Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ekonomia shqiptare ka vazhduar të forcohet, por vë në dukje se korrupsioni I lartë dhe klima e vështirë e biznesit cenojnë konkurrueshmërinë e saj
“Një sërë vrojtimesh nxjerrin në pah si dobësitë më të mëdha strukturore në Shqipëri, infrastrukturën e papërshtatshme që kufizon tregtinë, informalitetin, i cili ul produktivitetin si dhe institucionet e dobëta dhe korrupsionin që pengojnë zbatimin e ligjit dhe vështirësojnë klimën e biznesit,” thuhet në një deklaratë të sapo publikuar të FMN për Shqipërinë.
Sipas ekspertëve të Fondit, një tjetër faktor që dëmton konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare janë dhe procedurat komplekse të taksave, të cilat rrisin barrën mbi biznesin.
Risqe të larta për ekonominë
fmn korrupsion“Rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të shkojë në 4 për qind në afatmesëm. Por risqet mbeten të larta. Ato lindin nga një rënie e mundshme e investimeve të huaja si pasojë e uljes së ccmimit të naftës dhe situatës së dobët ekonomike në Eurozonë,”thuhet në deklaratë
Sipas ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar një tjetër rrezik për ekonominë është shtyrja e mëtejshme e reformave strukturore, të cilat janë kritike për të përmirësuar klimën e biznesit.
Të ngrihet Këshilli Fiskal
Për herë të parë FMN ka kërkuar ngritjen e një organi të pavarur, i cili duhet të kontrollojë qeverinë në zbatimin e programit për uljen e borxhit. “Autoritetet duhet të vazhdojnë me objektivin e tyre të uljes së borxhit publik nën 60 për qind të PBB-së nga 2019, e cila kërkon korrektim fiskal me rreth 1 për qind të PBB-së çdo vit”, thuhet në deklaratën e Fondit.
Por për të arritur këtë rezultat sipas ekspertëve të FMN është e nevojshme që qeveria të detyrohet me ligj për uljen e borxhit dhe të kontrollohet nga një organ tjetër i pavarur. “Për të ankoruar pritjet afatgjata, autoritetet duhet të miratojnë një rregull fiskal i përforcuar nga një këshilli fiskal i pavarur” thotë FMN
Për më tepër, menaxhimi i borxhit duhet të zgjasë më tej pjekurinë e borxhit publik dhe të diversifikuar bazën e investitorëve, duke ulur rreziqet që dalin për financimin e nevojave, të cilat mbeten të larta.
Konsolidimi nga të ardhurat
Pas kanë analizuar situatën buxhetore, ekspertët e FMN i rekomandojnë qeverisë që duke pasur parasysh nivelin relativisht të ulët të shpenzimeve publike, ta realizojë uljen e borxhit duke mbledhur më shumë të ardhura nga taksat “Duke pasur parasysh nevojën për shpenzime më të mëdha në fusha të tilla si infrastruktura dhe arsimi, si dhe efikasitetit relativisht të ulët të taksave në Shqipëri, strategjia e konsolidimit duhet të fokusohet në zgjerimin e bazës tatimore dhe në forcimin e pajtueshmërisë dhe administrimit të të ardhurave,” sugjeron FMN.
Hiqni përjashtimet e taksave
Një tjetër kërkesë e FMN është që autoritetet shqiptare të përshpejtojnë punën për kadastrën fiskale, me qëllim të aplikimit të tatimit nbi pronën në deri në fund të vitit 2017. Fondi vuri në dukje gjithashtu se qeveria duhet të pezullojë përjashtimet e tjera tatimore apo trajtimet preferenciale të taksave dhe duhet të përpiqet për të hequr përjashtimet ekzistuese.
Pikëpamjet e shprehura në këtë deklaratë janë ato të personelit të FMN-së dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bordit Ekzekutiv të FMN-së, thuhet ne deklarate.