Në 24 orët e fundit, nënë Zyle Lami u kthye në personazhin më mediatik dhe kjo falë klasës politike. Por kjo e moshuar duket se ka qënë edhe më herët pjesë e “teatrit” politik.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit, nënë Zyle është fotografuar me doktor Halim Kosovën i cili kandidonte për Bashkinë e Tiranës. Asokohe Kosova i premtonte kushte më të mira për të tregtuar por edhe për të rritur kushtetet e jetesës.
Edhe pse kanë kaluar disa muaj, nënë Zyle “përdoret” sërish nga politika. Fillimisht ajo u gjobit dhe u fotografua duke u shpërndarë masivisht në rrjetet sociale.
Më pas del në skenë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, si një “hero” që do të shpëtoj të moshuarën nga gjoba 500-lekëshe. Në harkun e 24 orëve mësohet se gjoba që pagoi Veliaj nuk ishte e saktë, pasi nënë Zyle në panik nga policët bashkiak kishte treguar emrin e komëshijes së pallatit.
Edhe opozitës nuk i shpëtojnë këto raste. I dërguari i demokratëve Ervin Salianji viziton shtëpinë e të moshuarës, bën një foto me të dhe përcjell një mesazh politik.
Saga mediatike vijon. Veliaj inaguron një treg tek njësia administrative nr.3 në zonën e Porcelanit. Në këtë treg, kryebashkiaku kishte porositur që t’i lihej një vend nënë Zyles për të tregtuar. Kjo “zemërgjerësi” e Veliajt nuk i shpëtoi fokusit të kamerave dhe regjisë së Bashkisë së Tiranës.
Por në fakt Veliaj nuk i ka bërë ndonjë nder të madh nënë Zyles, pasi e ka transferuar nga zona e “Myslym Shyrit” ku shiste qepë, në një vend më larg, në Porcelan.
Pra e thënë ndryshe, për nënë Zylen nuk u zgjidh asgjë por vetëm sa politika e shfrytëzoi për një show mediatik të radhës…