Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, tha në Syri Tv se rritja e çmimeve, kryesisht e karburantit dhe energjisë elektrike janë të papërballueshme për qytetarët. Nasto theksoi se për 1 litër naftë shqiptarët i paguajnë shtetit 145 lekë taksa. Ai deklaroi se jemi vendi me çmimin e karburantit më të lartë në botë ndërsa shtoi se qeveria po favorizon oligarkët. Sakaq, Nasto theksoi se nesër në orën 17:00 do të protestojnë para kryeministrisë.
“Jemi vendi me çmimin e naftës më të lartë në botë.”-tha Nasto.
Duke iu referuar deklaratës së Ramës i cili tha se Shqipëria është më mirë se Italia dhe Greqia sa i përket çmimit dhe qeveria nuk mund të ndërhyjë për këtë situatë, Nasto tha se kreu i qeverisë nuk duhet të mbrojë më shumë oligarkët, por të jetë pranë qytetarëve.
“A e dini ju qytetarë se të gjithë ata që po gërryejnë tokën shqiptare po nxjerrin naftë dhe nuk paguajnë asnjë taksë. Ata kanë miliarda borxhe e nuk i kanë paguar ndër vite. Janë gati 8 elementë, që janë taksa në 1 litër karburant. Pse jemi vendi më i varfër, më i korruptuar dhe kemi çmimin më të lartë në gjithë botën?”-tha Nasto.
Më tej ai tha se Edi Rama duhet të kthjellohet pasi koha nuk pret, dhe kryeministri duhet të mbledhe qeverinë dhe të ulë taksat.
“8 taksa përveç çmimit të naftës. Paguajmë 145 lekë për çdo litër naftë shtetit. Si ka mundësi që ekonomia shqiptare e pandihmuar, si në tërmet dhe pandemi, çmimet shtrenjtohen. Çmimi i karburantit rritet disa herë brenda ditës. Tre kompani importojnë karburant, sa blihet jashtë? A kanë rezerva këto kompani? Si ndryshim çmimi në bursë? Kjo është çmenduri e qeverisë shqiptare.”-tha Nasto.
Sa i përket çmimit të energjisë, Nasto tha se është rritur me 40 për qind.
“Do shkojë fatura shumë, 35-40 për qind është rritur energjia elektrike. Po shkatërrohet qytetari, po shpopullohet vendi, po shkatërrohet biznesi i vogël dhe i mesëm. Po punohet me një projekt të përpiluar në zyrat e monopolist dhe oligarkisë”, tha Nasto.
I pyetur se përse ka një rritje kaq të shpejtë të çmimeve, Nasto theksoi se qeveria nuk po bën asgjë por po luan rolin e menefregos.
“Duhen hequr taksat tek karburanti. Po lihet që të abuzojnë kompanitë e mëdha. 7-8 drejtori që monitorojnë tregun. Konkurrenca s’po punon fare. Rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë kanë çua redhe në rritjen e çmimin e produkteve të shportës. Këto që po ndodhi kanë dalë jashtë kontrollit. Situata alarmante.”-tha Nasto.
Ky i fundit tha se do ketë mbyllje masive dyqanesh.
“Bulmetrat, buka, janë rritur. Nuk e ul biznesi i vogël apo i mesëm, varen nga importi. 90 për qind importojmë lëndën e parë, prandaj e nënvizoj. Monopoli po shkatërron ekonominë, familjet dhe po shpopullon këtë vend. I drejtohem shoqërisë, intelektualëve, nesër në orën 17:00 të jemi para kryeministrisë të gjithë. Koha është sot, koha nuk pret. Të ngrihemi të mbrojmë të drejtat dhe ekonominë tonë. Nesër nuk jemi vetëm ne si shoqatë e biznesit të vogël dhe të mesëm, por transporti, fermerët, duhet të jetë rinia dhe mediat që na mbështesni.”-tha Nasto.
Për deklaratën e Belinda Ballut që iu tha qytetarëve të ecin në këmbë, Nasto theksoi se ajo duket se nuk jeton në Shqipëri, por në një qiell të hapur që s’ka kontakt me popullin.
“Nuk e mbaj makinën vetëm për luks, për qejf. Nuk mbahet për luks në Shqipëri makina përveç ministrave, qeveritarëve. S’kemi një transport të rregulluar. Prandaj detyrohemi të përdorim makinat tona.”-tha Nasto.
Qytetarë, përfaqësues të biznesit, fermerë e blegtorë do protestojnë ditën e nesërme përpara kryeministrisë në orën 17:00 për shkak të rritjes marramendëse të çmimeve. Nga ana tjetër transporti publik përveçse ka përgjysmuar flotën e autobusëve, shoqata ka bërë me dije se do të dyfishojë çmimin e biletës.