Ndërsa nuk e ndajnë duhanin, shqiptarët nuk janë të prirë për të konsumuar alkool, të paktën zyrtarisht. Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe Eurobarometrit për vitin 2016, konsumi i alkoolit për frymë në Shqipëri është rreth 5 litra në vit, duke qenë i dyti më i ulët në Europë. Vendi që konsumon më pak alkool në Europë është Maqedonia, me më pak se 2 litra për frymë në vit. Raporti e lidh konsumin e ulët të alkoolit në këto dy vende me faktin që ato kanë një peshë të lartë të popullsisë myslimane.
Megjithatë për Shqipërinë, konsumi i ulët zyrtar i alkoolit mund të lidhet me faktin se prodhimi i verës dhe sidomos i rakisë, që është pija e preferuar e shumë shqiptarëve është në një pjesë të madhe informal dhe artizanal (shënim i Monitor).
Të dhënat e tjera po të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se konsumi i paregjistruar i alkoolit në Shqipëri është 2.1 litra, duke e çuar në total në 7 litra, që ende mbetet shumë më i ulët se i vendeve të tjera të Europës. Nga vendet e rajonit, konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit janë serbët, me gati 10 litra.
Sipas OBSH, në Shqipëri 30% të konsumit të alkoolit e zë birra, 20% vera dhe 50% pijet e tjera alkoolike.
Ndërsa nuk konsumojnë alkool, shqiptarët janë ndër pirësit më të mëdhenj të duhanit në Europë. Të dhënat tregojnë se Shqipëria renditet në vendin e katërt në Europë për sa u përket shitjeve të cigareve për frymë për moshën mbi 15 vjeç, me rreth 2 mijë fije cigare në vit të shitura për frymë, sipas të dhënave të Project Sun, të kryer nga firma audituese KPMG. http://www.monitor.al/shqiptaret-sa-duhanpires-te-katertet-ne-europe/
Ja vendet që pinë më shumë alkool në Europë
Pa dyshim që kryesojnë vendet e ftohta edhe në renditjen globale, ku konsumatorët më të mëdhenj janë Bjellorusia, Moldavia, Lituania, Rusia me rreth 17-18 litra për frymë në vit.
Në Bashkimin Europian, konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit janë Austria, Belgjika, Republika Çeke, Islanda, me rreth 14-15 litra për frymë në vit.
Raporti thekson se ndryshe nga konsumi i cigares, alkooli si një faktor rreziku, nuk është gjithmonë i dëmshëm. Sipas shumë studimeve rezulton se një konsum modest i alkoolit (ekuivalente e një gote verë në ditë për gratë dhe 1-2 gota verë në ditë për burrat) redukton rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës, sesa ata që nuk e konsumojnë fare alkoolin.
Në anën tjetër, pirja e sasive të mëdha të alkoolit në raste të veçanta është i njohur për rreziqet për sëmundjet e zemrës dhe gjithashtu për disa lloje kanceri.
Shtetet që konsumojnë më pak alkool
Shtetet që konsumojnë më pak alkool në botë, me vetëm 0.1 litër për frymë në vit janë Kuvajti, Libia, Mauritania dhe Pakistani. Këto janë përgjithësisht vende myslimane, ku përdorimi i alkoolit është i ndaluar.
Monitor.al