Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka ndezur edhe njëherë përplasjet mes saj dhe Komisionit të Rithemelimit, që zyrtarisht me vendim gjykate drejton Partinë Demokratike.
Kim sot zhvilloi një takim me Enkelejd Alibeajn, i cili është njohur si Kryetar i Grupit Parlamentar të PD nga të gjitha palët në partinë më të madhe të opozitës, por në postimin e saj në Twitter ajo e cilëson si ushtruesin e detyrës së Kryetarit të PD.
Ky qëndrim ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike, e cila prej 25 marsit drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit, duke akuzuar diplomaten amerikane se po i shërben Edi Ramës.
“Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojrave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët”, thuhet në reagimin zyrtar të PD.
Por si nisi përplasja mes Kim dhe opozitës?
Përplasjet mes diplomates amerikane dhe opozitës kanë nisur që me nisjen e negociatave lidhur me reformën zgjedhore, kohë kur deputetët e PD dhe LSI kishin djegur mandatet e deputetëve, ndërsa në Kuvend kishin hyrë disa emra nga listat shumëemërore që u konsideruan si “opozita fasadë”.
Pas disa përpjekjeve, u krijua Komiteti Politik me përfaqësues nga PD, LSI, PS dhe Rudina Hajdari, e cila nuk dogji mandatin e deputetes dhe përfaqësonte atë që konsiderohej si opozita parlamentare. Palët vijuan negociatat pa arritur ndonjë marrëveshje, ndërsa më pas në lojë hyri diplomatja amerikane, e cila zhvendosi bisedimet nga Pallati i Kongreseve në rezidencën e saj diplomatike.
Në 5 qershor, bashkë me disa diplomatë të tjerë, diplomatja amerikane doli në një deklaratë për mediat ku shprehej se “topi ishte në fushën e Lulzim Bashës (në atë kohë kryetar i PD), duke i drejtuar një thirrje që të pranonte marrëveshjen”. Basha firmosi marrëveshjen pak ditë më pas me ndërmjetësimin e ambasadorit gjerman në Tiranë, por gjithçka u përmbys, kur Edi Rama në mënyrë të njëanshme miratoi në Kuvend disa ndryshime Kushtetuese, të cilat nuk lejonin partitë të garonin me koalicione. Në atë kohë diplomatja amerikane nuk kundërshtoi asnjë nga lëvizjet e Ramës, i cili në publik i paraqiti si kërkesa nga ajo që e quante “opozita parlamentare”, por që në fakt luajti rolin e një fasade parlamentare.
Ndryshimet Kushtetuese favorizuan Edi Ramën në zgjedhjet e 25 prillit, duke i dhënë mandatin e 3-të si Kryeministër, ndërsa pa u mbyllur procesi i numvrimit të votave diplomatja amerikane nxitoi të uronte fituesin, pra Ramën, gjë që u pasua edhe me një deklaratë nga DASH.
Rreth 3 javë pas zgjedhjeve për opozitën do të vinte një tjetër goditje, kur Sekretari amerikan i Shtetit, shpalli “non grata” ish-Kryeministrin Sali Berisha, 8 vjet pas dorëzimit të pushtetit. Menjëherë pas këtij vendimi, nisi presioni i diplomates amerikane ndaj Lulzim Bashës për të larguar Berishën nga PD, për të mos e lejuar të hynte në Kuvend, si deputet. Presioni u intensifikua pas heshtjes disa mujore të Lulzim Bashës, i cili në atë kohë edhe me suportin e Berishës, mori mandatin e 3-të si kryetar i PD, edhe pse kishte humbur disa përballje elektorale me Edi Ramën.
Kulmi i deklaratave të ambasadores Kim, erdhi pak ditë para datës 9 shtator, ditë kur Lulzim Basha njoftoi vendimin se Berisha nuk do të ishte pjesë e grupit parlamentar të PD.
Kim, nga shkallët e selisë së demokratëve, iu drejtoi një apel “për të mos ngrënë bar”, duke u pasuar më pas me një reagim të fortë të ish-Kryeministrit, i cili kërkoi nga diplomatja që ti kërkonte ndjesë demokratëve.
Berisha nisi një tur takimesh në bazën e PD që e pagëzoi me emrin “Foltorja” ku herë shigjetonte Lulzim Bashënpër vendimin e largimit nga Grupi Parlamentar dhe herë diplomaten amerikane për qëndrimet e saj, që i shërbenin Edi Ramës. Ish-Kryeministri e përmbylli turin e takimeve me mbajtjen e një Kuvendi Kombëtar, të thirrur nga anëtarësia e PD, ku me 11 dhjetor, përmes ndryshimeve statutore zeroi vendimmarrjet e Bashës dhe e gjithë kupola drejtuese e PD u shkarkua nga funksionet.
Gjithashtu diplomatja amerikane, pas 11 dhjetorit nuk nguroi të shfaqej hapur në mbështetje të Bashës, ndërsa ky i fundit bunkerizoi partinë, ngjarje që u pasuan me përplasjen e 8 janarit.
Pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, ku Berisha vendosi që në 6 bashki të vendit të kandidonte me një koalicion që u quajt “Shtëpia e Lirisë”. Në mes të fushatës, diplomatja amerikane u shfaq sërisht me një mesazh provokativ, duke i kërkuar qytetarëve të mos votonin kandidatët e mbështetur nga një “non grata”. Por duket se zgjedhjet treguan se kandidatët e Berishës u votuan më shumë se ata të mbështetur nga Lulzim Basha, madje fituan edhe Bashkinë e Shkodrës. Ky rezultat u konsiderua jo vetëm si një dështim i Bashës, por edhe si një dështim i diplomates amerikane, e cila për javë me rradhë nuk reagoi, deri në takimin e sotëm me Alibeajn, që duket se ktheu përplasjet me deklarata mes saj dhe PD-së.
Dhe përtej ndërhyrjeve në përplasjet apo zhvillimet në rradhët e partisë më të madhe opozitare, diplomatja nuk ka kursyer shfaqjet në krah të Edi Ramës apo figurave të tjera të së majtës, gjë që janë interpretuar si një mbështetje që ajo i ka dhënë Qeverisë, e cila po nga raportet vjetore të DASH etiketohet për nivelin e lartë të korrupsionit.