Reperi i njohur shqiptar, Unikkatil, ka bërë një postim të gjatë në Facebook lidhur me dallimet mes dialekteve të gjuhës shqipe toskë e gegë.
Sipas reperit dallimet mes dialekteve janë kriminale. Ai kërkon që gegërishtja të kthehet si gjuhë standarde në rajonet veriore. Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Viktor Paloka, thotë se është krim që t’i thuhet një fëmije nga veriu se nuk e di gjuhën shqipe vetëm se nuk e njeh dialektin toskë.
Postimi plotë i reperit shqiptar:
“Dallimet mes Shqipes Gheg (Arbënishtes/Arbanishtes) e Shqipes Tosk (Arbërishtes) jòn substanciale e ôsht kriminale me e lejú njonën me u zhdukë sherri i tjetrës, sepse të dyjat jòn barabar të bukura. Ôsht kriminale edhe me i thônë nji fëmije të veriut: “ti nuk e njeh Shqipen” nëse ata thjeshtë nuk e njohin dialektin Tosk (standardin e imponúm për arsye vetjake) e padrejtësisht me krijú kompleks inferioriteti në mendjen e tyne. Fëmija verior shkollën fillore e kanë ferr sepse torturohen kur mësojnë landët në nji dialekt totalisht ndrýshe nga ai që e folin e që me vështirësí e kuptojnë. Kjo në shumicën e rasteve rezulton në analfabetízëm funksional e ky ôsht simptom tashmô i dítun i popullit tonë që duhet luftu me mish e me shpírtë. Në fakt ky ôsht thelbi i analfabetizmit funksional në popull tonë. Ka ardhë koha që Shqipja Gheg, me u kthý si gjuhë standarde në veri të trojeve tona e Toskëríshtja, le të mbetë standarde në jug. Mbetet evidente që kjo ôsht e pashmangshme e nuk kena kah me i ikë përndryshe kemi me pagú çmim të naltë me dômtim të matejshëm të fëmijëve tonë. Si zyrtare shtetnore le të mbesin të dyja. Kemi Zvicrën, Belgjikën etj. që kanë dy trí gjuhë të ndryshme zyrtare e gëzojnë sukses pa asnji ndamje. Mirëpo prap, nëse keni aq brengosje për ndamje atëherë praktikoni reciprocitet e le të studiohet e mësohet edhe nëpër shkolla në jug Gegnishtja, jo si standard po si orë e veçantë, e në veri Toskërishtja, prap jo si standard po orë e veçantë. Sidokoftë, nuk bôn në asnji mënýrë me u imponu si standard dialekti jugor në verí e ai verior në jug. Njôjt isha indinju nëse jugu ish detyrú me përdorë dialekt verior sepse nuk bôn me hupë asnjôni. Ju përshendes në nën-dialektin Gheg Verilindorë!”