Të paktën tre persona janë vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur nga sulmi me raketa në ndërtesën e administratës rajonale në Mikolajiv, njoftoi shërbimi i emergjencave të Ukrainës.
“Ne jemi duke kryer një operacion shpëtimi. Për momentin janë gjetur 8 civilë të bllokuar në rrënoja dhe ne po punojmë për t’i nxjerrë jashtë. Mbi 50 persona dolën me lëndime të ndryshme”, tha Vitaly, Kim, Kryetar i Mikolajivit.
Komandanti i lartë ushtarak ukrainas i ngarkuar me mbrojtjen e kryeqytetit Kiev tha se forcat ukrainase kanë rimarrë pjesën më të madhe të Irpin, një periferi e Kievit
“Luftimi pothuajse ka përfunduar. Situata në qytetin Irpin është nën kontroll. Qyteti që ne kontrollojmë, ne kontrollojmë 90-95 për qind të qytetit”, u shpreh Oleksandar Syrkyi, Gjeneral kolonel.
Ai u kërkoi vendeve perëndimore të vazhdojnë të ofrojnë pajisje ushtarake, duke përfshirë raketa antitank dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Ndërkohë ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu paralajmëroi se Rusia do të përgjigjej nëse NATO do ta furnizonte Ukrainën me avionë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.
Ndërsa mijëra gra dhe fëmijë vazhdojnë të ikin nga Ukraina. Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 3.9 milionë njerëz kryesisht gra dhe fëmijë janë larguar nga Ukraina.
“Është shumë e frikshme. Nënat nuk kanë ku të shkojnë. Askush nuk e di se çfarë të presë. I jemi shumë mirënjohës të gjithë vullnetarëve dhe të gjitha vendeve që na mbështesin. Por njerëzit tanë janë të shokuar. Çdo ditë fillon me telefonata tek të afërmit dhe miqtë tanë për t’i pyetur nëse janë ende gjallë”, theksoi Julija Hershun, Refugjate.
“Është shumë e vështirë, të shtysh një karrocë me fëmijën, çanta me shpinë të lënduar. Është shumë e vështirë, por nuk kemi zgjidhje. Ne duhet të shpëtojmë fëmijët tanë”, tha Marija Vieçnaja, Refugjate.
Pavarësisht bombardimeve, fermerët e mbetur në Ukrainë po e shfrytëzojnë kohën e korrje-shirjeve. Atyre u kërkohet të mbjellin në të gjitha fushat e disponueshme
“Këtë vit për shkak se vendi ynë është në luftë, ne përpiqemi të mbjellim më shumë grurë dimëror që të mund të ushqejmë njerëzit”, u shpreh Vasyl, Bujk.
“Pas frontit të betejës është fushata e mbjelljes – e cila është fronti i dytë. Fronti për sigurinë ushqimore”, tha Ivan Kilgan, Bujk.
Ukraina dhe Rusia përbëjnë një të tretën e eksporteve globale të grurit dhe elbit. Ata janë gjithashtu eksportuesit kryesorë të drithërave të tjera dhe vajit të farave të lulediellit që përdoren për gatim dhe përpunim ushqimor.