Deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi anëtar i komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Pjerin Ndreu, u shpreh gjatë emisionit “45 minuta” në Report TV, se Policia e di vrasësin e bankierit Artan Santo, por siç tha ai, është e vështirë ballafaqimi i provave të ngjarjes me autorin e vrasjes. Sipas tij, Policia dhe Prokuroria kanë një emër të cilin po e ndjekin.
“Në Polici dhe Prokuroi ka emër, që ndiqet nga këto struktura, por s’ka prova. S’është e lehtë të arrihet te prova. Mesa kam unë dijeni, është vrasje me pagesë, që e ka paguar dikush, por që ka një emër. Duhet të jeni koshient se nuk është e lehtë të sigurosh provat, s’është me dëshirë e entuziazëm. Ka patur ngjarje që janë zbuluar edhe pas 10 vitesh. Media duhet të jetë pak më e kujdesshme, se kam dëgjuar nga media që nëse ndodh një vrasje, direkt thonë se ministri X është ministri më i dobët në histori që nga koha e Ismail Qemalit. Media ka bërë edhe dëme në proceset hetimore, duke artikuluar gjëra që s’kanë lidhje me ngjarjen. Edhe kanë disinformuar. Zbulimi i krimit nuk bëhet me orë pune“, deklaroi ai.
Ndërkohë një prej shqetësimeve të socialistëve kur ishin në opozitë, se përgjoheshin nga SHISH duket se është konfirmuar. Ndreu akuzoi kreun e SHISH, Visho Ajazi, se ka përgjuar telefonatën mes kryeministrit Edi Rama me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, gjatë kohës kur në pushtet ishin demokratët.
Ai tha se përgjimet u gjetën pak muaj më parë, ndërsa kreu i SHISH u justifikua se Rama dhe Meta ishin periferik në këtë përgjim, për shkak se në hetim ishte një i inkriminuar.
“Çfarë gjetëm në SHISH? Gjetëm përgjime që nga Kryeministri, Kryetari i Parlamentit e të gjithë. Na u tha se përgjigjet kanë dalë indirekt, gjatë përgjimeve ndaj një të inkriminuari. Por në fakt na rezultoi se përgjimi ishte mes Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit“, tha Ndreu.
Deputeti socialist tha se Komisioni i Sigurisë ka bërë një raport të detajuar për këtë, por puna ka ngecur.
“Ne kemi bërë raportin tonë dhe kjo është puna jonë. Dhe kjo mbeti me kaq”, theksoi ai.
Deputeti socialist foli edhe për dekriminalizimin, ku akuzoi Partinë Demokratike si të inkriminuar, pasi sipas tij, ish kryetari i saj, Sali Berisha dhe kreu aktual, Lulzim Basha, mbajnë mbi supe Gërdecin dhe 21 Janarin që kanë prodhuar viktima. Sipas tij, në grupin parlamentar të PD ka deputetë që do të preken nga ligji i dekriminalizimit.
Sa i takon përplasjes së tij me deputetin Koço Kokëdhima në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar socialist, Ndreu tha se i ka kërkuar shpjegime për sulmet në gazetën ndaj kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
“Konstatova që s’është normale për PS që një deputet të sulmojë kryetarin e Bashkisë, për arsye të paqarta. Kryetari i Bashkisë është një personalitet për PS dhe në i kemi dhënë vetëbesimin për të punuar. Nëse ka diçka për të biseduar, hajdeni ta bisedojmë, por nuk mendojmë që për arsye të paqarta të sulmohet Kryetari“, tha ai.