Shkrimtarja Rita Petro ka postuar në llogarinë e saj në Facebook një postim që duhet lexuar nga çdo vajzë e çdo grua.
Rita shkruan se një femër shqiptare s’ka nevojë të shndërrohet në një “burrë arrogant”, për të sfiduar pengesat që has çdo ditë nga stereotipat gjinorë.
“Fuqia dhe suksesi i një gruaje ka vlerë, kur e arrin vetë atë dhe jo kur e merr si dhuratë nga burrat e pushtetshëm. Kur ajo e fiton vetë, nuk e shfrytëzon asnjëherë për të patur kontroll mbi të tjerët dhe nënshtrim ndaj atij që i detyrohet. Përkundrazi, një grua vërtet e pushtetshme e ka zbuluar, së pari, këtë forcë brenda vetes së bashku me bukurinë e feminitetit të vet. Dhe s’ka hiç nevojë të shndërrohet në një “burrë arrogant”, për të sfiduar pengesat që has çdo ditë nga stereotipat gjinorë.
Në shoqërinë shqiptare gruaja e ka dyfish vështirë, pasi kur arrin majën e suksesit dhe ka pushtet intelektual, profesional e material, sulmohet edhe nga burrat, edhe nga gratë.
E kundërta ndodh me një burrë të suksesshëm, që admirohet edhe nga gratë, edhe nga burrat.
Nga ana tjetër, gratë luftojnë ashpër për vendin e parë, kur atje është një grua, ndërsa kur është aty një burrë, nuk e kanë problem që qetësisht të kalojnë në vendin e dytë.
Gjithsesi, pushteti i bukur femëror ka kohë që po sfidon e po hap dritare, teksa heq tulla në muret e shoqërisë së mbyllur shqiptare.”