Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se “sot fermerët dhe agrobiznesi kanë një mundësi më të mirë për të përfituar financim përmes Fondit të Garancisë, i vënë në dispozicion nga BERZH dhe Qeveria Shqiptare”.
E pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së huasë, për programin e BERZH-it në mbështetje të Agrobiznesit dhe Turizmit në Shqipëri, Krifca vuri në dukje se, “eksperienca pozitive në këto vite për financimin e sektorit të bujqësisë nëpërmjet skemave mbështetëse dhe programit IPARD, ka çliruar potenciale të reja dhe ka rritur kërkesën e fermerëve, eksportuesve dhe agrobiznesit për financim”.
“Për më tepër sot, tha ajo, në kushtet e ndryshimeve globale dhe me tronditjen e zinxhirit global për bujqësinë është kthyer në domosdoshmëri rritja e financimit edhe për kultura jo shumë të përhapura në Shqipëri, si gruri dhe mistri, pa lënë mënjanë perimet, frutat dhe përpunimin e tyre me të cilat Shqipëria është përfaqësuar denjësisht në tregun kombëtar dhe atë ndërkombëtar”.
“MBZHR sheh se prodhuesit dhe përpunuesit kanë të gjithë hapësirën për t’u rritur me qëllim rritjen e prodhimit, punësimin dhe zhvillimin e sektorit. Në këtë kontekst më vjen mirë kur shoh që fondet drejtuar bankave tregtare për të kredituar fermerët dhe bujqësinë po rriten. Fondi i Garancisë së BERZH me 180 milionë euro në dispozicion të bujqësisë, agrobiznesit, agropërpunimit dhe agroturizmit, zgjeron rrjetin e bankave që do të mund të ofrojnë kredi të lehtësuara, me rrezik të garantuar nga Qeveria Shqiptare”, u shpreh Krifca.
Ministrja u ndal gjatë fjalës së saj edhe në prioritetet e qeverisë për bujqësinë në Shqipëri.
“Në 3-muajt e parë dhe të vështirë të këtij viti, ia kemi dalë që eksportet bujqësore të rriten në 10 milionë euro në vlerë dhe 24% më shumë në volume. Synojmë rritjen e bujqësisë përmes zgjerimit të bashkëpunimit mes fermerëve, diversifikimin e eksporteve, zhvillimin e fshatit përmes agroturizmit, ku fermerët të shesin në këto 1 mijë tregjet e vogla agroturistike, apo edhe futjen e teknologjive të reja të prodhimit që rrisin standardete. Nëpërmjet Skema Mbështetëse kemi rritur formalizimin e bujqësisë”, tha Krifca.
“Në 3 muaj kemi rreth 20 mijë fermerë të të cilët aktivizojnë një numër NIPT -i të ri”, bëri të ditur ministrja, teksa i bëri apel bankave të rrisin kreditimin në bujqësi pasi edhe qeveria po rrit instrumentat në mbështetje të financimit të këtij sektori.