Boldnews.al sjell detaje sesi prokuroria ka arritur të zbulojë hotelin 5-katësh në pronësi të të ndjerit Isuf Brahimaj (i njohur edhe si Isuf Koka), i ekzekutuar pas një atentati me minë të telekomanduar në fund të gushtit 2014.
Bëhet fjalë për një hotel në Lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë dhe që kishte si desinacion kthimin në një resort turistik.
Ka qënë pikërisht leja e legalizimit të marrë për këtë objekt me sipërfaqe ndërtimi prej 2500 m2 dhe sipërfaqe trualli prej 3199 m2 që ka ngritur dyshimet e para se ky investim ishte bërë nëpërmjet aktivitetit kriminal.
Gjatë përgatitjes së dokumentacioneve për lejen e legalizimit, Shpëtim Brahimaj i ati i të ndjerit Isuf Brahimaj, ka paraqitur një kontratë noteriale në cilësinë e blerësit të truallit me vlerë 125.000 euro. Në kontratë përcaktohet se shitësi ka paguar këstin e parë prej 50.000 euro, ndërsa shuma prej 75.000 euro do të paguhet më datë 20.12.2013.
Por nga kqyrja e vendodhjes objektit, rezulton se vlera e tij është shumë herë më e madhe se ajo e deklaruar në kontratë dhe që vetëm godina kap një shifër prej 1 miliard lekësh, pa vlerësuar truallin.
Shpëtim Brahimaj deklaron se ky objekt është bërë nga të ardhurat që ka siguruar nga shitja e bagëtive të imëta për periudhën 1990-2006 si dhe nga puna në emigracion e tre djemëve të tij, Aleks Brahimaj, Ermal Brahimaj dhe të ndjerit Isuf Brahimaj.
Por në rrëfimin e tij përpara prokurorëve, Shpëtim Brahimaj pranon se ka patur dijeni për veprat penale që kanë kryer djemtë e tij. Ai shpjegon se në vitet 2007-2008 djali i tij i ndjerë Isufi ka qenë në burg në Belgjike ose Hollandë për rreth dy vjet.
Edhe Ermal Brahimaj, vëllai i të ndjerit Isuf Brahimaj, deklaron se në Shqipëri ka patur vetëm 20 mijë euro të ardhura ndërsa është arrestuar në Hollandë në vitin 2011 ku ka bërë 6 muaj burg. Në veprimtari kriminale prokuroria ka prova se është përfshirë edhe vëllai tjetër Aleks Brahimaj.
Në bazë të këtyre hetimeve të kryera, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin e këtij hoteli bashkë me truallin, pasi pasuritë janë përfituar pas përfshirjes së personave të hetuar Ermal Bahimaj dhe vëllai i tij, i ndjeri Isuf Brahimaj në veprimtari kriminale.
Sipas organit të akuzës, kjo veprimtari kriminale daton që në vitin 1994 për të ndjerin Isuf Brahimaj dhe në vitin 2004 për Ermal Brahimaj.
Gjithashtu këto pasuri nuk i përgjigjen nivelit të të ardhurave të të dyshuarve dhe familjarëve të tyre.