skemën e re që ka hartuar qeveria për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave, për kompensim financiar, prioritet do të ketë prona truall, përkundër tokave bujqësore, që do të jepen për kompensim fizik. Pas shqyrtimit të kërkesave, kompensimi financiar bëhet vetëm për ato subjekte, vendimi i të cilëve është përfundimtar, i ekzekutueshëm ose për kërkesat që nuk janë trajtuar asnjëherë për kompensim. Procedurat për ndarjen e kompensimit financiar janë miratuar javën e kaluar me vendim qeverie dhe sipas kreut 3 të këtij vendimi, Agjencia e Trajtimit të Pronës do të vlerësojë financiarisht pronën e njohur për kompensim, në bazë të zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit, duke u bazuar në hartën e vlerës. “Ky institucion vijon procedurat për kompensimin e subjekteve sipas rendit kronologjik, duke filluar nga vendimi më i hershëm dhe duke shqyrtuar e verifikuar dokumentacionin”, vlerëson vendimi për radhën e pagesave. Sipas qeverisë, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, do të përfitojnë kompensim financiar nga fondi i kompensimit, deri në masën 50 milionë lekë. Ndërkohë, pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar do të kompensohet fizikisht nga fondi i tokës. “Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5 për qind më e madhe se vlera 50 milionë lekë, atëherë subjekti kompensohet për të gjithë vlerën, në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar rezulton se pjesa e mbetur është më e madhe se 5 për qind mbi vlerën 50 milionë lekë, atëherë subjekti për diferencën mbi 50 milionë lekë, kompensohet fizikisht, nga fondi i tokës”, thuhet në pikën 18 të VKM-së. Ndërkohë, përcaktohet se kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim.
Ndarja me përqindje
Për herë të parë do të përdoret një skemë e ndarjes me përqindjeve të shumave dhe kjo ndër vite. Në pikën 23 të VKM-së përcaktohet se “subjektet që shprehin vullnetin për t’u kompensuar financiarisht me kërkesë të veçantë do të përfitojnë kompensim nga ky fond, sipas kësaj procedure: a) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda një viti, atëherë ai përfiton 20 për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. b) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda tre vjetësh, atëherë ai përfiton 30 për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. c) Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda pesë vjetësh, atëherë ai përfiton 40 për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere”. Ndërkohë, përcaktohet se prioritet do të kenë aplikimet që kërkojnë të kompensohen financiarisht brenda një viti, nga kërkesat për kompensim brenda tre apo pesë vjetësh. “Nëse 1/3 e buxhetit vjetor nuk ezaurohet me aplikimet sipas shkronjës ‘a’, prioritet do të kenë aplikimet për kompensim financiar brenda tri vitesh, ndaj kërkesës për kompensim brenda pesë vjetësh. Në rast se 1/3 e buxhetit vjetor nuk ezaurohet me kërkesat sipas shkronjave ‘a’ e ‘b’, vijon kompensimi për kërkesat e shkronjës ‘c’, duke kompensuar subjektet dhe, sipas rendit kronologjik, prioritet do të kenë vendimet përfundimtare më të hershme”, thuhet në vendim. Për aplikimet sipas shkronjës “b”, me 3 vite, vlera e kompensimit ndahet në tri këste, nga 10 për qind për çdo vit, ndërsa për aplikimet sipas shkronjës “c”, vlera e kompensimit ndahet në pesë këste, nga 8 për qind për çdo vit.
Skema dhe afatet
Procesi i kompensimit përfundon brenda 10 viteve
Aplikohet skema e kompensimit financiar dhe fizik. Për kompensim në të holla do të vlerësohet toka truall. Për kompensim fizik do të vlerësohet toka bujqësore.
Në harkun kohor të 10 viteve, Ministria e Financave do të japë një fond që kap shumën 50 miliardë lekë.
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka në dispozicion 23 mijë ha tokë bujqësore dhe 156 objekte shtetërore.
Pronarët kanë 3 muaj afat për plotësimin e dokumentacionit për të bërë kërkesë për kompensim financiar.
Kompensimi do të bëhet duke respektuar rendin kronologjik të vendimeve.
Toka do të vlerësohet me vlerën e tregut, ndërsa zëri kadastral do të vlerësohet me kohën e konfiskimit të pronës.
Harta, çmimi i trojeve në 61 bashki
Qeveria ka miratuar çmimet e reja për tokën bujqësore dhe tokën truall në të gjithë vendin, vlera këto të përcaktuara për herë të parë me hartën e re territoriale. Gazeta boton çmimet e reja për tokën truall në të gjithë vendin. Vlera e pronave do të shërbejë si referencë për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, si edhe të familjeve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Kompensimi i tyre bëhet në bazë të hartës së vlerës së tokës dhe në jo pak raste vlerat e miratuara vit pas viti kanë ngjallur pakënaqësi në radhët e të shpronësuarve. Sipas ligjit të ri të qeverisë, i cili në 10 vjet pritet të zgjidhë çështjen e kompensimit të pronave, formula parashikon që zëri kadastral të jetë ai që ka pasur prona në momentin e konfiskimit, por çmimet të jenë këto të sotmet.
KLIKO KETU PER CMIMET E KOMPENSIMIT, TOKE TRUALL NE 61 BASHKI
Çfarë kërkojnë pronarët nga ligji?
Kompensimi fizik dhe ai financiar për pronarët do të ndjekë një radhë kronologjie; të parat do të përfitojnë ato dosje që kanë marrë vendimin e njohjes në fillim, dhe do të ndiqet radha sipas datave të vendimeve. Afati i shqyrtimit të dosjeve zgjatet nga 60 ditë në 90 ditë. Mirëpo ky rregull mund të prishet, në rast se Gjykata Kushtetuese merr vendim për pezullimin e ligjit apo e fundit fare, rrëzimin e tij. Edhe pse data për shqyrtimin dhe dhënien e vendimit nga Gjykata nuk është caktuar ende, shoqatat e pronarëve që nga koha kur u hartua ligji e deri tani kanë pasur kundërshtime. Më të forta ato kontestime janë për disa nene, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me çmimin që ka vendosur qeveria për pronat e tyre.
Nenet më të kontestuara
Neni 3, pika 2: Ky ligj shtrin efektet sa i takon vlerësimit financiar, për: a) ekzekutimin e të gjitha vendimeve, të cilat nuk janë zbatuar, për njohjen e së drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqësore në vendin tonë; b) çështjet që janë në shqyrtim në gjykatat e të gjitha niveleve, në Gjykatën e Lartë, si edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sa i takon vlerësimit financiar të tyre.
Neni 6: Për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë vijon: a) Prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit. b) Prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Në pikën 2, togfjalëshi “do të vlerësohen” zëvendësohet me togfjalëshin “vlerësohen financiarisht”. Në pikën 3, togfjalëshi “do të zbritet nga vlerësimi i vlerës së pronës” zëvendësohet me togfjalëshin “zbritet nga vlerësimi i pronës”.