Nga data 27 prill nis programi i javëve kulturore në Shqipëri me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 18 vende të botës. Ministrja Margariti gjatë një konference për shtyp së bashku me kryeministrin Edi Rama bëri me dije edhe fondin publik i cili është vënë në dispozicion për mbulimin e aktiviteteve.
“Është një fond le të themi modest, megjithatë është mëse i mjaftueshëm për faktin që do të jetë një arkë e përbashkët e shtetit shqiptar dhe të gjitha vendeve partnere. Janë 100 milionë lekë të reja ato që janë vënë në dispozicion të kësaj nisme për këtë vit startimi dhe do të jetë edhe ky një vit që do të na lërë të kuptojmë cilat do të jenë buxhete e nevojshme në vazhdimësi”, tha ministrja.
Ndërkohe, kryeministri Rama deklaroi gjatë konferencës se vonesa e ndërtimit të Teatrit kombëtar lidhet me faktorë që nuk janë në dorë të qeverisë, si lufta në Ukrainë, tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia Covid-19. “Fatkeqësisht tërmeti, pandemia, lufta që ka nisur në Ukrainë e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të ndërtimit në veçanti. Duhet t’i referohemi faktit të fundit që ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Por projekti është”, tha Rama.
Lidhur me nismën “Shqipëria mikpret botën”, Rama tha se “ne synojmë të jetë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por dhe argëtimit të qytetarëve apo edhe të vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë”.
Ai shtoi se kjo është një mundësi për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme, ndërkohë që kjo javë do të jetë e Francës, për të vijuar më pas edhe me vendet e tjera. “Do përfshihen aktivitet më popullore, aktivitete në rrugë, tradita e gatimit të vendeve të tjera”, tha ai.