Ligji për procesin e kthimit dhe kompesimit të pronës duhet të ishte publikuar që në dhjetor në Fletoren Zyrtare e mnë pas të hynte menjëherë në fuqi. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur pasi ky ligj nuk është bërë gati. Nuk janë miratuar ende një sërë aktesh nënligjore, vendime të Këshillit të Ministrave.
Qeveria deklaroi se do të niste zbatimin e ligjit të ri të pronave përpara se Këshilli i Evropës të shprehej zyrtarisht mbi të dhe para se Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të merrte në shqyrtim dosjet e shumta të pronarëve, që janë depozituar në vite. Kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronës, AKKP, Sonila Qato, tha në dhjetor se ligji do të hynte në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Sipas saj, fakti që Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës mbajti qëndrim pozitiv ndaj ligjit të ri për trajtimin e pronës flet për premisat e një qëndrimi po ashtu pozitiv nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut të Strasburgut.“Pengesa mund të vijë vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi presidenti i Republikës është shprehur se do ta dërgojë ligjin për shqyrtim nga kjo Gjykatë, e cila mund të vendosë pezullimin e tij. Nëse jo, zbatimi i ligjit do të vijojë normalisht pas publikimit në Fletoren Zyrtare”, tha Qato.
Por, për zbatimin e ligjit të ri kërkohet edhe miratimi i një serë aktesh nënligjore, vendime të Këshillit të Ministrave, që duhej të ishin gati. Deri tani, qeveria shqiptare nuk ka miratuar asnjë akt të tillë.
Shfuqizimi
Në fakt, ligji ka hyrë në fuqi, pasi ai u miratua nga Kuvendi, që hodhi poshtë kthimin mbrapsht të tij nga institucioni i presidentit. Ndërkohë, Nishani e dërgoi atë menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit të pronave i është drejtuar edhe Partia Demokratike, pas republikanëve të Fatmir Mediut. Kërkesa është shfuqizimi e ligjit, të miratuar nga Kuvendi në dhjetor të vitit të kaluar me arsyetimin se cenon barazinë para ligjit, nuk e njeh pronën si concept, si dhe shkel vendimet e dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Në kërkesën dërguar Gjykatës, kreu i Shtetit e vlerëson ligjin antikushtetues, duke qenë se cënon rëndë parime të rëndësishme si: siguria juridike, barazia para ligjit, apo të drejtat e pronësisë.
Sipas Institucionit të Presidentit, skema e ofruar përmes këtij Ligji për zgjidhjen e problemit sistematik dhe të përsëritur në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve në lidhje me kompensimin e pronarëve që kanë një vendim përfundimtar administrative apo gjyqësor bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive siç kërkohet nga Gjykata e Strasburgut.
Ligji i ri për Kthim-Kompensimin e pronave u miratua në fund të vitit të shkuar mes debateve të ashpra, për të hyrë në fuqi pak ditë më parë. Momenti më i debatueshëm i ligjit të ri, është vendimi për të kompensuar pronarët sipas zërit kadastral që ka pasur një tokë në çastin e shpronësimit të pronarit.
Më konkretisht, ai pronar që ka pasur tokë truall në vitin kur është shpronësuar, do të kompensohet për tokë truall në 2015. Ndërsa ai pronar që ka pasur tokë bujqësore në vitin e shpronësuar, do të kompensohet për zërin kadastral tokë bujqësore në vitin 2015, pavarësisht se sot ajo është truall me vlerë shumë më të madhe.
Një pikë tjetër mjaft e debatuar e ligjit ka të bëjë me faktin se të gjitha vendimet për kompensim në favor të pronarëve, të miratuara nga viti 1993, do të zbatohen sipas formulës së re, dhe jo sipas ligjit me të cilin janë miratuar.
Gjykata nuk ka marrë asnjë vendim pezullimi, kështu që ligji mund të zbatohet, deri sa Kushtetuesja të shprehet për të. Por, nga frika se mund të bëjë veprime që do t’i kushtojnë shtrenjtë më pas, qeveria ka vendosur të presë.
Strasburgu
Ndryshe nga sa pretendon drejtoresha Qato dhe avokatja e Shtetit Alma Hicka, Komiteti i Ministrave në Strasburg nuk dha OK për ligjin e ri. Në mbledhjen e radhës të zhvilluar më 8 dhe 9 dhjetor në Strasburg, ai ka marrë në shqyrtim, ndër të tjera, problemet që lidhen me zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Në dokumentin përkatës, ministrat u shprehën se disa aspekte të detajuara të skemës së re duhet të rregullohen me akte nënligjore, që duhet të miratohen në afate të caktuara dhe, në këtë kontekst, u kërkuan autoriteteve shqiptare të paraqesin aktet e rëndësishme, në mënyrë që të mundësohet një vlerësim i plotë. Po kështu, u bënë thirrje autoriteteve që të shpjegojnë se cilat harta të vlerës do të shërbejnë si bazë për llogaritjen e kompensimit sipas skemës së re dhe cila është metodogjia e saktë e përgatitjeve të saj.
Në mënyrë të vëçantë, theksohet një kërkesë tjetër: Ministrat i ftuan autoritetet shqiptare të paraqesin brenda datës 30 janar 2016 informacion lidhur me të gjitha këto çështje, në mënyrë që ta mundësojnë Komisionin të vlerësojë përparimin e arritur në zbatimin e ligjit dhe rrugët e parashikuara për të siguruar efektivitetin e mekanizmit të vendosur.
Një gjë e tillë, me sa mësohet, nuk është kryer.
Gjykata
Ndërkohë, Gjykata e Strasburgut ka shqyrtuar dhe dosje të tjera të ish pronarëve që kanë kërkuar dëmshpërblimin. Në vendimin e fundit, të datës 10 nëntor 2015, Strasburgu shprehet se “duke pasur parasysh natyrën joefektive të sistemit aktual të kompensimit dhe duke pasur parasysh, në veçanti, për faktin se tani ka 8 deri 21 vjet që subjektet e shpronësuara presin kompensimin, gjykata, pa i paragjykuar zhvillimet e mundshme në të ardhmen, që kanë parasysh krijimin e një mekanizmi efektiv të kompensimit, e konsideron të arsyeshme për t’u dhënë subjekteve të shpronësuara, që janë ankuar në Gjykatë, një shumë, e cila do të përfaqësojë një zgjidhje përfundimtare dhe shteruese të rasteve”. Gjykata deklaron se dëmi pasuror që jepet në rastet e shpronësimit të paligjshëm duhet të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës, nëse kthimi fizik në natyrë nuk është i mundur. Një përcaktim i tillë është në kundërshtim me ligjin e miratuar nga Kuvendi.
Në vendimin e fundit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg mbi çështjen “Sharra dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, gjyqtarët janë shprehur se nuk janë dakord me kërkesën e shtetit shqiptar për të vlerësuar financiarisht kompensimin e një prone, duke u nisur nga harta e vlerave e vitit 2013 dhe jo nga ajo e vitit 2008. Sipas Gjykatës, nuk është logjike që vlerësimet e dëmshpërblimit të kryhen sipas një hartë vlerash, që është e ndryshme nga ajo, kur është paraqitur kërkesa e ish-pronarëve. Por edhe nuk është logjike që harta e vlerave e vitit 2013 të ketë një ndryshim të jashtëzakonshëm në vlerësimin e pronave të patundshme, krahasuar me të mëparshmen.