Nga Ilir Kalemaj
Këtu te ne duket se zgjedhjet nuk përfundojnë kurrë. Natyrisht është karakteristikë e fushatave moderne, vencarisht atyre amerikane që sot merren si model anembanë botës që zgjedhjet e ardhshme fillojnë në momentin që sapo kanë mbaruar ato aktualet por kjo lidhet me grumbullimin paraprak të fondeve nga kandidatët (fundraising), me lëvizjet demografike që përcaktojnë kufijtë e rinj elektoralë (gerrymandeering) dhe të tjera karakteristika indiosinkratike të zgjedhjeve amerikane që kryhen në nivel federal, shtetëror dhe lokal. Ndërsa te ne që gjithsej jemi sa një lagje e vetme e New York City, zgjedhjet gjithashtu duket se nuk kanë fund kurrë. Cikle që pasojnë njëri-tjetrin ku shumëcka lëviz dhe gjithcka qëndron në vend.
Problematika e zgjedhjeve të fundit parlamentare të një viti më parë ende nuk është fashitur ndërkombëtarisht po të lexojmë raportet radhazi që kanë ardhur nga burime serioze, nga raporti paraprak i OSBE-ODIHRit deri te raporti i fundit i DASH. Krahas këtyre, Transparency International, Freedom House e të tjera raporte të rëndësishme të vitit që lamë pas renditën problematikën që kishte shoqëruar këto zgjedhje, si për shembull database i patronazhistëve të paguar me fonde publike, që shkelnin ligjet dhe ligjësitë e privacisë dhe u përdorën rëndom për shantazh politik. Apo përdorimin e administratës publike, përdorimin e fondeve të rindërtimit në mënyrë selektive për të favorizuar rezultat elektoral në favor të partisë në pushtet apo përdorimin e parave të botës së nëndhenshme për të financuar tjetërsimin e votës.
Pa u mbyllur viti që lamë pas, dy kuvende të Partisë Demokratike pasuan me shpejtësi dhe ashpërsi njëri-tjetrin, duke thelluar hendekun që u bë edhe më i thellë pas bravave, blindave dhe varreve të 8 janarit. PËr të mbërritur në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit që certifikuan fitues absolut PS-në në pesë nga gjashtë bashki por u interpretuan gjerësisht si një proces referendar brenda PD-së cka tregoi një epërsi të qartë numerike të Rithemelimit ndaj PD-së së Bashës. Ndërkohë që vendimi i Zhukrit e certifikoi edhe ligjërisht duke bërë që Rithemelimi të filloj të organizojë zgjedhjeve blitz nëpër Shqipëri të cilat më tepër e kanë ndarë partinë, të paktën në nivelet e saj të larta politike, sesa e kanë bashkuar, pavarësisht një mazhorance të ndjeshme numerike në bazë. Por që është gjithsesi e pamjaftueshme për të sifduar pushtetin politik në Shqipëri. Zgjedhjet brendapartiake në PD do të kulmonojnë me zgjedhjen e të gjitha organeve drejtuese deri në 30 Prill dhe ato për kryetar ndoshta brenda majit, ndërkohë që partia mund të shkojë drejt ndarjes faktike, të paktën brendapërbrenda grupit parlamentar si organi më i lartë politik dhe përfaqësues që nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme do vijojë të jetë i tillë deri në vitin e largët 2025.
Ndërkohë koha nuk pret dhe motorët duhet të ndizen fuqishëm në fillim shtatori nëse opozita nuk do të dojë të shkojë me shpejtësi dhe siguri drejt disfatës elektorale të radhës. Ndërkohë që brezi i ri po vijon të largohet me shpejtësi sic raporton së fundmi INSTAT ku grupmosha 20-24 shënoi rënien më të fortë të popullisë përgjatë 2021shit. Nismat e reja qeveritare si legalizimi i kanabisit mjekësor dhe aministia fiskale, me gjasë do ta thellojnë hendekun mes palëve ku pritet nja valë e re penetrimi i parasë së pistë për të blerë vota dhe influencë politike. Ky është një cikël vetpërmbushës dhe shkatërrues pasi do të conte në rrënim të mëtejshëm të konkurrencës së lirë, në një eksod edhe më të madh të rinisë, fuqisë punëtore të kualifikuar dhe trurit dhe në një opozitë edhe më të degraduar, e rënduar psikologjikisht akoma më shumë nga disfata e radhës.
Ndërkohë do të duhej që brendapërbrenda kampit opozitar të kishtë minimalisht një dakordësi parimore mbi shtyllat e një sistemi zgjedhor përfaqësues, për shembull proporcionali kombëtar me lista të hapura, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do të rrisnin cilësinë e përfaqësimit dhe kulturën e ndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit, vençarisht kur krijon lidhje të shkurtra me politikën. Gjithashtu, e vlerësuar do ishte përpjekja për depolitizimin e administratës publike dhe mospërdorimin e prerë të saj në fushata elektorale, një ligj i dakordësuar për ta bërë transparent dhe të besueshëm rregullimin e financimit të partive politike etj. Kjo dakordësi që kërkon liderë të përgjegjshëm dhe vizionarë, do të shmangte pazaret afatshkurtra kulisash që do të riprodhonin krizën dhe na fusnin në një qerthull vicioz në vend që të jepnin zgjidhje afatgjatë. Nëse opozita do t’i përmbahej premisave të mësipërme, do arrijë të ketë dhe të ruajë një epërsi morale që mund ta shfrytëzojë në favorin e saj elektoral në rast se krijohen kushtet për rregulla të barabarta loje, ku topin mos ta shkelmojë vetëm ai që e ka aktualisht dhe penalltinë ta bëjë po vetë.
Që faktori ndërkombëtar është më i interesuar në stabilitokraci se sa në kultivimin e kredenciale demokratikë nëse i vëmë në peshore, kjo nuk do mend, as kalem. Në fakt është një nga tezat më të artikuluara në literaturën e tranzitologjisë vençarisht për vendet e Ballkanit Perëndimor vitet e fundit. BE, e lodhur nga zgjerimi qysh prej dy dekadash dhe së fundmi e ballafaquar me probleme të shumëfishta që variojnë nga BREXIT-i te valët e refugjatëve dhe emigrantëve ekonomikë, nga kriza në eurozonë te shpërthimi i partive ekstremiste dhe sidomos së fundmi agresioni rus mbi Ukrainën ka pak apo aspak energji të merret aktivisht me reformimin e vendeve përjetësisht kandidate. Realisht prej kohësh, kumti politik i BE-së ka qenë që secili vend kandidat do të gjykohet prej reformave të kryera dhe Shqipëria prej vitesh tashmë po dështon të cel negociatat. Po të marrësh parasysh që Serbisë dhe Malit të Zi ju deshën vetëm dy vjet nga marrja e statusit kandidat për të hapur negociatatat e antarësimit, që Maqedonia e Veriut është e sigurtë që do i hapë në qershor të këtij viti dhe Shqipëria dështon për të pestin vit radhazi, ka pak shpresë se ndryshimi do të vijë nga jashtë dhe zgjidhja e gatshme.
Zgjedhjet janë pjesë e funksionimit normal të një demokracie por shpesh për shkak të miopisë politike, nuk kuptohet që janë gjithashtu një instrument i rëndësishëm i stabilitetit të një vendi. Që Shqipëria të ketë stabilitet afatgjatë duhet të dijë të organizojë zgjedhje të lira, të pakapura dhe të painfluencuara, ku vullneti i zgjedhësve mos të deformohet dhe natyrisht mandej të pakontestuara. Vetëm kjo mund ta vejë vendin në binarët e legjimitetit politik dhe rritjes së cilësisë së qeverisjes dhe ndërmarrjes së reformave të qëndrueshme.
Kërkesa e opozitës është të krijohen premisat dhe infrastruktura e nevojshme kushtetuese, ligjore dhe institucionale që të garantohet paprekshmëria e votës, besueshmëria e procesit të votimit, integriteti i administratës publike dhe prerja e lidhjeve të shkurtra krim-politik. Gjithashtu krijimi i një instrumenti anti-mafie që do të parandalojë efektivisht pastrimin e parave, godasë korrupsionin ku sivjet kishim rrëshqitur edhe ca vende më poshtë sipas raportit të fundit të Transparency International dhe rritur përfaqësimin qytetar në proceset politike, çka është dhe thelbi i demokracisë pjesmarrëse.
Natyrisht opozita nuk kërkon dhe as nuk duhet kurrsesi të pretendojë pushtet në tavolinë apo rrugë të shkurtra përmes kulisash që sjell rotacion të paqëndrueshëm pushteti. Opozita duhet të kontestojë parimisht, të reflektojë thellësisht, të krijojë instrumentë të besueshëm qarkullimi elitash mes vedi përpara se ta kërkojë pushtetin për të qeverisur krejt shqiptarët dhe të arrijë të ruajë epërsinë morale në një luftë të pabarabartë. Kjo duke qenë se mazhoranca ka në dorë edhe gurin, edhe arrën. Edhe pushtetin, edhe shtetin. Opozita nuk është vetëm numra. Mbi të gjitha është frymë dhe si e tillë duhet të dijë të ngjallë shpresë dhe besim se do të dijë të sillet me përgjegjësi dhe vizion.