Nga Ilir Kalemaj
Silura provokative e hedhur nga “shahisti” gjeopolitik dhe një nga diplomatët që kishte mrekulluar më shumë kryeministrin Rama deri pak kohë më parë, pra ministri i jashtëm rus Lavrov se Ballkani i Hapur ka bekimin e Moskës përkundër skepticizmit të Brukselit, nuk e frenoi kryeministrin shqiptar të argalisej me sivëllezërit ballkanikë, madje të fliste në emër të Abazoviqit kur tha se Mali i Zi i qe bashkangjitur nismës. Në fakt Mali i Zi dhe Bosnje-Herzegovina ishin aty me status vëzhguesi ndërsa Kosova refuzoi sërish të merrte pjesë.
Akoma më interesante bëhet situata nëse konsideron që hiq Abazoviqin personalisht pothuajse gjithë klasa politike në Mal të Zi është kundër projektit në fjalë. Projekt që në fakt ka marrë kritika dhe shigjetime të forta nga njohës të mirë të rajonit nga brenda dhe jashtë. Disa madje e kanë krahasuar me projektimin e Jugosllavisë së Re nën hegjemoninë serbe apo si një projekt identik me atë të “botës ruse” dhe natyrisht kjo nuk është pa gjë, se vetëm Aleksandër Vulin, krahu i djathtë në qeveri i Presidentit Vuciq e ka artikuluar në korrik të vitit të kaluar dëshirën për ta bërë realitet “botën serbe”.
Duke qenë së për shkak të faktorëve sa të brendshëm, sa rajonalë dhe sa të jashtëm që lidhen me vetë BE-në dhe shumëësinë e sfidave që është duke përballuar, procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është shtyrë në “kalendat greke”. Nga njëra anë kemi shtete si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që ende nuk kanë hapur negociatat dhe të tjerë si Bosnje-Herzegovina dhe Kosova që janë ende shumë larg këtij hapi, madje Kosova për ironi të fatit ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave. Kjo krijon një proces zgjerimi të shumë-niveleve duke krijuar asimetri të qarta në rajon.
Më tepër kjo reflektohet dhe si rezultat i përplotësimit të ndryshëm të reformave që nuk duhen asesi të bëhen vetëm për të kënaqur Brukselin apo “hedhur hi syve” me reforma në letër por që të kenë si synim parësor jo vetëm përafrimin e legjislacionit por edhe implementimin adekuat të tyre. Kjo në funksion të rritjes së standartit të jetesës, mirëqënies së qytetarëve, zhvillimit të qëndrueshëm etj.
Është e pafalshme për shembull që Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka bërë zero progres në 10 vitet e fundit në raport me konvergjencën e të ardhurave për frymë në raport me të ardhurat mesatare të Bashkimit Evropian, duke qëndruar stoikisht te 30 përqindëshi, ndërkohë që Mali i Zi e ka plot 45 përqind, serbia 43 përqind etj.
Gjithashtu në shumë parametra të tjerë, nga cilësia në arsim te financimi i kërkimit shkencor, nga raporti i konsumit dhe përqindja që zë ushqimi te shpenzimet, nga lista “gri” e pastrimit të parave te standarti i zgjedhjeve, nga anarkia institucionale te korrupsioni sistematik, nga defiçensat strukturore te një ekonomi ku dominojnë kartelet, nga fryrja e pashembullt e administratës publike te ikja e trurit, ngelemi rasti më problematik edhe në lagjen tonë të prapambetur të “kopshtit të pasëm” të BE-së.
Këto janë reforma që duhen kryer nga klasa politike në Shqipëri, ku qeveria duhet të bëjë “detyrat e shtëpisë” dhe opozita oponencën politike dhe teknike të politikave publike. Ndryshe bëjmë llogje pazari dhe qëndrojmë krenarisht në bisht të kavallit, ndërkohë që rrota e historisë ecën para.