Aqif Rakipi, ish-deputet i PS, dhe Ylli Ndroqi, biznesmen dhe pronar mediash, janë përfshirë në listën e sanksioneve nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Në sqarimet zyrtare që jepen edhe sqarimet pse në atë që konsiderohet si “lista e zezë” përfshihen emrat e Rakipit dhe Ndroqit.
Në dokumentin e publikuar nga Departamenti amerikan i Thesarit, thuhet se krimi i organizuar mbetet një çështje e rëndësishme në Shqipëri.
Aqif Rakipi u angazhua në politikë fillimisht me PDIU dhe më pas u shfaq si një nga personat e afërt të Kryeministrit Edi Rama, deri në momentin e humbjes së mandatit të deputetit. Por në zgjedhjet e fundit parlamentare, Rakipi arriti që të përfshijë në listën e kandidatëve për deputet të PS, djalin e tij, i cili mori mandatin e deputetit në Tiranë.
Në rastin e ish-deputetit të PS, thuhet se ai është i përfshirë në krim të organizuar, ndërsa për Ndroqin thuhet se me mediat e tij ka shantazhuar.
“Aqif Rakipi (Rakipi) është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike.
Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit.
Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë”, thuhet në argumentat e dhëna nga SHBA.
Në vijim theksohet se Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim.
Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.
Ndërsa për Ylli Ndroqin, në njoftimin zyrtar thuhet se ai është një pronar mediash, pasuritë e të cilit u sekuestruan nga qeveria shqiptare në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale.
Në vijim thuhet se Ndroqi ka shfrytëzuar mediat që më parë kanë qënë nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarë shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve të reklamave në këmbim të mospublikimit të artikujve negativë në media.
Gjithashtu, Ndroqi ka ndërmjetësuar ryshfete për llogari të një subjekti që kërkonte të bënte biznes në Shqipëri.
Ndroqi përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada e SHBA në Tiranë informon se Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor.
Ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë dhe që shënjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.
Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E tillë sjellje korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet.
“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
“Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është përparësi kryesore e administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbajtur përgjegjës aktorë të korruptuar dhe destabilizues”.
Ky vendim i bën ata dhe pjesëtarët e familjes së tyre të ngushtë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.