Gjykata Kushtetuese rrëzon mazhorancën për “supergjobat”, “superpolicinë”, “superdeputetin”, “superdënimet”….
Gjykata Kushtetuese rrëzon qeverinë shqiptare për ligjin e “supergjobave tatimore”, duke konstatuar për të herë të njëmbëdhjetë në dy vjet nga marrja e pushtetit se mazhoranca aktuale ka problem me leximin e Kushtetutës së Republikës.
Pak ditë më parë, qeveria e majtë pa ti rrëzohej nga Gjykata Kushtetuese ligji për “superdënimet” për armëmbajtjen. Ndërkohë, në muajt e kaluar është rrëzuar ligji për “Byronë Kombëtare të Hetimit”, një tjetër projekt i prezantuar nga ministri i Brendshëm si mekanizmi për të krijuar një “super-polici”. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të mos shqyrtuar kërkesën e opozitës për konfliktin e mundshëm të interesit të deputetit Koço Kokëdhima, i cili konsiderohet nga e djathta si “superdeputeti” i Kryeministrit. Pra, në çdo rast, kur ligjet e mazhorancës shoqërohen me termin “super” kanë rezultuar në kundërshtim me normat e Kushtetutës.
Dy vjet pas marrjes së mandatit, qeveria e majtë ka shënuar disa dështime të rëndësishme në aspektin ligjor, pikërisht në çështjet që ajo i ka konsideruar si prioritare.
Iniciativat ligjore
Ekzekutivi i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të programit qeverisës, në shtator 2013, u zotua për ndërmarrjen e disa reformave të forta, por që do të përmirësonin ndjeshëm nivelin e sigurisë dhe të ekonomisë, dy prej pikave më të forta që prezantoi në programin elektoral. Disa prej këtyre reformave, ndonëse “të dhimbshme”, siç i ka cilësuar Kryeministri, kanë dhënë efektet e pritshme. Reforma në sistemin energjitik, shoqëruar me arrestime në masë të qytetarëve dhe bizneseve që vjedhin energjinë elektrike, ka rritur ndjeshëm arkëtimet. Ky rezultat i deklaruar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), është pranuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili po asiston reformat ekonomike të qeverisë shqiptare.
Po ashtu është rritur ndjeshëm numri i personave të arrestuar dhe gjykuar për sjellje antiligjore në qarkullimin rrugor. Deri më tani nuk ka ende një rezultat konkret dhe të pavarur mbi efektet e këtyre masave të ashpra. Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit deklarojnë publikisht se falë angazhimit të tyre është përmirësuar ndjeshëm siguria rrugore. Gjithsesi në kronikën e zezë informative çdo ditë raportohen aksidente rrugore me pasoja të niveleve të ndryshme.
Por thelbi i qeverisjes së majtë është forcimi i sektorit ekonomik nëpërmjet mbledhjes së taksave dhe lufta kundër korrupsionit në nivele të larta nëpërmjet Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në këto dy çështje si edhe në disa të tjera, qeveria dhe mazhoranca nuk kanë gjetur ende mjetet e duhura ligjore për t’i vënë në zbatim. Opozita e djathtë, Presidenti i Republikës dhe grupet e interesit janë aktorët kryesorë që kanë kundërshtuar nismat kryesore ligjore, të cilat më pas janë rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji i “supergjobave”
Në mesin e javës së parë të marsit (datë 03.03.2016), Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka vendosur shfuqizimin e 8 neve të Ligjit të ri të Procedurave Tatimore i njohur ndryshe si “Ligji i supergjobave” duke i gjykuar në papajtueshmëri me Kushtetutën. Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut kishte kërkuar pranë kësaj gjykate shfuqizimin e disa neneve të ligjit nr.99/2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Sipas ligjit, këto nene thuajse 10-fishonin masat administrative për bizneset që gjendeshin në shkelje të ndryshme, si mungesë fature tatimore, persona të punësuar e të paregjistruar etj. Qeveria argumentoi në relacionin e saj se këto gjoba shërbejnë për të luftuar informalitetin i cili ka përmasa të mëdha në biznesin shqiptar. Pas shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e neneve më problematike të ligjit “Për procedurat tatimore”, duke i dhënë një frymëmarrje lehtësuese biznesit, i cili, gjithsesi është në një periudhë të vështirë.
Gjykata Kushtetuese pritet të zbardhë në javët e ardhshme argumentet mbi të cilët ka mbështetur vendimin e saj. Gjithsesi, fakti është që qeveria nuk arriti të “legalizojë” shumëfishimin e gjobave për biznesin.
“Superdënimet” për armëmbajtje pa leje
Qeveria shqiptare deklaron se ka shpallur luftë të hapur ndaj kriminalitetit dhe për këtë arsye synoi të dyfishonte marzhet e dënimit për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje” në ambjente publike. Me ligjin nr. 98/2014, “Për një ndryshim në Kodin Penal të R.SH”, Parlamenti vendosi që personat që arrestoheshin me armë pa leje jashtë ambjenteve të shtëpisë do të dënoheshin nga 7-15 vite burgim. Para këtij ndryshimi, ligji parashikonte që “armëmbajtja pa leje” pavarësisht vendit se ku arrestohej personi i dyshuar, dënohej nga 1-7 vjet.
Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje në bazë të kërkesës së Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila kishte konstatuar se marzhet e larta të dënimit cënonin sigurinë juridike dhe ishin në kundërshtim me proporcionalitetin e dënimeve në Kodin Penal Shqiptar. Pas shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Kushtetuese, me vendim nr. 9, datë 26.02.2016, vendosi të pranojë kërkesën dhe të shfuqizojë paragrafët 5 dhe 6 të nenit 278 të Kodit Penal, konkretisht rritjen e marzheve të dënimit për “armëmbajtje pa leje” në ambjente publike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe më pas Gjykata e Lartë do të jetë e ngarkuar me rishikimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë për personat e dënuar gjatë kësaj kohe me dispozitat e shfuqizuara tashmë.
“Byroja Kombëtare e Hetimit”
Lufta kundër korrupsionit është prioritet kyç i shtetit shqiptar për integrimin në Bashkimin Europian. Qeveritë shqiptare në vijimësi kanë deklaruar se kanë ndërmarrë mekanizmat e nevojshme për të luftuar këtë fenomen. Pavarësisht aspektit deklarativ, korrupsioni vijon të mbetet fenomeni më shqetësues në shoqërinë shqiptare. Opinioni publik ka qëndrimin e tij se ky fenomen për të pasur rezultat duhet të goditet në nivelet më të larta të qeverisjes. Kjo qasje e opinionit duket se ka qenë edhe baza e nismës së qeverisë shqiptare për të amenduar ligjin “Për Policinë e Shtetit”, duke shtuar një kapitull më vete që parashikonte ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Amendimi ligjor u miratua në Parlamentin Shqiptar me ligjin 108/2014. Byroja parashikohej të ishte një strukturë e specializuar policore për hetimin e korrupsionit, nën varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, me kompetencë territoriale në të gjithë territorin e Republikës. Ligji parashikonte gjithashtu se kjo strukturë do të operonte me mjetet dhe metodat që Kodi i Procedurës Penale ia ka përcaktuar organit të Prokurorisë.
Praktikisht, përcaktimet për veprimtarinë e Byrosë krijonin dualitet të saj me Prokurorinë. Ky ishte edhe argumenti që opozita parlamentare kundërshtoi ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Krahas aspektit ligjor, Partia Demokratike në opozitë i druhej faktit që një “super-strukturë” policore në varësi të qeverisë nuk do të luftonte korrupsionin në qeverisje, por do të ishte një mjet presioni ndaj opozitës.
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim këtë kërkesë dhe me vendimin nr.43, daë 26.06.2015, vendosi shfuqizimin e kreut mbi “Byronë Kombëtare të Hetimit” në Ligjin për Policinë e Shtetit, duke deklaruar se kompetencat e saj binin ndesh me kompetencat e organit të Prokurorisë.
Rreth 3 javë më parë, qeveria shqiptare miratoi një tjetër projektligj mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili gjithashtu është kundërshtuar nga opozita, grupimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ende nuk është vendosur nëse do të kaloj për shqyrtim në komisionet parlamentare.
“Komisionet hetimore”
Në tri raste gjatë dy viteve të fundit, opozita ka fituar në Gjykatën Kushtetuese përballjet me mazhorancën sa i përket ngritjes së komisioneve hetimore. Duke i cilësuar komisionet hetimore parlamentare si një mjet demokratik kontrolli ndaj mazhorancës, opozita ka kërkuar nga Parlamenti i Shqipërisë, në kohë të ndryshme, ngritjen e komisioneve për: 1. Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në administratën tatimore (çështje e njohur ndryshe edhe si “Serveri i tatimeve”); 2. Për verifikimin e fakteve të trafikut të lëndëve narkotike, përfshirë rrugët ajrore (çështje e njohur ndryshe edhe si “Divjaka”); dhe 3. Për verifikimin e procedurave të emërimit në administratën publike.
Në të tri rastet, mazhoranca e majtë parlamentare ka rrëzuar kërkesat e opozitës për ngritjen e këtyre komisioneve hetimore parlamentare, duke i konsideruar si mekanizma jo-efikas, përsa kohë që këto çështje ishin duke u shqyrtuar nga organe të tjerë. Sipas mazhorancës, Prokuroria po hetonte çështjen e “Serverit të tatimeve”, pasi Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve dorëzoi një kallëzim penal në nëntor 2013, në vijim të një kontrolli administrativ ku u konstatua zhdukja nga sistemi elektronik i mbi 4 milionë deklaratave tatimore të biznesit.
Kjo çështje shkaktoi debat të madh politik. Opozita pretendonte se eksponentë të qeverisë kishin marrë në mënyrë të paligjshme të dhënat tatimore të biznesit me qëllim që të ushtronin presion ndaj tyre ose të ndihmonin ata tregtarë që i konsideronin si “klientë të qeverisë”. Nga ana e saj, mazhoranca deklaronte se ishin drejtues të saj që e kishin konstatuar shkeljen dhe sipas tyre, ndërhyrja në serverin e Tatimeve ishte realizuar nga persona që kishin lidhje me ish-qeverinë e djathtë, të larguar në verën e vitit 2013.
Partia Demokratike kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar me qëllim verifikimin e veprimeve të kryera në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ndërkohë, mazhoranca e rrëzoi me votë këtë kërkesë duke iu mbajtur qëndrimit se kjo është një çështje që po hetohet nga Prokuroria.
Një grup deputetësh të opozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila me vendimin nr.30, datë 16.05.2015, vendosi të pranojë kërkesën dhe të detyrojë Parlamentin të lejojë hetimin parlamentar. Ky Komision vijon ende punimet e tij, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës ka vendosur pushimin e hetimit. Në konkluzionet e Prokurorisë zhdukja e përkohshme e të dhënave të sistemin elektronik të Tatimeve ka ndodhur për shkak të një defekti teknik dhe të dhënat janë të gjitha të rekuperuara.
Po ashtu, Gjykata Kushtetese detyroi mazhorancën që të ngrinte komisionin hetimor për verifikimin e lidhjeve të dyshuara të zyrtarëve të lartë të Policisë me trafikun e lëndëve narkotike. Diskutimi politik dhe publik për këtë komision filloi pas hetimeve që kishte nisur Prokuroria lidhur me rastin “Divjaka” kur një avion i lehtë tip “Piper”, i drejtuar nga italiani Xhorxho Riformato, bëri një ulje të detyruar në bregun e Divjakës. Nga kontrolli policor, pranë mjetit fluturues u gjetën rreth 450 kg canabis. Kjo ngjarje ndodhi në muajin maj 2014, vetëm pak javë pasi ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në sallën e Parlamentit se autoritetet shqiptare po lejonin kryerjen e trafikut të lëndëve narkotike nga ajri.
Ngjarja në Divjakë shkaktoi debate të ashpra politike dhe publike. Opozita deklaronte se ky rast ishte konfirmim i asaj çfarë kishte deklaruar në Parlament për lidhjen e zyrtarëve të lartë me trafikun ajror të drogës. Ndërsa mazhoranca argumentonte se ajo ishte e vendosur për të luftuar këtë lloj kriminaliteti dhe në mbrojtje prezantonte rezultatet e operacioneve të suksesshme anti-canabis.
Opozita e djathtë duke e konsideruar këtë rast si një mënyrë efikase për të goditur qeverinë, kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar veprimtarinë e organeve ligjzbatuese, kryesisht kuadrit të lartë drejtues të Policisë në masat kundër trafikut të drogës. Për opozitën në nivelet drejtuese të Policisë së Shtetit ishin rikthyer disa persona, të cilët ishin larguar më parë për faktin se kishte dyshime se ishin të lidhur me grupe kriminale. Këtu e shihte opozita edhe rritjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të shteteve të tjera.
Kërkesa e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor u rrëzua nga mazhoranca në Kuvend dhe çështja u paraqit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetese nga disa deputetë të Partisë Demokratike. Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e opozitës me vendimin nr.57, datë 23.07.2015. Në zbatim të këtij vendimi, Parlamenti ngriti komisionin përkatës hetimor, i cili nuk ka arritur të hartojë një raport përfundimtar.
Një tjetër rast kur mazhoranca parlamentare është detyruar nga Gjykata Kushtetuese që të ngrejë një komision hetimor është kërkësa e opozitës për verifikimin e rekrutimit në administratën publike. Pas daljes në opozitë, Partia Demokratike pretendonte se qeveria e re kishte nisur një valë spastrimesh nga administrata publike të personave të aftë, vetëm për faktin se kishin punuar nën qeverisjen e djathtë. Për këtë arsye kërkonte ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e procedurave të punësimit. Në mënyrë të njëjtë, mazhoranca e refuzoi me votë ngritjen e këtij komisioni me argumentin që kushdo që pretendon se është larguar pa të drejtë nga puna, mund t’i drejtohet gjykatës për të rifituar të drejtën e tij ligjore. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.38, datë 12.06.2015, i dha të drejtë kërkesës së opozitës. Edhe ky komision hetimor nuk ka hartuar ende një raport përfundimtar. Në të tri rastet, Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se opozita ka të drejtë të kërkojë komisione hetimore dhe këto të ngrihen pasi vlerësohen si mjete efikase për forcimin e demokracisë.
“Konflikti i interesave të deputetëve”
Koço Kokëdhima është një ndër deputetët më të rinj të Partisë Socialiste në pushtet. Ai u zgjodh për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, pas një karriere të gjatë në biznes. Para se të merrte mandatin e deputetit, një ndër kompanitë e tij që operonte në fushën e telekomunikacionit, kishte nënshkruar kontrata shërbimi me disa institucione publike. Sipas Kushtetutës, një deputet nuk mund të përfitojë nga fondet publike dhe nëse evidentohen raste të tilla, deputeti humbet mandatin e tij.
Opozita parlamentare identifikoi disa kontrata, sipas të cilave, kompania e Kokëdhimës vijonte të merrte fitime nga fondet publike në bazë të kontratave edhe pasi ai ishte zgjedhur deputet. Për këtë arsye, opozita i kërkoi Parlamentit që çështjen t’ia dërgonte Gjykatës Kushtetuese për interpretim. Mazhoranca votoi kundër kësaj kërkese dhe opozita i kërkoi Gjykatës Kushtetese interpretimin nëse është i drejtë ose jo vendimi i Parlamentit për të mos ia përcjell atij institucioni kërkesën për shqyrtimin e rastit të konfliktit të dyshuar të interesit.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e deputetëve të opozitës dhe me vendimin nr.7, datë 24.02.2016, vlerësoi se Parlamenti duhet tia dërgojë asaj gjykate për interpretim. Aktualisht, pritet që Parlamenti i Shqipërisë të plotësojë dokumentacionin për t’ia paraqitur Gjykatës Kushtetese rastin “Kokëdhima”.
Ndërkohë, për të njëjtin argument, Parlamenti pritet t’i dërgojë Gjykatës Kushtetuese edhe rastin e dy deputetëve të tjerë të mazhorancës, konkretisht Valentina Leskaj, e cila është njëkohësisht nënkryetare e Parlamentit, dhe deputetit Rakip Suli. Për deputeten Leskaj, opozita pretendon se në kundërshtim me parashikimet e ligjit “Për konfliktin e interesave”, djali i saj ka nënshkruar një kontratë koncensionare me Hekurudhat Shqiptare. Sipas ligjit “Për konfliktin e interesave”, ndalimet për përfitimin e fondeve publike shtrihen, krahas deputetit, edhe për familjarët e tij.
Po ashtu, për deputetin Suli, opozita pretendon se kompania e djalit të tij merr përfitime publike nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), pasi i ka dhënë këtij institucioni, për ambjente zyrash një godinë me qira.
Vendime të tjera
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar qeverinë dhe mazhorancën edhe për disa ligje të tjera. Ndër to përmenden ligji që parashikonte heqjen e disa kompetencave të Presidentit të Republikës për emërimin e kuadrit drejtues të Forcave të Armatosura (vendimi nr. 64, datë 23.09.2015) . Po ashtu edhe ligji “Për nëpunësin civil”, i cili u amendua menjëherë sapo qeveria e majtë mori pushtetin. Ky ishte një ligj, miratimi i të cilit përbënte një prej kushteve kryesore që e majta kur ishte në opozitë, vuri kusht për rikthimin në Parlament pas një bojkoti 6-mujor. Gjithsesi, pasi erdhi në pushtet, qeveria e majtë nxori një akt normativ që e amendonte ligjin. Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së deputetëve të opozitës, shfuqizoi aktiv normativ të qeverisë për amendimin e ligjit “Për nëpunësin civil”, me vendimin nr.5, datë 05.02.2014.
Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim edhe kërkesën e opozitës, e cila kundërshtonte vendimin e Këshillit të Ministrave për regjistrimin e numrave ‘IMEI” të telefonave celularë të të gjithë shtetasve. Edhe kjo çështje shkaktoi debat të madh politik dhe publik. Qeveria e ndërmori këtë nismë, për faktin se numrat e telefonave të paregjistruar ishin të pazbulueshëm në rast se përdoreshin për kryerjen e veprave penale. Por opozita i druhej faktit se krijimi i një baze të dhënash të tillë në dorë të qeverisë mund të shërbente për përgjime të paligjshme. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese e kishte marrë në shqyrtim këtë rast, qeveria vendosi të shfuqizojë me iniciativë vendimin e saj. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi pushimin e gjykimit, me vendimin nr.57, datë 05.12.2014.
Në statistikën e “rrëzimit” të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese gjatë këtyre dy viteve, renditen edhe vendimi nr.25, datë 28.04.2014 për shquqizimin e VKM nr.932, datë 30.09.2013 “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor”; si edhe shpallja antikushtetues i ligjit nr.101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811, datë 17.5.2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të ndryshuar’”.