Taulant Balla tha në një prononcim për gazetarët nga Ballshi se nesër – me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, do të nisë edhe puna për zgjedhjen e Presidentit të ri.
“Procesi që PS për herë të parë drejton në mënyrë të drejtpërdrejtë të zgjedhjes se presidentit të Republikës pas shume vitesh do të jetë shumë transparent dhe një proces që do të këtë një standard për zgjedhjen e presidentit pas kësaj radhe. Ne na duhet një president që të respektoj normën kushtetuese, president normal dhe mbi të gjitha një president që na bashkon. Një president që përfaqëson unitetin kombëtar. Ky do të jetë një proces që fillon prej ditës së nesërme e që do të ecim përpara. Procesi ka disa garanci dhe disa verifikime”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.
Më herët, ai ka paralajmëruar një proces konsultimi me aktorët politikë në vend për Presidentin e ri. Por, nga ana tjetër, deputetë të mazhorancës kanë deklaruar se s’do ketë bisedime e PD e drejtuar nga Komisioni i Rithemelimit. Sali Berisha, ndërkohë, ka deklaruar se në parim s’do të votohet për asnjë prej propozimeve të mazhorancës. “Çdo emër i Edi Ramës është një sozi e tij”, është shprehur ish-kryeministri.
Megjithatë, PS i ka votat për zgjedhjen pa konsensus të Presidentit të ri në raundin e katërt, ku mjafton konsensusi i 71 deputetëve.
Nisur nga ky fakt, në një deklaratë për mediat javën e kaluar, Presidenti në detyrë Ilir Meta tha se çështja s’ka interes. “Lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri, kjo temë s’përmban asnjë interes për mua për arsye se është shumë e qartë që mazhoranca aktuale thjesht dhe jo vetëm për zgjedhjet e 25 Prillit, i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur një President të sajin dhe s’shoh asnjë arsye për tu bërë pjesë e një argëtimi publik lidhur me çështjen e Presidentit”, tha Meta, mandati i të cilit mbaron më 24 Korrik të këtij viti.
Emrat e parë që përfliten si të zgjedhurit e Edi Ramës për postin e kreut të shtetit janë deputetët socialistë Mimi Kodheli dhe Pandeli Majko.
Lexo edhe:
Presidenti i ri, Balla: Ftojmë për konsultim Enkelejd Alibeajn, Mesila Dodën dhe Fatmir Mediun