Nga Dr. Albano ZHAPAJ
Çdo shoqëri, komb apo shtet mbart në vetvete një pasuri të madhe të ideve, vlerave dhe njohurive, të cilat ajo kërkon t`ia transmetojë të gjithë atyre që janë pjesë e saj, sidomos brezit të ri, pavarësisht nga kastat, fashat apo klasat sociale të cilës i përkasin këta njerëz.
Çdo brez që vjen trashëgiminë kulturore dhe dijet e shoqërisë ku jeton, i ka për detyrë t`ua transmetojë gjeneratave të ardhshme më mirë se ç`i ka gjetur, në rastin më të keq t`i lerë ashtu siç janë, por kurrsesi t`i degjenerojë apo përkeqësojë ato.
Nisur nga këto premisa jemi të aftë të kuptojmë se transmetimi i trashëgimisë kulturore, i dijes dhe i identitetit të një kombi, nuk mund të kryhet me efektivitet pa një arsim të zhvilluar, si nga ana e përmbajtjes ashtu edhe nga ana e strukturës, pra sistemit të menaxhimit të arsimit. Sistemi arsimor i një vendi mund të konsiderohet pa frikë si automjeti i udhëtimit të një populli, ku edukimi dhe arsimi përbëjnë motorin lëvizës së saj.
Arsimi i sotëm po krijon artificialisht shtresa sociale të privilegjuara.
Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 57, pika 1, përcakton qartë se “Kushdo ka të drejtën për arsimim”, pra çdo qytetar, çdo shtetas i këtij vendi, pa dallim moshe, gjinie, feje, apo prejardhje sociale, çka do të thotë se shteti nëpërmjet mekanizmave ligjorë dhe instrumenteve të sistemit arsimor të tij, të garantojë që kjo e drejtë kushtetuese të gjejë zbatim. Ajo që po ndodh sot është jashtë çdo logjike sociale e zhvillimore, pasi qeveria në detyrë ka cënuar qëllimisht këtë të drejtë, duke përcaktuar çdo vit mesataren ose pragun e notës hyrëse në universitet, e duke detyruar një masë të madhe të rejash e të rinjsh të “mësyjnë” me detyrim dyert e institucioneve arsimore të larta private.
Është fakt që Kushtetuta e Shqipërisë, po në nenin 57, tek pika 6, përcakton edhe se “nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit”, pra nuk ka pikë dyshimi ose të duhet ndonjë aftësi juridike e veçantë për të kuptuar se Kushtetuta duke përmendur fjalët “mund të arsimohen”, e cilëson arsimin privat si alternativë, pra si e drejtë e kujtdo shtetasi që të zgjedhë midis publikut apo privatit, dhe kurrsesi si deturim.
Qeveria në detyrë qysh nga viti i kaluar i detyroi të rinjtë të studiojnë tek privati, duke bërë në këtë mënyrë që studentë nga shtresa më të privilegjuara ekonomike të përfitojnë nga degët më të mira, apo siç quhen ndryshe degët “elitë”, të cilat pozicionojnë në të ardhmen qytetarë të shoqërisë në pozicione kyçe, dhe shpeshherë në mënyrë jo meritokratike. Dihet qartazi dhe hapur se fëmijët e familjeve të pasura nuk mbeten kurrë në klasë dhe ne të gjithë e dimë se ku i ka rrënjët “pasuria” e shumë qytetarëve, në shumicën e rasteve.
Edhe studentët që shkojnë në shtet, sidomos ata me merita dhe rezultate të padiskutueshme arsimore, fitojnë në ato degë që ndoshta e kanë profilin profesional të mirë, por kurrsesi nuk janë degë “elitare”, për të cilat një student mund të pretendonte të pozicionohej profesionalisht apo shoqërisht në majat politikbërëse apo pozicionet kyçe të cilat mund të përbëjnë lokomotivën shtytëse të një vendi. Pra, siç shihet, politikat arsimore jo kushtetuese të qeverisë po krijojnë artificialisht shtresa sociale të privilegjuara.
Arsimi i vetmi mjet që siguron zhvillim ekonomik dhe social.
Çdo shtet, sipas parimeve të vendeve të Bashkimit Evropian ku edhe Shqipëria synon të bëhet pjesë, është detyrimisht përgjegjës për mbarëvajtjen e arsimit. Në një vend si ky i yni, arsimimi është i vetmi mjet që mund të ndihmojë për të parandaluar varfërinë dhe përjashtimin social, të sigurojë ruajtjen e vlerave njerëzore dhe civile dhe për të ndihmuar të luftuar të gjitha format e diskriminimit.
Masivizimi i arsimit dhe dhënia e mundësisë çdo qytetari të ketë akses në arsim në përgjithësi, arsimin e lartë në veçanti, si dhe edukimin e formimin përgjatë gjithë jetës, konsiderohen si baza më e shëndetshme për zhvillimin e një shoqërie të mirë. Mbyllja e hapësirave arsimore, reduktimi i kuotave të pranimit në universitetet publike, kontrollimi i tyre nga qeveria dhe përparësia abuzive që bën kjo e fundit ndonjë institucioni privat të arsimit të lartë përkundrejt universiteteve shtetërorë është tregues se arsimi jo vetëm që s`ka rilindur siç gënjeshtrohet përditë e gjithandej, por po rrënohet, zhvishet nga çdo vlerë, dobësohet, përgjunjet dhe skllavërohet epsheve për përfitime personalë individësh pranë kastave të qeverisë në detyrë.
Asnjë qeveri serioze, në asnjë vend serioz të botës, sidomos asaj perëndimore, nuk mund ta kalojë as nëpër mendje që rritja e cilësisë në arsim dhe zhvillimi i vendit mund të kalojë nëpërmjet reduktimit të numrit të qytetarëve që hyjnë në universitet. Një shoqëri e mirë arsimuar ka natyrshëm në gjirin e vet njerëz me dije të nevojshme për të përmirësuar veten, familjen dhe ekonominë e tyre, pa lënë mënjanë faktin se si të mirë arsimuar janë edukuar me shpirtin e sipërmarrjes, sipërmarrje të cilat në çdo shoqëri normale konsiderohen si baza ekonomike e një vendi. Universiteti ynë duket se ka prirjen për të kompletuar studentët me kartonin e diplomës dhe me idenë që të mbarojnë sa më shpejt studimet, për të zënë ndonjë punë në shtet, natyrisht duke kaluar nëpërmjet oborreve të partive shtet. Kjo frymë regresive e të menduarit të ciklit të studimeve prodhon njerëz me kartonë dhe jo qytetarë të edukuar me shpirtin e sipërmarrjes.
Arsim i pa rilindur dhe rilindje e pa arsimuar.
Kuptimi i zhvillimit të arsimit shqiptar është i rëndësishëm, për të mos thënë jetik, në kuptimin dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar, pasi paraqet pikën fillestare të analizimit të ndikimit të keqmenaxhimit të sistemit arsimor në shndërrimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, të cilët, përgjatë një shekulli e ca, vazhdimisht kanë kultivuar arsimin si një instrument të vetëdijes kombëtare.
Motoja e qeverisë në detyrë “Po bëjmë shtet”, nëpërmjet reduktimit të numrit të mësuesve dhe rritjes të tejskajshme të numrit të policëve, është prapësia më e madhe që mund të bëjë një qeveri, në rast se e bën me qëllim jetë zgjatjes së pushtetit të saj, por është marri akoma edhe më e madhe që mund ta bëjnë vetëm njerëz të pa arsimuar, në qoftë se e bëjnë nga padituria. Gjithsesi e paçin menduar, ky është treguesi më i qartë i dashakeqësisë së mirëqenies dhe mbarëvajtjes së një shoqërie.
Filozofi i lashtë Platon, kur fliste për qytetarin, njeriun social, thoshte se “njeriu është një kafshë e zbutur, të cilës po t`i japësh arsimin e duhur e shndërron në një qenie hyjnore, ndërsa po e le pa arsim shndërrohet në kafshën më të egër mbi tokë”. Tek libri “Republika”, i lashti Platon dikton se qeveria me ligjet e saj duhet të forcojë arsimin me një qëllim të vetëm , të formojë njerëz virtuozë, të dhuntuar me dituri dhe drejtësi , në mënyrë që të bëhen qytetarë perfektë, të cilët do të jenë të aftë dhe të sundojnë por edhe te sundohen drejt. Siç shihet leksionet e një republike na vijnë nga shumë larg, dhe janë ato nocione që fëmijëve, studentëve dhe qytetarëve u mësohen qysh herët, pra të dijnë sundojnë dhe të sundohen, dhe jo vetëm të sundohen siç po ndodh e si po edukohen brezat sot.
Kush qeveri nuk e kupton këtë ka gjasa që ose të jetë e pa arsimuar, ose të jetë e gjysmë arsimuar, sepse po të ishte e mirë arsimuar kjo qeveri, natyrshëm që këto probleme ekzistenciale të arsimit dhe shoqërisë nuk do të lindnin, kështu që varianti i mirëarsimimit bie dhe mbeten variantet e qeverisë së paarsimuar drejt, ose gjysmë të arsimuar. Në këtë aspekt latinët kishin një proverb edhe për njerëzit e pa arsimuar dhe gjysmë të arsimuar, e as më tepër prijësit, që në sintezë thoshte “timor hominis non indoctus, et non timor homo eruditionis, ma metum eos con medium erudites”, e cila e thënë në shqip do të thotë “frikohu nga njeriu i pa arsimuar, aspak nga njeriu tepër i arsimuar, dhe ruaju nga njeriu gjysmë i arsimuar”. Zot ruaje këtë popull nga “prijësit” e pa arsimuar.