Kredia për individët po rritet me ritme të shpejta në vitet e fundit. Por, inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit mund të përbëjnë potencialisht një faktor frenues për rritjen e mëtejshme të kreditimit të individëve
Periudha e pas-pandemisë solli një rritje të shpejtë të kredisë për individët. Cikli i ri i shtrenjtimit të pasurive të paluajtshme rriti interesin e individëve për të blerë prona, qoftë me qëllime banimi apo investimi.
Ky cikël gjeti mbështetje në një sektor bankar mjaft të interesuar, për të ulur shkallën e lartë të përqendrimit te bizneset për të diversifikuar portofolin në segmentin e individëve.
Pandemia nuk e ndikoi shumë procesin e zhvendosjes së sektorit bankar drejt segmentit retail. Bankat e perceptuan atë si një faktor me ndikim afatshkurtër dhe rritja e kredisë për individë vijoi.
Veçanërisht në vitin 2021, rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë nga efektet e fazës së parë të pandemisë u shoqërua me një shpejtim të kredisë, që mbështeti ciklin e rritjes së tregut të pronave, por edhe rimëkëmbjen e konsumit në ekonomi.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, sektori bankar dha 78 miliardë lekë, ose rreth 645 miliardë lekë kredi të reja për individët. Krahasuar me vitin 2020, kredia e re u rrit me afërsisht 35%. Shtysa kryesore ishte kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme me pothuajse 40 miliardë lekë, 53% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, edhe pjesa tjetër e portofolit, e dominuar kryesisht nga kreditë konsumatore, u rrit me afërsisht 10% krahasuar me vitin 2020.
Tashmë, portofoli i kredisë për individë ka arritur vlerën e afërsisht 242 miliardë lekëve, ose rreth 35.4% e portofolit total të kredisë për ekonominë. Pesha specifike e portofolit të individëve ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit dhe është aktualisht pranë niveleve më të larta historike.
Vlerësohet se edhe cilësia e portofolit të kredisë ka ardhur në përmirësim të mëtejshëm. Banka e Shqipërisë nuk ka publikuar një të dhënë të përditësuar për raportin mesatar të kredive me probleme në segmentin e individëve. Megjithatë, për segmentin më të rëndësishëm, atë të kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme, raporti i kredive me probleme ka zbritur në 3.1%, nga 4.3% që kishte qenë një vit më parë.
3-mujori 2022, inflacioni ende nuk po ndihet te kredia
Për momentin, trysnia në rritje inflacioniste nuk po e ndikon shumë kreditimin e individëve. Të dhënat e deritanishme dëshmojnë se kreditimi në segmentin e individëve po vijon tendencën pozitive edhe gjatë këtij viti.
Për tremujorin e parë 2022, huaja e re për individë arriti në 19 miliardë lekë, me një rritje prej 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuria e kredisë së re ka qenë paralelisht pozitive, si për kreditë për blerje banesash, ashtu edhe për kreditë konsumatore. Kredia për blerjen e pasurive të paluajtshme vijon të jetë motori kryesor që po tërheq rritjen e kredisë për individë edhe këtë vit.
Për tremujorin e parë, bankat dhanë gjithsej 9.4 miliardë lekë kredi të reja për këtë qëllim, me një rritje prej 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ecuri në rritje po shfaq edhe kredia konsumatore. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tre muajt e parë të vitit, sektori bankar dha rreth 7.6 miliardë lekë kredi të reja konsumatore (përfshirë overdraftet), në rritje me 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vilma Baçe, Anëtare e Bordit Drejtues për Biznesin Retail në Raiffeisen Bank Albania, thotë se, deri tani, nuk vërehet një rënie e kërkesës për kredi. Sipas saj, rritja e inflacionit dhe e normave të interesit vjen me një periudhë të caktuar axhustimi.
“Familjet i rregullojnë buxhetet dhe parashikimet për të ardhmen, në përputhje me rritjen e inflacionit dhe me rritjen e normave të interesit. Nëse një familje me të ardhura mesatare sot do të konsideronte të merrte një kredi, do të mbante parasysh edhe efektin e inflacionit dhe të interesave më të larta në shpenzimet e veta dhe ndoshta do ta shtynte marrjen e kredisë në një moment tjetër.
Mendoj se një rritje e ngadaltë e normave të interesit, që do t’i japë kohë axhustimit të kërkesës, nuk do të ndikojë në mënyrë të qenësishme kërkesën për kredi deri në fund të vitit”, – thotë ajo.
Kërkesa e lartë e individëve për kredi konfirmohet edhe nga Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas vrojtimit, kërkesa e individëve për kredi u perceptua e lartë, nxitur kryesisht nga kreditë për blerjen e banesave.
Sipas gjykimit të bankave, rritja e kërkesës për kredi nga individët i atribuohej nevojave të shtuara për kredi në financimin e blerjes së banesave dhe të konsumit, si dhe zhvillimeve aktuale e të pritura në tregun e banesave. Bankat, po ashtu, raportuan se fushatat e marketingut të ndërmarra prej tyre për kreditë për blerje banesash, kishin nxitur kërkesën për kredi të individëve gjatë këtij tremujori.
Nga ana tjetër, edhe bankat raportuan rritjen e shkallës së miratimit të kredive për individët. Në tremujorin e dytë të vitit 2022, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish e lartë, si ajo për blerjen e banesave, ashtu edhe ajo për financimin e konsumit.
Si statistikat e kredisë, ashtu edhe vrojtimet e kryera me bankat, tregojnë se deri tani nuk ka sinjale apo pritshmëri se rritja e inflacionit do të shkaktojë tkurrje të shpejtë të kërkesës apo të aftësisë kredimarrëse në segmentin e individëve.
Rritja e interesave, a mund ta “ftohë” tregun e pronave?
Në teori, rritja e normave të interesit të kredisë bankare mund të ketë ndikim të konsiderueshëm në tregjet e pasurive të paluajtshme. Shtrenjtimi i kredisë e bën huamarrjen për blerje prone më pak të përballueshme, duke ulur potencialisht kërkesën për prona dhe duke ndikuar negativisht ecurinë e çmimeve në këtë treg.
Edhe në Shqipëri, kredia bankare ka një rol të rëndësishëm në financimin e blerjes së pronave. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë me agjentët e pasurive të paluajtshme dhe format e ndërtimit tregojnë se, të paktën 30% e blerjeve të pronave financohen me kredi bankare.
Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët arriti vlerën e 152 miliardë lekëve, ose rreth 1.26 miliardë eurove. Me bazë vjetore, stoku i kredisë rezulton në rritje me 17%. Normat e ulëta historike të interesit dhe oferta e lartë e bankave në këtë segment kanë qenë, pa dyshim, një faktor nxitës në vendimmarrjen për blerjen e pasurive të paluajtshme, qoftë për banim apo si formë investimi.
Për momentin, bankierët nuk besojnë se një rritje graduale e normave të interesit do të sjellë ndikime të mëdha në ecurinë e kredisë për blerjen e pronave dhe në tregun e pasurive të paluajtshme.
“Më shumë sesa rritja e normave të interesit të kredisë, mendoj se ndikimi më i madh do të vijë nga rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe disbalanca që ekziston midis çmimit të tyre dhe të ardhurave të individëve, shumë e theksuar kjo sidomos për Tiranën dhe qytetet e tjera të mëdha, që mbajnë dhe pjesën kryesore të këtij tregu.
Familjet shqiptare përgjithësisht priren nga dëshira për të jetuar në shtëpinë e tyre, sesa me qira, gjë që do ndikonte në amortizimin e këtij efekti në një periudhë afatshkurtër”, – thotë Liljana Shkodra, Anëtare e Bordit të Menaxhimit dhe Drejtore e Divizionit Retail në Bankën OTP Albania.
Çmimet e banesave kanë vijuar rritjen edhe në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 8.4%% krahasuar me gjashtëmujorin e parë dhe me 9% me bazë vjetore. Ky ndryshim tregon se, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2021, rritja e çmimeve të banesave në vend është përshpejtuar ndjeshëm.
Megjithatë, duke iu referuar vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e çmimit të banesave rezultoi më e ngadalësuar, krahasuar me nivelin 11.3% të vitit 2020.
Tendenca e rritjes së çmimeve të banesave ka vijuar edhe për tregun më të madh të pronave në vend, atë të Tiranës. Çmimet e banesave në kryeqytet u rritën me 8.5% krahasuar me 6-mujorin e dytë 2020 dhe me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për Tiranën, rritja vjetore e çmimeve rezultoi më e lartë krahasuar me nivelin 8.9% që ishte regjistruar në vitin 2020.
Numri i njësive të shitura në zonat më të preferuara të kryeqytetit ishte dy herë më i lartë në krahasim me vëllimin e shitjeve të realizuara gjatë gjysmës së parë të vitit. Për shkak të çmimeve më të larta të kësaj zone, ky zhvillim përfaqëson edhe faktorin kryesor pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të banesave gjatë periudhës.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë konfirmon se çmimet e pronave vazhdojnë të rriten, ndonëse me ritme disi më të ngadalta krahasuar me vitin 2020. Pritshmëritë e agjentëve të tregut janë përsëri optimiste për të ardhmen e afërt, pavarësisht zhvillimeve inflacioniste. Agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare.
Sidoqoftë, vrojtimi i këtij gjashtëmujori është kryer para shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe nuk përfshin ndikimin e mundshëm të këtij faktor në perceptimin dhe pritshmëritë e aktorëve të tregut.
Edhe për sa i takon ofertës, Banka e Shqipërisë evidenton se kredia për ndërtim shënoi ritme të larta rritje, duke u zgjeruar me 27% krahasuar me vitin 2020. Një tjetër tregues i ofertës, numri i lejeve të ndërtimit, shënoi rritje të shpejtë vitin e kaluar. Mbështetur në të dhënat e INSTAT, gjatë vitit 2021 u dhanë pothuajse 1400 leje të reja ndërtimi, në rritje me 45% krahasuar me një vit më parë.
Depozitat japin sinjale rënieje
Nëse inflacioni i lartë nuk ka sjellë ende ndonjë efekt të dukshëm në ecurinë e kredisë për individë, duket se pasojat e para po ndihen në ecurinë e depozitave bankare. Depozitat kanë pësuar rënie për dy muaj radhazi në shkurt dhe mars, gjë që mund të jetë një dëshmi e faktit se inflacioni i lartë e ka ulur aftësinë e agjentëve ekonomikë për të kursyer.
Në fund të muajit mars, depozitat e përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë kishin vlerën e rreth 1.23 trilionë lekëve. Gjatë dy muajve të fundit, totali i depozitave ka pësuar rënie me afërsisht 7 miliardë lekë. Rënia ka ardhur kryesisht nga depozitat në monedhën vendase, që në dy muaj janë tkurrur me rreth 11 miliardë lekë. Rënia ka qenë më e theksuar në segmentin e biznesit, por megjithatë një rënie e lehtë është shënuar edhe te depozituesit individë.
Prej vitit 2020, depozitat bankare shënuan rritje me ritme të larta, të ndikuara fillimisht nga pasiguria që krijoi pandemia dhe më tej edhe nga një rimëkëmbje e ekonomisë. Vitin e kaluar, depozitat totale në banka u rritën me afërsisht 12%, ritmi më i shpejtë i rritjes së tyre në një dekadë.
Por, rritja e inflacionit dhe shtrenjtimi i jetesës, që është bërë gjithnjë e më i prekshëm në pjesën e parë të këtij viti, natyrshëm ul aftësitë e familjeve për të kursyer dhe në këto rrethana, është e pritshme që minimalisht rritja e depozitave të ngadalësohet krahasuar me dy vitet e fundit.
Nga ana tjetër, rritja e normave të interesit do të reflektohet gradualisht edhe tek interesat e depozitave, duke e bërë mbajtjen e parave në bankë më fitimprurëse. Ky faktor, në teori, do të ndikojë në kahun e kundërt, duke rritur stimujt për të kursyer. /Monitor/